Lezhë/ 35-vjeçari merret peng pas një sherri në lokal, autorët e braktisin në rrugë pasi policia iu vu nga pas

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në autostradën Lezhë-Tiranë, ku një person është marrë me forcë nga disa individë në një biznes pranë rrugës. Sipas informacioneve paraprake, viktima e pengmarrjes është shtetasi D.GJ., 35 vjeç, banues në Lezhë.
Policia ka nisur menjëherë hetimet dhe ka identifikuar tre persona si autorët e dyshuar: K. P., B. V. dhe Xh. E., të gjithë banues në fshatin Tresh. Për të ndaluar autorët dhe për të shpëtuar të rrëmbyerin, forcat policore ngritën pika kontrolli në disa akse kryesore, përfshirë rrugët drejt Tiranës, Shkodrës dhe Kukësit.
Si rezultat i këtij reagimi të shpejtë, autorët dyshohet se e kanë liruar të rrëmbyerin, i cili është dërguar në spitalin e Lezhës, ku po merr ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, policia po vijon kontrollet për të arrestuar autorët dhe për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
Njoftimi i polcisë:
Lezhë/Informacion paraprak
Rreth orës 14:30, në vendparkimin e automjeteve të një lokali në aksin rrugor “Lezhë-Milot”, dyshohet se gjatë një konflikti fizik, tre shtetas kanë dhunuar dhe më pas kanë marrë me forcë me automjet, shtetasin D. Gj., rreth 35 vjeç, banues në Lezhë.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë së Lezhës kanë ngritur pika kontrolli në përimetrin rrethues dhe në akset lidhëse, me qëllim kapjen e autorëve, të cilët janë identifikuar nga Policia, konkretisht shtetasit K. P., B. V. dhe Xh. E., të tre banues në fshatin Tresh.
Gjithashtu, u ngritën pika kontrolli në akset rrugore drejt Tiranës, Shkodër dhe Kukësit.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të Policisë dhe të gjendur nën presionin e kontrolleve intensive të Policisë, autorët dyshohet se e kanë zbritur nga automjeti, shtetasin D. Gj., i cili aktualisht po merr ndihmë mjeksore në spitalin e Lezhës dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.
Ndërkohë, vijojnë kontrollet intensive për kapjen e autorëve.