Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqit në SPAK ditën e sotme në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, lidhur me dosjen “Partizani”. Berisha u pyet nëse ka pasur komunikim me Chris LaCivita pas humbjes së zgjedhjeve.
Berisha zgjodhi të përgjigjej shkurt dhe e falenderoi drejtuesin amerikan të fushatës elektorale të PD-së.
Berisha: Dua ta falenderoj për punën që ka bërë. Çështjet e privatësisë, edhe Sali Berisha, sado që është njeriu më publik, ka privatësinë e tij. Po mjaftohem me falenderimet për kontributin dhe ndihmën që na ka dhënë dhe na jep.
Berisha duhet të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, në zbatim të masës “Detyrim paraqitje” lidhur me dosjen “Partizani”.
Ditën e sotme, në orën 11:30, Gjyata e Posaçme do të vendosë nëse dosja “Partizani” do të kalojë për gjykim, do të kthehet për plotësim të hetimeve në SPAK apo do të pushohet nëse gjyqtarja Flojera Davidhi vlerëson se nuk provohet dyshimi i arsyeshëm i ngritur nga SPAK.
Në seancat e mëparshme avokatët mbrojtës kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Davidhi./vizionplus.tv
