Category: Kulturë

  • Pse kemi aq shumë nevojë të komunikojmë edhe me të panjohurit?

    Pse kemi aq shumë nevojë të komunikojmë edhe me të panjohurit?

    Shumë nga ne i shmangen bisedave me të panjohurit, duke menduar se ky lloj ndërveprimi është i vështirë dhe i padëshiruar nga të dyja palët. Por sikur ta kemi gabim? Një studim i ri, sugjeron se dëshira për të biseduar për gjëra konfidenciale me njerëz të panjohur, është në fakt një ndjenjë e zakonshme.

    Pra herën tjetër që ju qëllon të flisni me dikë që nuk e njihni, nuk duhet të supozoni se domosdoshmërisht duhet t’i përmbaheni një bisede sipërfaqësore. Ekziston një shans i mirë që personi me të cilin jeni duke folur të jetë i lumtur që të ndajë me ju disa nga aspektet më personale të jetës së tij, siç mund të jeni edhe ju me të.

    Studiuesit kryen 12 eksperimente të ndryshme, që përfshinë më shumë se 1.800 individë për të parë qëndrimin e njerëzve ndaj bisedave dhe kontakteve, me pjesëmarrës që përfshinin studentë, drejtues biznesi dhe vullnetarë të rekrutuar në internet.

    “Lidhja me të tjerët në mënyra kuptimplote, tenton që t’i bëjë njerëzit më të lumtur. Por njerëzit ngurrojnë që të përfshihen në biseda më të thella dhe më kuptimplota me të panjohurit”-thotë shkencëtari i sjelljes Nikolas Eplej nga Shkolla e Biznesit në Universitetin e Çikagos.

    “Pra ky paradoks social na bëri shumë përshtypje: Nëse lidhja me të tjerët në mënyra të thella dhe kuptimplota rrit mirëqenien, atëherë pse njerëzit nuk e bëjnë atë më shpesh në jetën e përditshme?”- pyet Eplej. Përgjigja e shkurtër sipas Eplej dhe kolegëve të tij është “pritshmëria e gabuar”.

    Studimi tregoi se bisedat e thella apo sipërfaqësore me të panjohurit përfunduan duke çuar në ndjenja më të mëdha të lidhjes dhe kënaqësisë sesa pritej fillimisht. Atyre që morën pjesë në studim iu kërkua të shkruanin temat e tyre të bisedës, ose iu dhanë disa pyetje për të diskutuar.

    Kërkesat përfshinin një larmi të madhe të të dyja subjekteve, nga ato të thella në ato banale. Pra gjithçka nga “A mund ta përshkruani një moment kur keni qarë para një personi tjetër?”. tek “Çfarë mendoni për motin sot?”. Përgjatë të gjitha eksperimenteve, bisedat me të panjohurit ishin më pak të vështira dhe më përmbushëse nga sa pritej nga pjesëmarrësit.

    Kjo ishte veçanërisht e vërtetë për bisedat e thella, të cilat krijuan ndjenja më të mëdha të lidhjes në krahasim me bisedat mbi tema më pak të rëndësishme. Në përgjithësi, partnerët e bisedës kujdeseshin më shumë për zbulimet e tyre personale sesa priste personi tjetër. Po ashtu studimi vëzhgoi bisedat me familjen dhe miqtë, duke treguar se këtu pritshmëritë e kujdesit dhe interesit janë më të sakta.

    “Qeniet njerëzore janë shumë sociale, ndaj kanë tendencë që të nisin një bisedë me dikë. Në rast se ndani me dikë diçka kuptimplotë dhe të rëndësishme, ka të ngjarë që të merrni në këmbim diçka kuptimplotë dhe të rëndësishme, duke çuar në një bisedë dukshëm më cilësore”- thotë Eplej.

    Se çfarë do të thotë e gjitha kjo për ju, herën tjetër kur të uleni pranë një të panjohuri në autobus, është fakti se një bisedë e thellë mund të jetë më shpërblyese sesa mendoni, dhe se personi ngjitur me ju mund të jetë më i interesuar për atë që keni për t’i thënë sesa mund ta prisni.

    Sigurisht që ky është një përgjithësim, i bazuar tek eksperimentet me më pak se 2.000 njerëz, ndaj ju ende mund të prisni një reagim të ftohtë nga një i panjohur në autobus. Por në përgjithësi, si qenie njerëzore ne duket se kemi më shumë seç duhet frikë nga bisedat kuptimplota dhe të thella.

    Ka shumë prova se bisedat më të thella çojnë në një lumturi dhe mirëqenie më të madhe, dhe në një qasje më optimiste ndaj tyre mund të sjellë përfitime, pra si për ju ashtu edhe për personin me të cilin po bisedoni. Pasi edhe këta të fundit mund të jenë po aq të etur për t’u hapur sa edhe ju.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    SI U BË ENDACAKU MASHTRUES PËR 5 DITË MBRET I SHQIPËRISË/ A E DINI KUSH ISHTE OTTO WITTE?

