Flamur Noka “idiot i dobishëm” i Berishës, ja si i ka thënë burgut hapu me firmosjen e kontratës 6 mln dollarë në…

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka duket se është shndërruar në “idiotin e dobishëm” të Sali Berishës, duke firmosur një kontratë lobimi në SHBA që jo vetëm shkel ligjin, por e afron rrezikshëm me burgun. Marrëveshja me kompaninë “Continental Strategy”, e cila kap shifrën marramendëse prej 6 milionë dollarësh, është nënshkruar në emër të “Aleancës për Shqipërinë Madhështore”, por e përfituar realisht nga PD dhe vetë Berisha. Vetëm në momentin e nënshkrimit janë paguar 750 mijë dollarë, një shumë që tejkalon me 65 herë kufirin ligjor të financimeve elektorale në Shqipëri. Ligji shqiptar ndalon kategorikisht financimet e huaja dhe kërkon transparencë të plotë mbi burimin e fondeve.
Por deri më tani asnjë cent nuk është deklaruar në KQZ, ndërsa llogaritë bankare të PD-së nuk reflektojnë këtë transaksion. Për më tepër, pagesa është garantuar nga një qytetar amerikan me profesion elektricist, Nuredin Seçi, një figurë e dyshimtë që hodhi firmën mbi kambialin për qindra mijëra dollarë. Mirëpo kjo duket se është një manovër e rrezikshme. Juristi Ylli Manjani ka deklaruar se Flamur Noka sot duhej të ishte në burg, pas sipas tij, është këshilluar keq, ka shkelur dy nene të qarta të Kodit Zgjedhor.” Ndërkohë SPAK ka nisur zyrtarisht hetimet, ndërsa Noka përballet me akuza të rënda për pastrim parash, mashtrim financiar dhe financim të paligjshëm të fushatës.
Por ky është një akt kriminal i përsëritur nga PD, që përdor njerëz të vet për të mbuluar gjurmët e vërteta të financimeve nga burime të dyshimta. E gjithë skema është një grackë ligjore që i është servirur Nokës si detyrë partie, por që mund ta çojë drejt qelisë. Berisha, si gjithmonë, ka lënë të tjerët të firmosin, ndërsa vetë korr përfitimet politike. Kështu që fakti që PD nuk ka dorëzuar ende pasqyrat financiare në KQZ është një tjetër provë se po tentohet të fshihet e vërteta. Sidoqoftë kjo kontratë nuk është më çështje politike, por penale, madje me plot gojë mund të themi se dhe Flamur Noka është viktima e parë e një afere që po shpërthen në fytyrën e opozitës.
Qëndrimi i Manjanit
Konkretisht sinjalet se Flamur Nokën do e presin telashe me drejtësinë i ka dhënë juristi Ylli Manjani, teksa ishte i ftuar në një media, ku dhe komentoi kontratën lobuese prej 6 milionë dollarësh të Partisë Demokratike në SHBA. Sipas Manjanit, në momentin që donacioni mbi të cilin pretendohet se është bërë lobimi nuk është derdhur në llogarinë e PD si subjekt politik shqiptar dhe nuk është bërë i ditur burimi i donacionit, mund të lindë dyshimi i arsyeshëm se bëhet fjalë për para të pista. “Së pari, nuk lejohet pranimi i fondeve nga fondacione jo politike të huaja. Ka edhe një nen tjetër që thotë se çdo donacion mbi 1 mln lekë të vjetra ta inkasojë të llogarinë e saj, jo te “Make America Great Again” se mund të jetë gjithë Amerika Latine që ka para droge dhe ky quhet pastrim parash. Ligji shqiptar e ka vënë kushtin që ta pranosh ti donacionin, ta regjistrosh, kërkon të marrësh burimin e donatorit, SPAK s’ka nevojë të shkojë ta gjejë është kjo donacion apo jo.
