Një lajm i trishtë vjen nga kinematografia shqiptare. Regjistori i shquar Piro Milkani është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare.
Lajmi i trishtë për ndarjen nga jeta të regjisorit Pirro Milkani është dhënë nga djali i tij Eno.
Me anë të një postimi në Facebook Eno shkruan: “Iku babai, shoku dhe kolegu im”.
I lindur më 5 janar 1939 në Drenovë, Korçë, Milkani ishte një nga kineastët e parë të kinematografisë shqiptare, duke realizuar filma që mbetën në kujtesën dhe zemrat tona. Veprat e tij si “Ngadhnjim mbi vdekjen”, “Çifti i lumtur”, “Zonja nga qyteti” u bënë pjesë e identitetit tonë kulturor dhe janë dëshmi e talentit dhe përkushtimit të tij ndaj artit.
Përveç kontributit të tij si regjisor, Milkani ishte edhe një edukator i përkushtuar, duke ndihmuar në formimin e brezave të rinj të kineastëve shqiptarë. Ai ishte një njeri i urtë, i dashur dhe i respektuar nga të gjithë ata që patën fatin ta njihnin. Një mik i përjetshëm i Arkivit ku me adhurim thonim se Piro është si një libër i hapur për ndodhitë e historitë e Kinostudios.