  • Flamenko spanjolle në “Recóndito”, muzika dhe vallëzimi takohen në një performancë nga Lucía “La Bronce”

    Flamenko spanjolle në “Recóndito”, muzika dhe vallëzimi takohen në një performancë nga Lucía “La Bronce”

    Flamenko spanjolle  këtë mbrëmje në Tiranë në “Recóndito”, ku muzika dhe vallëzimi takohen në një performancë nga Lucía “La Bronce”. Java Kulturore Spanjolle sjell në skenë balerina andaluziane, anëtare e përhershme e Ballet Flamenco de Andalucía . Koncerti do të zhvillohet në Katedralen Ortodokse. Një udhëtim artistik ku pasioni, muzika dhe vallëzimi takohen në një performancë që nuk duhet humbur. “Lucía La Bronce sjell në skenë flakën dhe shpirtin e vërtetë të flamenkos me shfaqjen “Recóndito”! Një performancë e ndjeshme dhe plot forcë, ku kërcimi, këndimi, kitara dhe perkusioni ndërthuren në mënyrë të përsosur për të rikthyer thelbin e emocioneve të flamengos”, thuhet rreth koncertit në Tiranë këtë mbrëmje të datës 3 nëntor.
    Balerina andaluziane, anëtare e përhershme e Ballet Flamenco de Andalucía, është vlerësuar në Spanjë me çmime prestigjioze, përfshirë Konkursin Kombëtar të Artit të Flamenkos në Kordoba (2023), Konkursin e Vallëzimit Manolo Soler (2020) dhe Alegrías de Cádiz (2023). “Recóndito” është një përjetim intim, autentik dhe elegant, një udhëtim emocional që e çon publikun drejt zemrës së flamengos. Java Kulturore e Spanjës hapet sot për të vijuar dhe me aktivitete të tjera deri më datën 7 nëntor. Kjo javë kulturore është në vijim të Javëve Kulturore Ndërkombëtare në vendin tonë, që po vijojnë me aktivitete të ndryshme, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit.

  • Adrian Devolli: Nga Ministria e Kulturës të thuhet çfarë është bërë deri tani për artin dhe kulturën, pastaj çfarë…

    Adrian Devolli: Nga Ministria e Kulturës të thuhet çfarë është bërë deri tani për artin dhe kulturën, pastaj çfarë…

    Hartimi i Strategjisë së re Kombëtare të Kulturës 2026-2030  ishte në qendër të forumit të mbajtur disa ditë më parë, që bëri bashkë artistë e përfaqësues të institucioneve. Piktori Adrian Devolli, i cili shpreh kritika në drejtim të politikave institucionale thotë se Ministria e Kulturës duhet të thotë çfarë është bërë deri tani për artin dhe kulturën, ndërsa rendit një sërë problemesh në fushën e artit pamor, duke nisur që nga hapësirat e pakta ekspozuese në Tiranë.
    Në intervistën për gazetën “SOT” piktori i njohur Adrian Devolli thotë se flitet për strategjinë e re për kulturën, por në Tiranë Galeria Kombëtare e Arteve vazhdon të jetë e mbyllur për shkak të punimeve, ndërsa nuk ka sot edhe një muze etnografik. Piktori Adrian Devolli sjell në vëmendje edhe mungesën e një ekspozite arti kombëtare, ndërsa thotë se për të hapur ekspozita artistët përballen me qera të shtrenjta për sallat. Por sa i takon aktivitetit artistik me ekspozitat e grupimit “Muri”, piktori thotë se ekspozita e radhës do të jetë në majin dhjetor në Vlorë, sërish nuk do të jetë në Tiranë, ku shkak janë dhe hapësirat e pakta ekspozuese.
    -Hartimi i Strategjisë së re Kombëtare të Kulturës 2026-2030  ishte në qendër të forumit të mbajtur më parë në mjediset e ish-Kinostudios, ku ishte i pranishëm ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja, artistë e përfaqësues të institucioneve. Siç u bë me dije strategjia e re synon të fuqizojë institucionet kulturore, të mbështesë artistët dhe skenën e pavarur, të investojë në infrastrukturën kulturore, etj. Ju si piktor, çfarë mund të na thoni, pasi herë pas here keni sjellë në vëmendje problemet me të cilat përballet arti dhe kultura në vendin tonë, ndërsa keni shprehur më parë kritika në drejtim të Ministrisë së Kulturës për politikat që janë ndjekur?
    Politika shqiptare flet gjithmonë në kohën e ardhme, pra do të bëhet. Nuk flasin në kohën prezente. Nga Ministria e Kulturës duhet të thuhet çfarë është bërë deri tani, pastaj të kalohet tek faza tjetër, çfarë do të bëhet. Kam parë më parë nga zyrtarë të ministrisë së Kulturës që kanë folur edhe për Galerinë Kombëtare të Arteve, ku ende po vijojnë punimet, por kjo është detyrë e një shteti normal, nuk është ndonjë gjë se po ndodh diçka e madhe. Galeria e artit në të gjithë botën është një institucion i domosdoshëm i një vendi. Unë kam qenë në fshatrat e Kalabrisë te arbëreshët, dhe atje çdo fshat në mal kishte muzeun e vet etnografik.
    Por ne kemi këtu një shtet, që nuk ka ende një muze etnografik kombëtar, ndërkohë që as Tirana nuk ka një muze etnografik, por thonë projekti i Muzeut të Artit dhe Trashëgimisë Islame, që do të ngrihet në godinën e Sarajeve në Tiranë. Ministri i Kulturës Blendi Gonxhja, si fillim duhet të thotë çfarë është bërë nga ai për artin dhe kulturën dhe nga paraardhësit e tij, sepse mund të thotë dhe që nuk ka qenë ai më parë, por partia e tij është. Strategjia kombëtare e kulturës duhet të ketë synim ngritjen e një infrastrukture të qëndrueshme ligjore, e cila përfshin politikat zhvillimore të artit dhe kulturës në rang kombëtar. Por çfarë ka bërë ministria për artin, kulturën dhe për trashëgiminë kulturore në vend? Si është shpëtuar trashëgimia dhe çfarë nuk është bërë? Kjo është në fillim, sepse çfarë do të bëhet thuhen pesë fjalë dhe vijon me do të bëhet.