PD ka blerë një shërbim amerikan dhe është futur në mes një garantor. Ku janë lekët në llogarinë e PD? PD është subjekt shqiptar, dhe çdo donacion duhet të inkasohet dhe të deklarohet në KQZ, ka rregulla. Nëse kjo procedurë nuk ka ndodhur, mua më lind dyshimi i arsyeshëm që janë para të pista”, deklaroi ai. Më tej Manjani theksoi se Flamur Noka, personi që firmosi kontratën, duhet të ishte në burg. Sipas tij, ai është këshilluar keq nga juristët. “Duke parë ligjin shqiptar dhe atë kontratë, Flamur Noka duhej të ishte në burg sot. Sepse të tjerët kanë bërë më pak dhe janë future në burg. Ilir Meta është futur në burg për më pak se kaq. Ky ka shkuar në burg me këmbët e veta. Juristët e kanë këshilluar shumë keq, se ky nuk është donacion zgjedhor. Ka dy nene në ligj, që krijojnë dyshime të arsyeshme për firmën e Nokës. Arben Ristani për pak shkoi në burg për këtë gjë. Në çdo palë zgjedhje Partia Demokratike bën të njëjtin gabim”, nënvizoi Manjani.
Mister rreth pagesës dhe rolit të “elektricistit garant”
Megjithatë mes paqartësive të kontratës së lobimit të lidhur me PD dhe ‘Continental Strategy’ në SHBA, një gjë është e qartë: 750.000 USD janë pagur në momentin e nënshkrimit të kontratës. Ky fakt i pasqyruar në kontratën e lobimit mban datën 4 prill 2025. Por nëse është firmosur në fillim të muajit prill në SHBA, atëherë natyrshëm pyetja e parë që lind është: në cilin shtet ndodhej Nuredin Seçi, garantuesi dhe një nga njerëzit që ka firmosur këtë kontratë? Në cilin shtet ndodhej Flamur Noka në datë 4 prill? E sigurt është që ai nuk ka qenë në SHBA. Nëse është kontratë e nënshkruar me firmë elektronike, si është bërë pagesa e 750.000 USD? Pasi në çdo rast, është e pamundur që lobisti të ketë marrë pagesë CASH, 750.000 USD.
Atëherë, si është paguar? Me transfertë bankare? Me kambial? Me çek bankar? Pse duhej garant një qytetar amerikan me origjinë shqiptare dhe profesion elektricist? Për rastet kur kambiali nuk konvertohej në kohë, apo për raste kur llogaria e referuar nga PD dhe Flamur Noka do rezultonte bosh!? I vetmi që ka qenë i qartë dhe i frikësuar deri në këto momente për përgjegjësitë ligjore është Ilirjan Celibashi. Pas pyetjeve nga gazetarët, ai u justifikua duke thënë se ka ende disa muaj kohë që PD të dorëzojë pasqyrat financiare pranë KQZ. Me gjasë, kohë e mjaftueshme për të “lëvizur gurët” dhe shmangur përgjegjësinë për shkeljet e mundshme të Kodit Zgjedhor për financimin e partive. Por e pamjaftueshme nëse SPAK nis një hetim serioz për këtë lobim. I ngjashëm si dy pika uji me atë që Lulzim Basha bëri disa vite më parë për një foto me presidentin Donald Trump, shkruan “VNA.al”.
Por çfarë parashikon legjislacioni shqiptar në raste të tilla?
Nga ana tjetër theksojmë se në Shqipëri, çështja e financimit të subjekteve politike rregullohet nga Ligji për Partitë Politike dhe Kodi Zgjedhor. Siç gazeta “SOT”, ka vënë në dukje më herët, kontrata, kontrata përmban terma të përgjithshëm të aktivitetit që do të realizohet përmes lobimit. Nxitimi për të angazhuar, në prag të fushatës zgjedhore, një nga kompanitë më me ndikim për momentin, në Uashington, falë lidhjeve të afërta me Presidentin Trump, dhe atyre direkte me njerëzit që e rrethojnë atë, qartazi synon që të lërë gjurmë në mjedisin elektoral shqiptar. Por ajo që duket se e lidh në mënyrë më direkte me zgjedhjet, është fakti se kontrata, është firmosur nga Sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka, por si përfaqësues i Aleancës për Shqipërinë Madhështore, subjekti elektoral, nën siglën e të cilit, PD, po udhëheq opozitën në garën e 11 majit. Kodi Zgjedhor shqiptar është shumë i qartë. Neni 92 i tij, e sanksion se asnjë subjekt zgjedhor në Shqipëri nuk mund të marrë asnjë lek më shumë se 1 milionë lekë të reja, ose rreth 10 mijë euro, nga asnjë person fizik ose juridik qoftë.
