Kryetari në detyrë i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nuk është vetëm i paraburgosur në Burgun e Durrësit, por rezulton tashmë edhe banor i qytetit bregdetar.
Veliaj figuron zyrtarisht si banor i Bashkisë Durrës, njësisë Administrative Durrës dhe me qendër votimi në I. E. P. V. D. Durrës. Nga një kërkim në listën e KZS-së për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Veliaj rezulton t’i jetë shtuar listës së zgjedhësve në Durrës.
Këshilltari ligjor i Partisë Demokratike dhe avokati Marash Logu me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan se neni 61, pika 1, gërma “c”, e Ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i ndryshuar, parashikon se mandati i kryetarit të bashkisë përfundon përpara afatit në rastet kur kryetari nuk është më banor i përhershëm i bashkisë ku është zgjedhur.
Logu shton se duke qenë se tashmë Veliaj nuk rezulton më si banor i Bashkisë Tiranë, por si banor i Bashkisë Durrës, kjo do të thotë që ai automatikisht humbet mandatin e kryebashkiakut të Tiranës. Gjithashtu ai thotë se Këshillit Bashkiak të Tiranës nuk i mbetet tjetër veçse të njoftojë Këshillin e Ministrave, i cili ia përcjell njoftimin Presidentit të Republikës për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Postimi i plotë:
Erion Veliaj humbet mandatin e kryetarit të Bashkisë Tiranë!
Neni 61, pika 1, gërma “c”, e Ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i ndryshuar, parashikon se mandati i kryetarit të bashkisë përfundon përpara afatit në rastet kur kryetari nuk është më banor i përhershëm i bashkisë ku është zgjedhur. Duke qenë se tashmë Erion Veliaj nuk rezulton më si banor i Bashkisë Tiranë, por si banor i Bashkisë Durrës, kjo do të thotë që ai automatikisht humbet mandatin e kryebashkiakut të Tiranës. Këshillit Bashkiak të Tiranës nuk i mbetet tjetër veçse të njoftojë Këshillin e Ministrave, i cili ia përcjell njoftimin Presidentit të Republikës për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Jo vetëm i paraburgosur në Durrës por edhe…/ Tirana pa Veliajn? ‘Kryebashkiaku’ zyrtarisht banor i qytetit bregdetar