    -Ju si piktor apo edhe të tjerë artisë e studiues të ndryshëm e keni sjellë herë pas here në vëmendje mungesën e një muzeu etnografik të Tiranës. Sipas jush si ndikon kjo, pasi Tirana ka dhe të tjerë institucione arti që po vijojnë mbyllur?
    Tirana nuk ka muze etnografik, por Muzeu Historik Kombëtar vazhdon të jetë i mbyllur për shkak të një projekti restaurimi dhe rimuzealizimi siç është bërë me dije. Edhe Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë vijon mbyllur, sepse është ende në punime dhe u bë disa vite, por është problem dhe mungesa e një muze etnografik në Tiranë. Muzeu Etnografik është identitet kombi. Kur nuk paraqitesh me identitet kombi dhe thua do bëj një muze tjetër është puna e tyre, por duhet të ishte prioritar projekti për muzeun etnografik të Tiranës.
    -Herë pas here keni shprehur shqetësimin për mungesën e sallave të galerive në Tiranë, ndërsa një pjesë e mirë e artistëve i janë drejtuar edhe galerisë FAB pranë Universitetit të Arteve për ekspozitat e tyre, e cila vijon dhe programin me aktivitetin e studentëve apo pedagogëve të artit. Ju gjithashtu dhe të tjerë piktorë keni sjellë në vëmendje edhe problemin me mungesën e një ekspozite kombëtare organizuar nga institucionet, çfarë ka sjellë kjo?
    Galeria FAB ka rritur qeranë. Politika sot është që të mos bëhet asgjë. Pse e them këtë? Sepse artistët janë pjesa më vunerabël, më e brishtë e shoqërisë, që punojnë, janë Don Kishotë e kam përmendur dhe më parë në intervistat e mia. Janë njerëz, të cilët kanë një ëndërr dhe duan të realizojnë ëndrrën e tyre dhe kjo është pasuria më e madhe kombëtare. Por galeria FAB e çoi qeranë ditore 10 mijë lekë të reja. Pra për të ekspozuar një artis aty dhjetë ditë është shumë për kushtet sot.
    Do të bëhet ekspozita e grupit të artistëve “Nëntori”, ku bëj pjesë dhe unë dhe çdo njeri duhet të paguajë nga 4 mijë lekë të reja. Një njeri i vetëm nuk mund ta përballojë dot qeranë. Tek ne nuk bëjnë asnjë veprim për stimulimin e artit në vendin tonë. Ne flasim për artin pamor, kur ende nga institucionet nuk ka një ekspozitë kombëtare. Kjo është domosdoshmëri, sepse arti zhvillohet përmes përplasjes së ideve, nëpërmjet konkurrimit. E para është kritika, e dyta në mungesë të kritikës është ekspozita e përbashkët, ku njerëzit përplasin vlerat. Ndaj unë e quaj domosdoshmëri organizimin e një ekspozite arti kombëtare.
     – Ekspozita e artistëve të grupimit “Muri” vazhdon rrugëtimin e saj me piktura, skulptura, karikatura dhe punime në qeramikë. Ju hapët më parë në stinën e verës me artistët e grupit “Muri” një ekspozitë në galerinë e Beratit, ndërkohë e radhës kur pritet të jetë këtë vit dhe a do të jetë sërish larg Tiranës?
    Ekspozitën e dytë këtë vit artistët e grupimit “Muri do ta hapin në qytetin e Vlorës. Arsyeja është që nuk e hapim ekspozitën në Tiranë dhe për shkak të mungesës së sallave për ekspozita. Gjithë këta artistë profesionistë që ka ky grupim duhet të shkojnë të hapin ekspozitë në galerinë e Vlorës, siç kemi qenë më parë dhe në galerinë  e Fierit, galerinë e Beratit, etj. Ekspozita e dytë e grupimit të artistëve “Muri” do të hapet në muajin e fundit të vitit me datë 20 në galerinë e qytetit të Vlorës dhe do të vijojë deri më 30 dhjetor 2025.
    – Kanë kaluar 60 vite që nga themelimi i Institutit të Monumenteve të Kulturës, sot Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Një konferencë ndërkombëtare u zhvillua në muajin tetor në Tiranë për themelimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës. Ju nga viti 1979 deri më 1987 keni qenë restaurator pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës. Por herë pas here në reagimet tuaja keni shprehur vërejtje në drejtim të institucioneve për trashëgiminë kulturore. Si e shikoni sot IKTK?
    Çfarë ka bërë ky institut për sektorin, që kam mbuluar unë? Sa kisha në vend janë konservuar, pasi kjo është e rëndësishme. Çfarë botimesh janë bërë për gjithë këtë trashëgimi, për afreskun, ikonostasin, ikonat? Ka bërë studiuesi Ylli Drishti një botim, por është në nivel personal, unë po them në nivel shtetëror. Ne këtu kemi kisha objekt monument kulture, që kanë vlera të jashtëzakonshme dhe nuk dalin në pah. IKTK sot nuk ka më as specialistë si dukur?  Sa restauratorë ka Instituti i Monumenteve sot IKTK? Kush është plani i IKTK për një vit? Ku janë ndërhyrjet e tyre? IKTK u reduktua në pak veta. IKTK nuk ka atë predispozitë pune që ka pasur, sepse nuk ka më njerëz si dikur për këtë punë.

