Ndërhyrje mirëmbajtjeje në kishën e Shën Marisë, Sinjë

Kisha e Shën Marisë në Sinjë, monument kulture i kategorisë së parë, ku janë kryer ndërhyrje mirëmbajtëse. Specialistët e mirëmbajtjes së DRTK Berat kanë ndërhyrë, duke bëre zbërthimin e kangjellave metalike të vendosura në dritare. Sipas DRTK Berat në vend të tyre u vendosën kapakët tradicional prej druri. Kapakët u trajtuan me vaj lini për mbrojtje ndaj kushteve atmosferike dhe për të ruajtur pamjen natyrale të drurit. “Ndërhyrja e kryer ka si qellim ruajtjen e autenticitetit dhe kthimin e elementeve origjinal të objektit monument kulture”, thuhet nga DRTK Berat. Siç shihet edhe nga gjendja e sotme, arkitektura e kishës nuk shquhet për volume të konsiderueshme, por është një ndërtim mjaft i thjeshtë me gurë të përmasave mesatarë të lidhur midis tyre me llaç gëlqereje. Struktura e mureve është e ndërtuar vetëm në tri krahë të planimetrisë së kishës; përkatësisht në fasadën perëndimore e cila është edhe fasada kryesore ballore, në atë veriore me shtrirje shumë të vogël dhe në fasadën jugore ku nga gjurmët kuptohet se fillimisht është përdorur si hyrje për në kishë nëpërmjet shtegut që formon shkëmbi natyror pranë.
Ndërsa ana lindore kufizohet direkt me pjesën e shkëmbit natyror. Duke pasur vetëm një fasadë ballore edhe hapësirat e dritës ndodhen në këtë anë; tre dritare gjatësore prej druri me hapje horizontale nga brenda me arkitra druri sipër, edhe hyrja kryesore ndodhet në anën lindore një flegërshe me hapje nga brenda po prej druri duke u paraprirë nga një derë prej hekuri. Në anën jugore ndodhet një portë dy flegërsh e bllokuar nga brenda me një mur dhe jo më funksionale. Nga konfigurimi i terrenit pranë kuptohet se fillimisht kjo ka qenë hyrja kryesore për në kishë, duke kaluar nëpër shtegun e ngushtë pranë shkëmbit. Hapësira e brendshme e kishës është e vogël dhe e përshtatur me terrenin shkëmbor. Kisha e Sinjës është shpallur monument kulture i kategorisë së parë nga Ministria e Kulturës në vitin 2015.