Ka përfunduar sot procesi i rinumërimit të votave për të gjithë qarkun e Tiranës pa sjellë asnjë ndryshim në rezultatin final të subjekteve politike dhe as të kandidatëve.
Në përfundim të numërimit, antarët e KAS e cilësuan procesin transparent dhe demokratik.
“Nuk prodhoi asnjë ndryshim dhe rezultat. Procesi i tabulimit është duke mbaruar. Ka qenë korrekt, ka qenë i mundimshëm për stafin e KQZ”, tha anëtari i KAS, Koli Bele.
Ndërsa Ledio Braho qetësoi zërat për ndërhyrje në process.
“Nuk kemi më akuza për trafikim votash në subjekte. Ato lëvizje që reflektohen dhe konsiderohen si vjedhje dhe manipulim nuk janë të tilla por gabime njerëzore apo çështje fletësh që janë të diskutueshme në lidhje me qëndrimin se kujt i takojnë”, tha anëtari i KAS, Ledio Braho.
Sipas Brahos, lëvizja e votave është gabim dhe jo i qëllimshëm, sepse nëse do të kishte trafikim votash, këto vota do të shkonin te kandidatë të tjerë.
Referuar votave në numër, të vetmet deputetet që u ndanë me rezultat të ngushtë ishin Olta Xhaçka dhe Blerina Gjylameti, me diferencë 70 votash.
Në përfundim të këtij procesi rinumërimi jo vetëm që nuk ndryshoi asgjë në rezultatin përfundimtar, ku PS ruan 19 mandatet dhe PD 13 mandate, por as partitë e reja, nuk ndryshuan mandate, Partia Mundësia me 2 mandate, PSD, Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet me nga 1 mandat.
PD-ASHM-së i zbritën 612 vota nga rezultati i 11 majit, PS-së i zbriten 381 vota. Lëvizjes Bashkë i zbritën 57 vota, Nismës Shqipëria Bëhet dhe Partisë Mundësia i zbriten nga 44 vota secilës dhe 34 vota i hiqen PSD-së.
Të vetmet Parti që përfitojnë vota tepër janë Koalicioni Euroatlantik i Lulzim Bashës, Koalicionit Djathtas për Zhvillim të Eneklejd Alibeajt dhe Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare.
Ditën e hënë do të vijojë procesi i rinumërimit të votave më qarkun e Fierit e më pas më Durrësin./vizionplus.tv