    Intervistoi: Julia Vrapi
     

  • Lini, “Ansambël Arkitektonik”/ Fshati turistik i Pogradecit merr statusin e veçantë, mbrojtje jo vetëm nga UNESCO

    Lini, “Ansambël Arkitektonik”/ Fshati turistik i Pogradecit merr statusin e veçantë, mbrojtje jo vetëm nga UNESCO

    Fshati turistik i Linit, trashëgimia e tij kulturore dhe historike pas vendimit për t’i dhënë statusin “Ansambël Arkitektonik” kthehet në një zonë me mbrojtje të plotë, jo vetëm nga UNESCO, por edhe nga legjislacioni vendas, përmes një kuadri të posaçëm që garanton ruajtjen e banesave tradicionale të fshatit.

    Banesat karakteristike të Linit, të ndërtuara kryesisht me gur në shekujt XVIII dhe XIX, përbëjnë një pasuri të rrallë për zonën e liqenit të Pogradecit, me elemente arkitekturore që nuk gjenden në fshatrat e tjerë përreth.
    Sipas arkeologes Froseda Tola ky status i ri do të thotë se çdo ndërhyrje apo ndërtim në Lin duhet të kryhet në përputhje të plotë me rregullat për ruajtjen e trashëgimisë arkitektonike dhe historike.
    Kjo nismë hap rrugën për projekte të reja në fshat dhe në zonat përreth, ku janë zbuluar mbetje arkeologjike të periudhës prehistorike dhe mozaikë të rrallë të krishterë. Këto zbulime, së bashku me ruajtjen e arkitekturës tradicionale, pritet të pasurojnë ofertën turistike dhe kulturore të gjithë rajonit të Pogradecit, duke e kthyer Linin në një nga destinacionet më të veçanta të trashëgimisë shqiptare.

    Top Channel

  • Konferencë shkencore për muzikën/ Edukimi dhe e drejta e autorit në fokus të diskutimit në Akademinë e Shkencave

    Konferencë shkencore për muzikën/ Edukimi dhe e drejta e autorit në fokus të diskutimit në Akademinë e Shkencave

    Roli i muzikës shqiptare si krijimtari, interpretim dhe edukim ishte në fokus në një konference shkencore mbarëkombëtare që u mbajt në Akademinë e Shkencave, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve artistike e muzikore nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

