Drejtuesi politik i PD-së për Qarkun e Tiranës dhe kandidat për deputet, Belind Këlliçi, ka hedhur akuza të forta në adresë të Partisë Socialiste, duke zbardhur sipas tij përplasjet e ashpra të brendshme në këtë forcë politike përpara zgjedhjeve të 11 majit. I ftuar në një emision televiziv, Këlliçi foli për një skemë të quajtur “vota me klering”, ku përfshihen emra të njohur si Vullnet Sina, grupi “5D”, Fatmir Xhafaj dhe Erion Veliaj, të cilin e akuzon se e drejton këtë grup nga burgu.
Sipas Këlliçit, kjo është e njëjta skemë që në vitin 2021 ndihmoi Fatmir Xhafajn të bëhej deputet, duke sfiduar edhe vetë Edi Ramën, dhe duke rritur ndikimin e Erion Veliajt në PS. Ai theksoi se kjo metodë po rishfaqet sërish në këto zgjedhje, por këtë herë është goditur nga vetë Rama.
“Për herë të parë kemi vota me klering. Burime pranë PS që i kemi të konfirmuar, thonë se po shqyhen me njëri-tjetrin. Fenomeni ndodh mes Vullnet Sinës dhe grupit kriminal 5D që lidhet me deputetin Fatmir Xhafaj. Ky i fundit në 2021 ishte vendosur qëllimisht i 23-ti në listë nga Rama, por u bë deputet përmes ndërhyrjes së dhunshme të Veliajt dhe këtij grupi,” tha Këlliçi.
Ai shtoi se kjo ndërhyrje ka treguar forcën e Veliajt brenda PS-së, duke u shndërruar në një kërcënim të brendshëm për Ramën.
“U dha një mesazh i qartë publik: kush merret me këta, nuk ka më punë me Edi Ramën, me Bashkinë apo me pushtetin e tij,” tha Këlliçi, duke shtuar se grupi “5D” është goditur dhe shumë prej anëtarëve të tij janë larguar nga strukturat bashkiake.
Në akuzat e tij, Këlliçi përfshiu edhe Geron Xhafën, vëllain e Fatmir Xhafajt, të cilin e akuzon për ndikim në Vlorë dhe lidhje me grupe kriminale në këmbim të mbështetjes për votat e punonjësve të bizneseve të Vullnet Sinës në Tiranë.
Sipas tij, qëllimi i Veliajt për të mbështetur Xhafajn është për shkak të ndikimit të këtij të fundit në drejtësi: “Fatmir Xhafaj konsiderohet babai i reformës në drejtësi dhe ka ndikim të madh në gjyqësor e SPAK. Ai ka ndihmuar ose goditur pjesën më të madhe të gjyqtarëve e prokurorëve dhe ka fabrikuar procedurat e kalimit të vetingut. Ai është njeriu që ka shantazhuar politikën, biznesin e drejtësinë.”
Në fund, Këlliçi përmendi edhe faktin që Erion Veliaj ndodhet në burgun e Durrësit, jo për aferat e mëdha sipas tij, por për çështje të tjera të papërfillshme krahasuar me dëmin e inceneratorit të Tiranës. Ai theksoi se askush nuk është akuzuar për këtë aferë, pavarësisht dëmit prej 142 milionë eurosh, dhe përmendi emrat e Veliajt, Agaçit dhe vetë Ramës si të paprekur nga drejtësia.
“Në PS po zhvillohet një luftë për pushtet. Ndërkohë që ne në PD dalim me propozime konkrete për qytetarët, ata merren me pazare dhe skema të stilit mafioz për të kapur karriget e tyre,” përfundoi Këlliçi.
‘Në PS, luftë për pushtet’, Këlliçi zbulon prapaskenat: Vota me klering dhe lobime me bandat
