Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Arben Shehu, ka bërë dje një deklaratë të fortë (bombë) në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, duke zbuluar se një nga punonjësit e institucionit që ai drejton ishte përballur me frikë pas një auditimi të lidhur me kryeministrin. Shehu theksoi se për natyrën e punës që bën KLSH, mbështetja ndërkombëtare është thelbësore për të garantuar integritetin dhe pavarësinë e auditimeve. “Kur e kam marrë detyrën, jam hasur që në momentet e para me shqetësimin e një audituesi për punën audituese. Ka qenë pjesë e stafit auditues në Ministrinë e Jashtme, që në atë periudhë drejtohej nga zv/ministri z. Gent Caka. Ai më ka shprehur pamundësinë për të adresuar gjetjet dhe konstatimet tek ministri.
Më pas më tha se shqetësimi nuk ishte për Gent Cakajn, por për faktin se nuk mund t’ia transmetonte ato Kryeministrit, pasi ai ishte autoriteti drejtues në Ministrinë e Jashtme”, deklaroi Arben Shehu. Shehu kujtoi se rasti daton në periudhën e qeverisë “Rama 2”, kur Ilir Meta, në rolin e Presidentit, refuzoi të dekretonte Gent Cakajn si ministër të Jashtëm dhe Kryeministri Rama mori vetë kompetencat e ministrit, të cilat më pas i delegoi Cakajt. Në atë kohë, sipas Shehut, punonjësi kishte shprehur frikë se auditimi i Kryeministrit mund t’i sillte pasoja personale. “Për shkak të situatave që pasuan, punonjësi është larguar nga institucioni dhe për rrethanat e largimit jam i gatshëm t’ju vë në dispozicion të gjitha praktikat.
Në një letër që më ka drejtuar, ai ka shkruar se do t’iu kërkojë institucioneve ndërkombëtare që mua, si Kryetar i KLSH, të më jepet suporti i duhur për të audituar punën e Kryeministrit të Republikës, sepse ai vetë nuk kishte mundësi për shkak të frikës”, tregoi Shehu. Duke iu drejtuar deputetëve të Komisionit, kreu i KLSH-së nënvizoi se situata të tilla tregojnë nevojën për garanci ndërkombëtare ndaj pavarësisë së auditimeve shtetërore. “Tani, çfarë duhet të bëj në këto situata? Këto janë raste konkrete. Unë i fus veten tek ata individë që në radhë të parë i frikësohen Zotit dhe zbatimit të ligjit. Deri në minutën e fundit që do të jem në detyrë, do të drejtoj KLSH me korrektesën më maksimale. Këtë e them me përgjegjshmëri të plotë dhe përballem në çdo moment”, u shpreh Arben Shehu.
Kreu i KLSH: Institucionet po na bllokojnë proceset audituese!
Më tej kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu ngriti dje shqetësimin në Kuvend se Audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit pengohen nga institucionet publike për të aksesuar databazën e të dhënave të tyre për auditim. Kreu i KLSH-së nuk përmendi me emra se cilat janë këto institucione publike. Duke iu përgjigjur shqetësimeve të deputetëve për zgjatjen tej afateve ligjore të auditimeve, Shehu tha se kjo zgjatje nuk vinte për faj të të audituesve, por të institucioneve nën auditim. “Kemi auditime në proces dhe nuk mund ecim përpara për shkak të mosdhënies së aksesit të institucionit që është në auditim”, tha Shehu në Komisionin e Ekonomisë, teksa shtoi se ky është bllokim i procesit ligjor pa asnjë logjikë dhe përgjigje. I pyetur nga deputetët e opozitës se çfarë zgjidhje sugjeronte Shehu për të adresuar problemin dhe a kishte diçka që mund të bënte Kuvendi ndaj zyrtarëve shtetërorë që të mos shmangin përgjegjësinë ligjore. Shehu tha se ligji është i qartë, por ai nuk zbatohet dhe për këtë theksoi se KLSH-ja do të drejtohej në rrugë institucionale për raste konkrete të pengimit të punës së audituesve. “Ligji është i qartë, nevoja është për zbatimin e tij,” u përgjigj kreu i KLSH-së.
Problematikat
Ndërkohë z. Shehu renditi edhe disa nga problematikat e identifikuara gjatë 159 auditimeve të kryera gjatë vitit të kaluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, që janë shoqëruar me masa, e deri 13 kallëzime penale. Ato janë keqmenaxhim i të ardhurave, shpenzime jo efektive, mungesë regjistrimi të pasurive të paluajtshme, rrezik për tjetërsim pronash, largime të padrejta nga puna mos-monitorim i koncesioneve dhe probleme në konkurrencën nëpër tendera. Madje, kryetari i KLSH, Arben Shehu tha se situata më problematike është në shëndetësi. Në sektorin e shëndetësisë, janë konstatuar problematika në menaxhimin dhe shpërndarjen e pajisjeve mjekësore, veçanërisht për shkak të mungesës se inxhinierëve bio-mjekësorë, në spitalet si QSUNT dhe Spitali i Traumës, duke sjellë varësi nga shërbimet e jashtme dhe kosto të larta dhe menaxhim të pasigurt të burimeve.
Po ashtu shpërndarja e pajisjeve nuk përputhet me nevojat reale të popullsisë. Përkujdesja për pacientët me probleme të shëndetit mendor mbetet e pamjaftueshme”, tha Shehu. Ndërkohë për koncesionet në shëndetësi tha se shpesh pagesat janë bërë edhe pa shërbime. “Në disa raste është vijuar me pagesa për shërbime që nuk janë kryer, ose që janë kryer në vëllime më të ulëta se projeksioni. Fenomene të tilla janë vërejtur në kontrata të rëndësishme në fushën e shëndetësisë, ku raportimi i shpenzimeve ka tejkaluar buxhetet e miratuara dhe detyrimet janë likuiduar në kundërshtim me përmbajtjen kontraktore, përfshirë edhe TVSH-në”, tha Shehu. Deputeti socialist Braçe kërkoi një auditim për 3 koncesionet në shëndetësi, për shërbimet dhe investimet që kanë bërë, por kreu i KLSH-së, kërkoi tashmë një analizë e plotë shtetërore. Po ashtu Kreu i KLSH-së tha se probleme janë evidentuar edhe në disa bashki të vendit sidomos me detyrimet e prapambetura.
“Në disa bashki është konstatuar mungesë evidencash mbi detyrimet e prapambetura, mosllogaritje e kamatëvonesave, si dhe mosregjistrim i detyrimeve të njohura me vendim gjykate. Kjo krijon jo vetëm pasaktësi në pasqyrat financiare, por edhe rrezik real për rritje të detyrimeve në të ardhmen dhe përballje me penalitete të pajustifikueshme, si kosto shtesë buxhetore”, theksoi Shehu. Institucionet qendrore e vendore tha Shehu vijojnë me problemin e largimeve të padrejta nga puna të punonjësve. “U identifikuan problematika në administrimin e burimeve njerëzore kryesisht me largimet e padrejta nga puna”, nënvizoi ai. Nga ana tjetër, përtej shëndetësisë, Kontrolli i Lartë i Shtetit po kryen auditime të thelluara për kompaninë Bankers Petroleum, sa i takon shlyerjes së detyrimeve dhe investimeve të bëra ndër vite prej saj, si dhe po auditohet koncesioni Thumanë Kashar, me ndihmë edhe të ndërkombëtarëve.