    Në përfundim të punimeve, pjesëmarrësit dolën me disa rekomandime ndaj institucioneve publike të ngarkuara me ligj, përfshirë mbështetjen e mëtejshme e krijimeve dhe interpretimeve muzikore kombëtare.
    “Krijuesit shqiptarë, kompozitorët, nuk kanë një mundësi reale ku të aplikojnë për të gjetur mbështetje për të shkruar një vepër, qofshin opera, balete apo simfoni. Çështja e një fondi të krijimtarisë së re, është një nga çështjet që ka shqetësuar gjithë këto vitet artistëtë. Sepse kjo ndikon jo thjesht në numrin e veprave, por ndikon në shkëputjen e marrëdhënieve të publikut me krijimtarinë muzikore shqiptare, është gjuha e kohës që jetojmë”, shprehet Vaso Tole.
    Zëvendës/kryetari i Akademisë së Shkencave vuri theksin te ligji për pagesën e cilësisë artistike.
    “Prej 15 vitesh, ka disa detyrime të paplotësuara nga ligji për artin, është një detyrim që duhet të plotësohet nga Këshilli i Ministrave, që lidhet me ‘pagesën e cilësisë artistike’. Pra, duhet të ketë një dysheme të shpërblimit të cilësisë artistike për të gjitha nivelet e atyre që merren me art. Nuk janë më shumë se 300 krijues, interpretues janë më shumë”, shton ai.
    Akademikët kërkuan rishikimin e modeleve pedagogjike të mësimdhënies dhe modernizimin e kurrikulave muzikore përmes integrimit të teknologjisë digjitale dhe zhvillimit të kompetencave bashkëkohore për interpretuesit dhe mësuesit.
    “Në 2013, nga dy orë mësim në javë që bënin të gjitha shkollat, u bë një orë në javë. Që këtu ka filluar një ngërç, sepse një mësues nuk mund të rrijë në një shkollë me 5 orë, duhet të ketë 20 orë në javë, ku do t’i plotësojë këto orë. Dhe ka ndodhur që mësim muzike ka dhënë edhe mësuesi i gjeografisë”, thotë Arben Llozi.
    “Në shkollat tonë, të ketë një repertor të përzgjedhur të krijimtarisë sonë, tradita e fuqishme duhet të reflektohet”, shton Vaso Tole.
    Konferenca solli në vëmendje edhe nevojën për hartimin e një strategjie kombëtare me fokus të veçantë te muzika
    “Në Shqipëri, 1 në 5900 banorë studion muzikë, vendi më i dobët në Europë është 1 me 150. Por, nëse shkojmë që te Platoni, Ciceroni e me radhë, muzikën e cilësojnë thelbësore. Tani, në të gjithë botën, është bërë pjesë e programeve të studimit muzikoterapia, është vënë re ndikimi i madh që ka muzika te terapia”, thekson Arben Llozi.
    Ruajtja dhe digjitalizimi i trashëgimisë muzikore kombëtare mbetet sfidë për të institucionet përgjegjëse, ashtu sikurse garantimi i të drejtës së autorit.
     

