Koalicioni fsheh rënien e PD, ja sa vota mori Sali Berisha pa mbështetjen e aleatëve në zgjedhjet e 11 majit

Rigels Seliman
Sali Berisha ka hyrë në histori, por këtë herë në mënyrën më të dhimbshme të mundshme, pra me rezultatin më të ulët që Partia Demokratike ka marrë ndonjëherë në zgjedhje. Pavarësisht mburojës së koalicionit PD-ASHM (Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore), shifrat e zhveshura tregojnë të vërtetën e hidhur, teksa PD ka marrë vetëm 208 mijë vota në zgjedhjet 11 majit 2025, një rënie dramatike nga 455 mijë votat që kishte në 2017. Por humbja prej mbi 247 mijë votash tregon një braktisje masive të elektoratit, një ndëshkim historik për lidershipin e izoluar dhe të konsumuar.
Koalicioni me parti të vogla si Partia e Lirisë (PL), Partia Republikane (PR),  Fryma e Re Demokratike (FRD) dhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) mund të ketë krijuar iluzionin e fuqisë, por realiteti është një tjetër, pasi Partia Demokratike është në rënie të lirë dhe Berisha ka humbur mbështetjen e dikurshme popullore. Ai që dikur pretendonte të përfaqësonte “shpresën e djathtë”, tani ka mbetur simbol i një epoke që shumica e shqiptarëve po kërkojnë ta lënë pas. Pra sikundër shihet më poshtë në analizën që gazeta “SOT” ka bërë, rënia e PD-së së Berishës nuk është vetëm numerike, por edhe morale dhe politike. Kështu që e gjithë kjo situatë tregon se një parti që ka qenë forcë e parë qeverisëse, tashmë mezi arrin shifrën që dikur merrte vetëm në një qark. Thënë troç kjo panoramë, sikundër është disfata e Partisë Demorkatike në zgjedhjet e 11 majit, tregon se Berisha ka shkruar fundin e vet politik me votë dhe jo me akt akuzë.
Ja detajet me shifra
Zgjedhjet e 2017 – Votat e partive që më 2025 janë aleate të PD
Këto parti në 2017 garuan më vete dhe morën:

PD: 455,481 vota
LSI (tani PL): 225,678 vota
PDIU: 75,938 vota
PR: 14,292 vota
FRD: 4,588 vota

Totali i partive aleate të PD në 2017 (pa vetë PD-në):
= 225,678 + 75,938 + 14,292 + 4,588 = 320,496 vota
Zgjedhjet e 2025 – Koalicioni i PD (ASHM)

Totali i votave të koalicionit (PD + aleatët): 528,811 vota

Llogaritja
Për të vlerësuar sa vota ka marrë vetëm PD në 2025, thjesht heqim nga totali votat që morën aleatët në 2017:
528,811 (totali i ASHM 2025)
− 320,496 (votat e aleatëve më 2017)
= 208,315 vota për PD në 2025 (përafërsisht)
Krahasim PD 2017 vs 2025

PD në 2017: 455,481 vota
PD në 2025 (vlerësuar): 208,315 vota
Humbje: 247,166 vota më pak

Pra kjo tregon një humbje shumë të madhe të mbështetjes për Partinë Demokratike në krahasim me vetveten në 2017. Këtu nuk përfshihen votat nga diaspora, sepse janë shumë të pakta dhe nuk ndryshojnë ndjeshëm rezultatin.