Çfarë po ndodh me dosjen “Gërdeci”,  Fatmir Mediu deklaron në GJKKO se transporti i municioneve dhe kalibrat nuk…

Gjykata e Posaçme (GJKKO) zhvilloi dje seancën e radhës për masakrën e Gërdecit, ku shpërthimi katastrofik i fabrikës së demontimit vrau 26 njerëz të pafajshëm dhe plagosi qindra të tjerë. I pandehur është ish-ministri i Mbrojtjes në qeverinë “Berisha” në atë kohë, deputeti Fatmir Mediu.  Disa prej seancave të fundit janë shtyrë për shkak se ai ka qenë jashtë vendit dhe nëpërmjet avokatëve ishte shprehur se do i paraqiste vetë konkluzionet mbrojtëse. Edhe seanca e fundit e parashikuar e 7 prillit u shty dhe gjyqtarja Irena Gjoka paralajmëroi avokatët e deputetit që akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me atë ngjarje, se nuk do tolerojë më. Edhe SPAK ka kërkuar që të mos shtyheshin seancat pa fund.
Mediu u paraqit dje para gjyqtarëve dhe kundërshtoi ekspertizën tekniko-ushtarake. “Mihal Deliorgji ka punuar në Gërdec për tanket, në kohën e Majkos. Shefi i shtabit i Forcave të Armatosura Luan Hoxha kishte 300 telefonata me Delijorgjin, ministri zero të tilla. Sipas urdhrave të Shtabit të Përgjithshëm, del qartë që shpenzimet për transportin e municioneve nuk kanë qenë pjesë e kompetencave të ministrit të Mbrojtjes. Sipas ligjit për buxhetin, fondet e donatorëve për demontim, konsiderohen si pjesë e buxhetit të Ministrisë se Mbrojtjes, qoftë grante, qoftë kredi. Në çdo rast tjetër, transporti është bërë nga Forcat e Armatosura”, është shprehur Mediu mes të tjerash.
Reagimi i Mediut para mediave
Mediu dha një prononcim për mediat pas daljes nga Gjykata e Posaçme dhe përfundimit të seancës që u shty për në datën 22 prill, kur do lexohen edhe pjesa tjetër e kundërshtimeve të tij, 70 faqet e mbetura nga 150 në total. “Jemi në vlerësimin e ekspertimit ushtarak, me pretendimin e Prokurorisë se ka të bëjë me rritjen e kalibrave, nga të vegjël në të mëdhenj. Ndërkohë që vetë ekspertët ushtarakë e kanë theksuar se nuk ka dokument ligjor që përcakton apo klasifikon kalimin nga kalibrat e vegjël te të mëdhenjtë.
Nga ana tjetër solla disa dokumente që duheshin vlerësuar, janë 7 urdhra të shefave të Shtabit të Përgjithshëm para se unë të bëhesha Ministër i Mbrojtjes dhe 3 urdhra të ministrit të Mbrojtjes, të cilët kanë përcaktuar kalibrat bashkë me NATO-n dhe Departamentin Amerikan të Shtetit dhe partnerë ndërkombëtarë, edhe me Anglinë e Irlandën, ku këto cilësohen kalibra të vegjël, pra marrëveshje ligjore që ka bazë logjike, si dhe nga ana juridike, me ekspertizë ushtarake, janë zbatuar dhe nuk ka pasur asnjëherë një gjykim ndryshe. Kjo tregon se sa e pabazë është pretendimi i prokurorisë, që ka thënë edhe vetë se nuk e di se çfarë janë kalibrat, por bazohet në një analizë në dëshirën e shtuar të ekspertëve, që këta thonë librat rusë.
Unë nuk kam qenë ministër në Traktatin e Varshavës, por jam përpjekur për Shqipërinë për t’u bërë vend anëtar i NATO-s. Në 1956 as nuk kisha lindur, as e kisha lexuar atë librin rus që kanë lexuar ekspertët, sepse unë nuk di rusisht siç e kanë lexuar ekspertët, unë di anglisht dhe gjuha e NATO-s është ajo angleze. Në Shqipëri nuk ka rastësi, do ishim naiv po ta thoshim. Kjo është një situatë pak absurde, e kam në pikëpamjen e akuzës, apo ngarkesave që janë vendosur, të gjitha nuk kanë të bëjnë as me respektim ligji apo kushtetute, apo që kanë të bëjnë me atë çështje të zotit Berisha, por me rastin tim dhe detyrave që ka ministri i Mbrojtjes. Shpërdorim detyre ka të bëjë me rastin tim për mosrespektimin e ligjeve dhe akteve ligjore të barazvlefshme me ligjin. Dhe aktet ligjore janë Kushtetuta, marrëveshjet ndërkombëtare, Këshilli i Ministrave, ligjet apo VKM-të. Pra nëse thuhet se aktet ligjore janë rregulloret ushtarake apo të FA-ve, nuk jemi në një demokraci kushtetuese apo funksionimit të drejtësisë sipas konceptit të ligjit dhe Kodit të Procedurës, por  sipas dëshirave për të çmuar për mirë apo për keq,  dhe qasjeve të momentit, interesave të momentit, qofshin edhe ato politike”, tha ai.