Me makinë e armën në brez, 19 vjeçari nuk i ‘shpëton’ dot policisë

Është vënë në pranga një 19 vjeçar në Kamzë. Ky i fundit qarkullonte me pistoletë dhe në momentin që është pikasur nga forcat policore, ka tentuar të arratiset me automjet.
“Qarkullonte i armatosur me pistoletë dhe tentoi të largohej me automjet, kur u lokalizua nga shërbimet e Policisë, kapet dhe vihet në pranga 19-vjeçari. Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë me municion dhe automjeti. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se një shtetas qarkullonte me automjet, i armatosur, organizuan dhe finalizuan operaconin policor të koduar “Golden Gun”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi: A. T., 19 vjeç, banues në Zall Mner.
Gjatë operacionit, në Kamëz, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin me të cilin qarkullonte shtetasi A. T. dhe i kanë bërë shenjë ndalimi. Ai nuk është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë dhe ka tentuar të largohet me shpejtësi, por si rezultat i veprimeve të shpejta policore është kapur dhe vënë në pranga. Gjatë kontrollit në automjetin e 19-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe municion, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin zyrtar.