    Top Channel

  • Vdekja dhe panteoni moral virtual

    Vdekja dhe panteoni moral virtual

    Nga Ben Andoni
    Vdekja e ish-kryeministrit shqiptar Fatos Nano ka sjellë në një linjë të gjatë homazhesh njerëz pa fund të thjeshtë, kolegë, të afërm, politikanë të dy krahëve dhe diplomatë. Në një linjë protokolli të kuruar, shteti shqiptar, sidomos Ekzekutivi i z. Rama dhe njerëzit përgjegjës, kanë treguar në nderimin funebër të këtij lloji, ashtu si edhe në samite ndërkombëtare shumë klas në organizime. Por, kur vjen puna për momentin e vendprehjes së përjetshme, ku trashëgimia e shtetit është e shtresëzuar dhe mbart organizime të strukturave në kohë të ndryshme, atëherë puna çalon. Personalitetet shqiptare, sidomos ato pas viteve ’90, janë të shpërndarë në qytete dhe parcela të ndryshme në hapësira funebre që duhet thënë se në vendin tonë nuk i shkojnë si duhet asaj që ne mendojmë dhe dëshirojmë për respektin publik. Është momenti për një Panteon, por më shumë një hapësirë dedikuar individëve të shquar dhe, kjo kërkesë e stërpërsëritur, gjithnjë ngre krye në momentet kur kemi vdekje të personaliteteve të fushave të ndryshme dhe ku pyetja e natyrshme që lind është: Ku do të prehet?!
    Një Panteon apo më saktë “vend i nderuar” përbën një hapësirë të spikatur në një varrezë civile, e cila jo thjesht ofron hapësirën e nevojshme dhe të respektuar për të ndjerin, por krijon një parametër ngushëllimi dhe qetësie për të afërmit dhe miqtë. Ai vend shërben edhe si një pjesë që mund të ndihmojë trashëgiminë historike dhe kulturore, por si edhe një vend evokimi, ku bashkëkohësit shikojnë dhe përsiasin për destinin natyral të çdo individi. Nga ana tjetër, mirëmbajtja e kësaj hapësire prej bashkëkohësve, në kohë, pushtete dhe periudha të ndryshme tregon cilësinë e aspektit moral të një shoqërie dhe respektin ndaj historisë së saj. Dhe, më shumë akoma, shërbejnë dhe si një muze i hapur, ku arkitektura, historia dhe sublimiteti të mësojnë dhe të grishin për të gjykuar dhe medituar.
    Shqipëria e ka një të tillë por që është jashtëzakonisht i pa kuruar dhe tejet konfuz në kodrat e Liqenit Artificial, ku në pak metra katror prehen vëllezërit Frashëri, Faik Konica, Mit’hat Frashëri, ushtarët britanikë të rënë në kohën e Luftës së Dytë Botërore dhe pak më tutje, armiqtë e tyre të betuar ushtarët e rënë në Shqipëri të Wermaht-it. Paradokse të imagjinueshme, por që i bashkon një e vërtetë e madhe: Destini është natyror, një dhe i vetëm dhe quhet “Vdekje”.
    Mirëkuptimi për një Panteon i të gjithë figurave në vend, si edhe caktimi i një zone specifike, e cila është e respektuar dhe e mirëmbajtur, jo thjesht i jep dinjitet kujtimit të të ndjerit por përbën edhe një aspekt themelor të shumë traditave kulturore dhe fetare. Deri më tani, ne e kemi bërë deridiku me Varrezat e monarkëve dhe të Dëshmorëve, por jo personaliteteve që kanë përjetuar me ne dhe kontributi i të cilëve është i prekshëm dhe ka ndihur aq shumë mbi shoqërinë.
    Vdekja e Nanos dhe ceremonia e tij, megjithëse jashtëzakonisht e kuruar, i mungon ai momenti i prehjes, post-mortuam, atë që na bën ta kujtojmë pafundësisht jo thjesht të ndjerin, por një kohë të tërë, e cila nuk do të kthehet më. Është apeluar vazhdimisht se një panteon apo një vend nderimi përbën një burim historike të paçmuar, pasi na ofron lirisht edhe njohuri të tjera mbi zakonet shoqërore të së kaluarës (përmes evokimit të figurave), si edhe aspekte nga ngjarjet dhe jeta e njerëzve që ndërtuan komunitetin tonë. E në rast se mbishkrimet në gurët e varreve dhe dizajnet e monumenteve bëhen si duhen, ato përshfaqin dhe një lloj respekti për historinë dhe prejardhjen e individëve dhe kohët që përfaqësuan. (Javanews)
     
     
     

  • Ekspozitë kostumografike në Korçë, “Na ishte dikur” sjell veshjet tradicionale të juglindjes

    Ekspozitë kostumografike në Korçë, “Na ishte dikur” sjell veshjet tradicionale të juglindjes

    Në qytetin e Korçës është çelur ekspozita kostumografike “Na ishte dikur”, nisma e dytë artistike e Lirika Pojanit, realizuar në bashkëpunim me Vasil Mihon. Përmes butaforisë dhe punës së kujdesshme artizanale, autorët kanë sjellë në jetë figurat historike të Themistokli Gërmenjit dhe komandantit francez që shpalli Korçën krahinë autonome, duke e ndërthurur historinë me elementet e pasura të veshjeve tradicionale të juglindjes shqiptare.
    Nëpërmjet kësaj ekspozite, vizitorët udhëtojnë ndër shekuj për të zbuluar larminë e kostumeve të komuniteteve maqedonase, rome, si edhe të figurave të njohura të teatrit e muzikës korçare, që kanë lënë gjurmë në kujtesën kulturore të qytetit.
    Më shumë se 25 kostume autentike përfaqësojnë trashëgiminë dhe identitetin e trevave juglindore, ndërsa qëllimi i Pojanit mbetet i qartë: ruajtja dhe përcjellja e traditës së veshjeve popullore shqiptare tek brezat e rinj.

    Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun edhe gjatë javës së ardhshme, duke ftuar çdo vizitor të prekë nga afër hijeshinë e historisë së dikurshme./vizionplus.tv

  • “Përtej Horizontit” në Korçë, shfaqja mirëpritet nga publiku në teatrin “Andon Zako Çajupi”

    “Përtej Horizontit” në Korçë, shfaqja mirëpritet nga publiku në teatrin “Andon Zako Çajupi”

    Në skenën e Teatrit “Andon Zako Çajupi” u shfaq mbrëmjen e së shtunës premiera e dramës “Përtej Horizontit” të Eugene O’Neill, e sjellë në shqip nga regjisori Silvio Goskova. Vepra ngjalli emocione të forta tek publiku, duke reflektuar mbi ëndrrat, dashurinë, fatin dhe kufijtë e zgjedhjeve njerëzore.
    Për regjisorin e shfaqjes kjo dramë është një udhëtim i brendshëm që prek çdokënd, sepse flet për atë që humbasim teksa ndjekim ëndrrat tona. Është një thirrje për të parë përtej vetes, përtej horizontit të zakonshëm.
    Emocionet pas shfaqjes i kanë ndarë edhe disa nga aktorët, të cilët kanë vlerësuar bashkëpunimin me regjisorin dhe pritjen e publikut korçar.

