“Nata Kulturore Epidamn e Trashëgimisë dhe Artit”, veprimtaria e parë artistike në Hamamin e Durrësit pas restaurimit

“Nata Kulturore Epidamn e Trashëgimisë dhe Artit” do të vijë si një aktivitet i trashëgimisë kulturore midis së kaluarës dhe së tashmes. Programi i BE, “EU4Culture” bën me dije se ky aktivitet më 19 qershor do të zhvillohet në Hamamin e Durrësit. Ky aktivitet organizohet në kuadër të projektit “Trashëgimia Epidamn: Lidhja midis së Shkuarës dhe të Tashmes”, i zbatuar nga Durrësi Aktiv në bashkëpunim me MuZEH Lab, në kuadër të programit “EU4Culture”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Pas përfundimit të restaurimit nga “EU4Culture”, Hamami historik i Durrësit ka hapur dyert për qytetarët dhe vizitorët. Për të shënuar këtë moment të rëndësishëm, Qendra “Durrësi Aktiv”, në bashkëpunim me Qendrën Muzeore Durrës, organizon veprimtarinë e parë artistike brenda monumentit pas restaurimit. Artistët, muzikantët, aktorët dhe artizanët do të rikrijojnë atmosferën osmane dhe do të tregojnë se si trashëgimia frymëzon krijimtarinë bashkëkohore.
“Çfarë do të përjetoni? Sheshi i Zanateve – mjeshtër qeramike & quilling live, ku mund të provoni dorën vetë. Tregimet e Halilit -udhëtim me humor e histori nga kronikat osmane të Evliya Çelebi. Intermezzo violonçeli që mbush hapësirën me tinguj meditative. Performanca “Ekuilibër / Equilibrium” – Hang zviceran, Didgerido australian, Daulle shqiptare, Longari, Bouzuk grek & isopolifoni, të ndërthurura në një spektakël unik. Projeksione AI me imazhe të Durrësit të vjetër në fasadën e Hamamit”, thuhet nga “EU4Culture”. Hamami në Durrës daton në shekullin XVIII.