Gjendet e vrarë me thikë shqiptarja në Itali, arrestohet ish i dashuri: Kërkoj falje! E vrava në shtëpinë time, kisha..

Trupi i Ilaria Sula, studentja me origjinë shqiptare, 22 vjeç, e zhdukur që prej 25 marsit në Romë, në zonën e Furio Camillo, u gjet këtë mëngjes brenda një valixheje të mbyllur, e hedhur në një greminë përgjatë rrugës provinciale 45B, në segmentin midis Capranica dhe Guadagnolo. Disa persona që frekuentonin zonën e pyllëzuar në Poli, në periferinë e kryeqytetit, e kanë zbuluar valixhen dhe menjëherë kanë lajmëruar policinë.
Rrëfimi i Mark Antony Samson
Ish-i dashuri Mark Antony Samson, 23 vjeç, student në universitetin “La Sapienza”, me familje me origjinë nga Filipinet, por i lindur në Itali, e ka vrarë Ilaria Sula ndoshta që të njëjtën natë të zhdukjes së saj. Vrasja ndodhi në shtëpinë e familjes së tij në Via Homs, në lagjen Africano, ndërkohë që prindërit e tij ndodheshin në banesë. Pasi e vrau, ai e fshehu trupin në një valixhe, e cila ishte shumë e vogël për të mbajtur trupin e saj të tërë, dhe më pas e transportoi 40 km larg, duke hedhur thikën në një kazan plehrash
Telefonin e viktimës e mbajti për vete, fshiu llogaritë e saj në rrjetet sociale, por iu përgjigj shkurt disa mesazheve. Në fund, pasi u zhduk edhe nga telefoni, e hodhi atë në një pusetë dhe shkoi personalisht në shtëpinë e shoqeve të saj për të shtirur sikur po e kërkonte. Kur policia arriti tek ai pas sinjalizimit të shoqeve të dhomës së Ilarias, ai u thye dhe pranoi pothuajse gjithçka, duke thënë: “Kërkoj falje.” Por përpara prokurorit dhe në prani të avokatit të tij mbrojtës, refuzoi të përgjigjej për shumë pyetje kyçe, duke u shprehur: “Për këtë nuk dua të përgjigjem.” Për të rindërtuar lëvizjet e tij, do të analizohen kamerat e sigurisë në zonë, ndërsa pozicioni i prindërve të tij është ende në vlerësim.
Si familjarë të afërt të autorit të krimit, ligjërisht nuk mund të akuzohen për favorizim, por nëse do të zbulohej se kishin një rol më aktiv në fshehjen e trupit, ose edhe në vetë krimin, situata e tyre ligjore do të përkeqësohej. Në orët në vijim, ata do të dëshmohen nga hetuesit, të cilët po presin gjithashtu rezultatin e autopsisë (që do të caktohet të enjten) për të sqaruar rrethanat e vdekjes. Në trupin e 22-vjeçares janë konstatuar disa plagë me thikë, një prej të cilave në qafë.
E vërteta zbulohet nga analiza e të dhënave telefonike
Ilaria kishte pasur së fundmi një lidhje me Samson. Autoritetet arritën ta zbulojnë atë si autorin e vrasjes përmes analizës së tabulateve telefonike dhe antenave celulare, pasi ai kishte përdorur telefonin e saj për të postuar histori në profilin e saj në rrjetet sociale. Prokuroria ka sqaruar se trupi i saj nuk është copëtuar, ndërsa Samson ndihmoi hetuesit për të gjetur valixhen. Telefoni i viktimës ende nuk është gjetur.
Ilaria Sula studionte në Universitetin “La Sapienza”
E reja studionte Statistikë në Universitetin “La Sapienza”. Përveç familjarëve të saj, të cilët bënë thirrje për ndihmë në rrjetet sociale të martën, edhe shoqet dhe koleget e saj u mobilizuan duke publikuar shumë fotografi për ta gjetur atë.
Policia Shkencore në shtëpinë e ish-të dashurit
Hetimet morën një kthesë dramatike natën mes të martës dhe të mërkurës, kur policia mbërriti në apartamentin e Samsonit në Via Homs, në lagjen Africano, ku Policia Shkencore kreu një kontroll të imtësishëm. I dyshuari, me të cilin viktima kishte shkëmbyer mesazhe të shumta natën e zhdukjes, më pas u shoqërua në komisariat për marrjen në pyetje. Leon, vëllai i Ilarias: “Pse e bëri? Nuk e kuptojmë…” Leon, vëllai më i vogël i Ilarias, është i shkatërruar dhe ka mbërritur në Romë me disa familjarë sapo është mësuar tragjedia. “Nuk arrijmë ta kuptojmë. Pse e bëri? Vetëm ai e di.” Leon kujton bisedën e fundit me motrën e tij dy javë më parë, kur ajo kishte shkuar për t’i vizituar në Terni. “Ishte e qetë dhe nuk më foli për ndonjë problem. Pastaj kemi komunikuar vetëm me mesazhe, por nuk jam i sigurt nëse i ka shkruar vërtet ajo.”
Për Samsonin, ai thotë: “E njihja, ishin bashkë për një vit, por ishin ndarë.”
Misteri i largimit të saj nga banesa
Natën e zhdukjes, Ilaria doli me nxitim nga apartamenti i saj për t’u takuar me dikë. Prindërit e saj, që jetojnë në Terni, kanë treguar se ajo nuk kishte marrë asgjë me vete, madje as sendet e saj personale apo produktet e makijazhit. Telefoni i saj vazhdoi të qëndronte aktiv për një kohë të caktuar dhe dikush madje u përgjigj ndaj disa mesazheve, por nuk është e qartë nëse ishte ajo vetë apo dikush tjetër. Më pas, çdo kontakt u ndërpre.
Dëshmitë e fqinjëve
Një fqinj, Dr. Giovanni Spanò, dentist në një klinikë pranë apartamentit të Samsonit, tha: “Ishin një çift i afërt. Mark ishte si një kukull: i sjellshëm, i qetë, gjithmonë buzëqeshur. E pashë javën e kaluar këtu pranë klinikës sime. Ishte po aq i qetë sa gjithmonë. E njihja edhe vajzën, e kam vizituar shumë herë. E pabesueshme çfarë ka ndodhur.” Banorët e lagjes në Via Homs janë tronditur nga lajmi: “Në atë pallat jetojnë prej vitesh familje filipinase, janë shumë të qetë dhe të integruar në lagje. Ajo që ka ndodhur është e tmerrshme”, raporton “Corriere della Sera”.