Bota katolike nisi homazhet për ndarjen nga jeta të papa Franceskut. Në Vatikan kambanat ranë fort për të njoftuar lajmin e trishtë.
Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë reagoi duke thënë se Papa udhëhoqi Kishën në këto vite nëpërmjet një dëshire të thellë ndryshimi dhe reformash, si dhe ngriti vazhdimisht zërin kundër luftës, armatimeve dhe shkatërrimit të krijimit.
Po ashtu edhe komunitete tjera fetare ne Shqipëri shprehën vlerësimet më të larta për Atin e Shenjtë.
Presidenti Bajram Begaj, vuri në dukje figurën e tij si simbol të dashurisë universale, dhembshurisë dhe përkushtimit pa dallim feje apo kombësie.
Ndërsa kryeministri Edi Rama e cilësoi atë një mik të madh e të paharrueshëm të Shqipërisë, teksa ndërpreu fjalimin në një takim elektoral në Kavajë.
Edhe kreu i PD Sali Berisha ndërpreu takimin e tij në Pukë.
Ndërkohë presidenti i Francës Emanuel Macron ishte ndër të parët që reagoi.
“Ati i Shenjtë nuk është më, dhe dëshiroj të shpreh trishtimin e thellë që ndjejmë në këtë moment, si dhe pikëllimin e thellë që e di se ndahet jo vetëm në Francë, por në mbarë botën. Papa qëndroi përkrah më të pambrojturve dhe më të brishtëve, me përulësi të thellë dhe një ndjenjë të thellë ndjeshmërie ndaj të tjerëve”, tha Macron.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se lajmi e ka trishtuar tej mase. Ajo i kërkoi botës edhe një herë të ketë guximin për të ndryshuar drejtim, për të ndjekur një rrugë që ‘nuk shkatërron, por kultivon, riparon, dhe mbron”.
Kancelari i ri i Gjermanisë, Friedrich Merz tha se Papa Françesku do të mbahet mend për angazhimin e tij të palodhur ndaj të varfërve, punës për drejtësi dhe pajtim.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se Papa “frymëzoi miliona njerëz, edhe përtej Kishës Katolike, me përulësinë dhe dashurinë e tij”.
Ndërsa Shtëpia e Bardhë bëri një reagim të shkurtër duke publikuar një foto të takimit të Papës me Presidentin Donald Trump dhe gruan e tij Melania, me shënimin: “Pusho në paqe, Papa Françesku”.

Leave a Reply