    “Përtej Horizontit” do të vijojë të shfaqet edhe përgjatë kësaj të diele, duke ftuar publikun të përjetojë një vepër të rrallë mbi natyrën njerëzore dhe fatin që s’mund të shmanget./vizionplus.tv

  • “Kur po xhirohej një film” me regji nga Xhanfise Keko në “Netët e filmit shqiptar” në Prishtinë

    “Kur po xhirohej një film” me regji nga Xhanfise Keko në “Netët e filmit shqiptar” në Prishtinë

    Filmi artistik “Kur po xhirohej një film” i vitit 1981 do të shfaqet në Prishtinë në “Netët e filmit shqiptar”. Filmi artistik i regjisores së njohur shqiptare Xhanfise Keko do të shfaqet më 3 nëntor në Kimo Armata. Aktiviteti “Netët e filmit shqiptar” organizohet nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit dhe Kino Armata, dhe do të vijojë dhe këtë muaj nëntori. Programi sjell një përzgjedhje të veçantë filmash nga autorë të mirënjohur të kinemasë shqiptare, të cilët do të shfaqen si për nxënësit e shkollave, ashtu edhe për publikun e gjerë filmdashës. “Kur xhirohej një film” është një film shqiptar i vitit 1981, i prodhuar nga Kinostudioja “Shqipëria e Re”.
    Me regjinë e Xhanfise Kekos, dhe prodhuar nga ajo dhe autores për fëmijë Shpresa Vreto, filmi trajton një temë të rëndësishme sociale në lidhje me familjen. Viktor Zhusti, Violeta Dede , Sokol Angjeli, Gentian Basha, Bledar Islami, Marjeta Ljarja, Elvis Meçe, Zhani Ziçishti janë disa prej aktorëve në role. Xhanfise Keko është një nga themelueset e Kinostudio “Shqipëria e Re” (sot “Albafilm”) dhe ka realizuar mbi 25 filma dokumentarë dhe artistikë midis viteve 1952 dhe 1984.  Keko është veçanërisht e njohur për filmat e saj, ku personazhet kryesore janë fëmijët dhe ku ka krijuar portretizime realiste të përsosura, filma të cilët ndërthurin përmbajtje edukative me cilësi artistike.

  • Egjipti, “rikthim” te faraonët me një muze unik

    Egjipti, “rikthim” te faraonët me një muze unik

    Inaugurimi zyrtar i Muzeut të Madh Egjiptian u zhvillua të shtunën në Giza, duke shënuar hapjen e muzeut më të madh arkeologjik në botë – një pikë referimi kulturor që tregon më shumë se 7,000 viteve histori.
    Inaugurimi u mbajt nën presidencën e Abdel Fattah al-Sisi, në prani të krerëve të shteteve dhe personaliteteve. Midis tyre ishin Presidenti palestinez Mahmoud Abbas, Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe Princi i Kurorës së Omanit, Princi Sayyed Thayazin bin Haitham al-Said.
    Udhëheqësit, të shoqëruar nga zonja e parë e Egjiptit, Edishar Mohamed Amer, u fotografuan përpara fasadës dalluese prej xhami të muzeut. Pamjet mbresëlënëse ajrore nxorën në pah madhështinë e kompleksit të ri, i cili dominon skajin e shkretëtirës, ​​me piramidat e Gizës në sfond.

    “Po shkruajmë një kapitull të ri në historinë e së tashmes dhe të së ardhmes, në emër të këtij atdheu të lashtë”, tha kreu i shtetit nga oborri i madh i muzeut kushtuar qytetërimit faraonik, ku autoritetet organizuan një spektakël spektakolar.
    Hapja e muzeut shënon përfundimin e një projekti që u deshën gati tre dekada për t’u realizuar. Ideja fillestare u prezantua në vitin 1992, ndërsa punimet e ndërtimit filluan në vitin 2005, por u shtynë vazhdimisht për shkak të vështirësive financiare, paqëndrueshmërisë politike pas kryengritjes së vitit 2011 dhe pandemisë.
    Muzeu i Madh Egjiptian (GEM) synon të jetë një pikë referimi për trashëgiminë kulturore botërore, duke bashkuar dhjetëra mijëra ekspozita nga të gjitha periudhat e historisë egjiptiane, vetëm disa qindra metra nga mrekullia e fundit që ka mbijetuar e botës së lashtë.