Deri më tani për kontratën e lobimit me Continental Strategy janë paguar plot 750 mijë dollarë, e konvertuar në rreth 65 milionë lekë të reja, ose 65 herë më shumë saç kodi e lejon. Gjithashtu në të njëjtin nen parashikohet edhe ndalimi tjetër, se subjektet zgjedhore në Shqipëri dhe kandidatët e tyre mund të marrin fonde për qëllime të fushatës vetëm nga persona fizikë ose juridikë vendas. Pra, asnjë financim i huaj nuk lejohet në fushatë elektorale. Fondacioni “Make Albania Great Again” është një entitet juridik i huaj i regjistruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kodi e evidenton se person fizik vendas quhet edhe shtetasi shqiptar me banim jashtë territorit të vendit, pra vetëm për personat fizikë dhe jo ata juridikë. Meqë jemi te Kodi Zgjedhor neni 92 ka edhe një pikë të pestë të tij, që e thotë e zeza në të bardhë se “Subjekti zgjedhor është i detyruar të bëjë publike dhe të sigurojë akses të plotë e të pandërprerë të të tretëve në bazën e të dhënave, ku subjekti zgjedhor regjistron dhurimet, huat ose kreditë e përfituara nga ai dhe kandidatët e tij, për të gjitha vlerat e barabarta dhe më të larta se 50 mijë lekë”.
Po për “dhurimin” deri tani 750 mijë dollarësh ende nuk ka asnjë informacion të detajuar për asnjë palë. Vetë Partia Demokratike dhe Sali Berisha e kanë thënë disa herë se këto janë kontribut apo dhurim fondesh për të, por nuk e ka zbatuar as rregullin e parashikuar në pikën 2 të nenit 92/2 të ligjit zgjedhor që thotë se dhurimi i fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 50 mijë lekë duhet të bëhet vetëm në llogari të posaçme të hapura në banka nga subjekti zgjedhor, llogari e cila është deklaruar që në momentin e regjistrimit për zgjedhjet. A kanë kaluar 750 mijë dollarët që janë paguar për PD-në në SHBA, nga llogaria bankare e Aleancës për Shqipërinë Madhështore? Neni 92/2 i Kodit Zgjedhor nga ana tjetër detyron çdo subjekt zgjedhor të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, miratuar si model me vendim të KQZ-së, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin e qartë të dhuruesit, huadhënësit ose kredidhënësit. Në çastin e dhurimit, dhuruesi nënshkruan një deklaratë, ku zotohet se ai nuk ndodhet në një nga rrethanat e ndalimit dhe mban përgjegjësi personale për deklarim të rremë.
A e ka bërë Nuredin Seci dhe ‘patriotët’ e tjerë që PD thotë se po i paguajnë lobimin në SHBA këtë deklaratë? Regjistri i posaçëm është i sanksionuar edhe në nenin 23/1, pika 1 e ligjit për Partitë politike që e nënvizon që “Lista e personave, që dhurojnë shuma jo më pak se 100 mijë lekë, si dhe vlera përkatëse, duhet të bëhen kurdoherë publike”. Ligji për partitë politike, po ashtu, në nenin 21 e sanksionon se ndalohet ndihma financiare dhe materiale nga qeveri dhe nga ente publike ose private të huaja, por shton se e lejon ndihmën nga organizata e fondacione politike, vendase e të huaja. ” Kjo mund të jetë edhe argumentimi se pse në aktin e themelimit të fondacionit ‘Maga’ në SHBA, pak ditë para firmosjes së kontratës, në objektin e aktivitetit të tij, pas “promovimit të komunitetit lokal” atje, është shtuar edhe një fjali në fund “mund të angazhohet edhe në aktivitete politike”. Prokuroria e Posaçme (SPAK) menjëherë nisi verifikimet, vetëm një ditë pas publikimit të kontratës në media, dhe hetimet pritet të sqarojnë gjithçka që lidhet me përgjegjësinë penale të kujtdo të përfshirë, duke filluar nga firmosësi Flamur Noka, ‘garantori’ Nuredin Seci dhe deri te përfituesi Sali Berisha. Sqarim: Secili prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë.