Koçiu në Romë: Vijojmë partneritetin për kryerjen e ndërhyrjeve të avancuara edhe në Shqipëri

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Romë, me qëllim vijimin e bashkëpunimit ndërmjet Qendrës Universitare Spitalore të Tor Vergatës, Universitetit dhe Kompleksit Spitalor të Kieti-Peskarës dhe Universitetit të Mjekësisë Tiranë, konkretizuar me marrëveshjen dypalëshe, e cila kishte nisur në parim që në vitin 2023.
Lajmi i mirë për qytetarët shqiptarë është se kjo marrëveshje parashikon bashkëpunimin në disa fusha shumë të avancuara dhe komplekse, duke përfshirë kujdesin shëndetësor për pacientët si dhe trajnime të avancuara profesionale për stafin mjekësor, me qëllim rritjen më tej të kapaciteteve të QSUNT-së.
Sipas Koçiut, “partneriteti, i cili ka nisur prej dy vitesh tashmë në fusha të avancuara si transplantet e veshkës, mëlçisë dhe pankreasit, parashikon mundësi për trajtimin e pacientëve shqiptarë dhe trajnimin e mjekëve tanë, me synimin që këto procedura të realizohen gjithnjë e më shumë edhe në vendin tonë”.
Në komunikimin e saj, ministrja e Shëndetësisë nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me strukturat e specializuara shëndetësore në Europë e më gjerë, duke përmirësuar më tej shërbimin ndaj qytetarëve.
“Nga Sheba Medical Center javën e kaluar dhe sot nga Policlinico Tor Vergata vijojmë përpara me partnerët tanë ndërkombëtarë për të ndërtuar një sistem shëndetësor ku çdo qytetar shqiptar të marrë shërbime falas, me dinjitet dhe të barabarta me ato të çdo qytetari europian.
Muajin e kaluar ishte në një vizitë zyrtare në Tiranë ministri italian i Shëndetësisë prof. Orazio Schillaci, me të cilin u nënshkrua dhe Deklarata e Mirëkuptimit, në fushën e përmirësimit të shërbimit neonatal në maternitetet e Tiranës, Fierit dhe Dibrës, në sektorin farmaceutik me fokus trajtimin e sëmundjeve të rralla, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit akademik dhe kërkimit shkencor.