    Grand Egyptian Museum Inaugurated in Giza #2 0111025 pic.twitter.com/5xBB31ILeG
    — john l (@Maeestro) November 1, 2025

    Muzeu më i madh arkeologjik i ndërtuar ndonjëherë
    Me një sipërfaqe prej 500,000 metrash katrorë, Muzeu i Madh Egjiptian sot konsiderohet muzeu më i madh arkeologjik i dedikuar një qytetërimi të vetëm. 100,000 ekspozitat e tij mbulojnë shtatë mijëvjeçarë të historisë egjiptiane, nga periudha prehistorike deri në epokën greke dhe romake.
    Në hyrje të muzeut, vizitorët përshëndeten nga statuja kolosale 11 metra e lartë e Faraonit Ramses II, e cila u zhvendos nga Sheshi Ramses i Kajros në vitin 2006. Një obelisk lundrues 16 metra i lartë i dedikuar të njëjtit Faraon dhe një varkë funerare prej druri 4,500-vjeçare që i përkiste mbretit Keops janë disa nga ekspozitat qendrore të muzeut.
    Atriumi qendror përmban një shkallë monumentale me statuja të sundimtarëve të lashtë egjiptianë, që të çojnë lart në një dritare të madhe me një pamje panoramike të Piramidave të Gizës.

    Koleksioni i Tutankhamunit në ekspozitë të plotë
    Një nga atraksionet kryesore është ekspozita e plotë e thesareve nga varri i mbretit të ri Tutankhamun. Për herë të parë që nga zbulimi nga arkeologu britanik Howard Carter në vitin 1922, i gjithë koleksioni prej më shumë se 5,000 objektesh është në ekspozitë së bashku. Ekspozita përfshin maskën e artë të varrimit të faraonit, fronin e zbukuruar, qerret, bizhuteritë dhe armët ceremoniale.
    Konservatorët egjiptianë të muzeut kanë restauruar qindra objekte të Tutankhamunit, disa prej të cilave janë bërë nga materiale të brishta si pëlhura dhe lëkurë, dhe po ia paraqesin ato publikut për herë të parë në më shumë se një shekull.

    𓄂𓆃 On November 1st at 6 PM (Cairo time), the Grand Opening of the Grand Egyptian Museum goes LIVE on TikTok 🇪🇬
    It’s not just an event, it’s history happening in front of your eyes.
    Be there. Watch it. Feel the pride.#GrandEgyptianMuseum #GEM #Egypt #المتحف_المصري_الكبير pic.twitter.com/TVOgUmjuQ9
    — ♡⃕ ꪔ̤̥ (@MenoMzz9) October 30, 2025

    Vizioni dhe dizajni arkitektonik
    I projektuar nga Heneghan Peng Architects me seli në Dublin, Muzeu i Madh Egjiptian kombinon dizajnin inovativ me një referencë vizuale ndaj Egjiptit të lashtë. Hyrja piramidale, fasadat prej alabastri të gdhendura me hieroglife dhe sallat e gjera të ekspozitës përcjellin si shkallën ashtu edhe simbolikën e muzeut.
    Brenda, ndriçimi i avancuar, ajri i kondicionuar dhe pajisjet e realitetit virtual po ripërcaktojnë mënyrën se si ekspozohen artefaktet e lashta. Shumica e galerive janë hapur pjesërisht për publikun vitet e fundit, duke u lejuar egjiptologëve dhe vizitorëve të shohin paraprakisht shkallën dhe ambicjen e muzeut.

    Një simbol i krenarisë kombëtare dhe ambicies së ardhshme
    Me një kosto të vlerësuar prej 1.2 miliardë dollarësh, muzeu është një nga investimet më të mëdha kulturore në historinë moderne të Egjiptit. Autoritetet presin që ai të tërheqë deri në 8 milionë vizitorë në vit, duke e bërë atë një qendër të re globale për arkeologjinë, kërkimin dhe turizmin.
    Qeveria egjiptiane e sheh projektin si pjesë të një strategjie më të gjerë për të ringjallur sektorin e turizmit, një burim kyç i këmbimit të huaj për importet kryesore si gruri dhe karburanti. Rrugët përreth Gizës janë përmirësuar, një aeroport i ri është ndërtuar afër dhe hyrja kryesore e piramidave është zhvendosur për të përmirësuar aksesin dhe për të zvogëluar trafikun.

    Për egjiptologët dhe qytetarët njësoj, Muzeu i Madh Egjiptian përfaqëson më shumë sesa thjesht një arritje arkitekturore. Është një deklaratë e vetëbesimit kulturor, që lidh madhështinë e faraonëve me identitetin dhe aspiratat moderne të Egjiptit. /tesheshi.com/