Category: Kulturë

  • Harresa e njërit nga heronjtë më të mëdhenj  të Shqipërisë Etnike

    Harresa e njërit nga heronjtë më të mëdhenj të Shqipërisë Etnike

    Fatmir M. Shatri

    Sot bëhen 38 vjet nga vdekja e Salih Shatrit, njërit ndër figurat më të ndritura të rezistencës shqiptare kundër terrorit serb pas Luftës së Dytë Botërore. Ai lindi në Tomoc të Istogut dhe si nxënës i Normales së Gjakovës, në vitin 1948 u detyrua të arratisej në Shqipëri bashkë me disa shokë, për t’i shpëtuar arrestimit nga regjimi famëkeq i Aleksandër Rankoviqit. Në Tiranë, Salih Shatri u përfshi menjëherë në radhët e njësive komando shqiptare, duke u bërë një prej udhëheqësve të tyre më të guximshëm. Ai mori pjesë në dhjetëra aksione të suksesshme kundër personelit serb që ushtronte dhunë, masakra dhe tortura mbi shqiptarët në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Ideali i tij ishte i qartë dhe i pandryshueshëm,pra bashkimi i trojeve shqiptare në një shtet të vetëm, në Shqipërinë Etnike. Për këtë qëllim ai jetoi, luftoi dhe vdiq, duke mbetur deri në fund besnik ndaj betimit për atdheun.

    T’i shohim në vijim këto pika:
    I) Një hero i harruar nga dy shtetet shqiptare- Edhe pse veprimtaria e Salih Shatrit është pjesë e historisë më të lavdishme të qëndresës shqiptare pas vitit 1945, as shteti i Shqipërisë dhe as ai i Kosovës nuk kanë bërë asgjë për ta përjetësuar emrin e tij. Asnjë përmendore, asnjë rrugë, asnjë shkollë nuk mban emrin e tij. As Presidenca e Shqipërisë dhe as Presidenca e Kosovës nuk e kanë shpallur Hero Kombëtar, megjithëse ai ka luftuar për idealet më të larta të kombit. Në librat shkollorë të historisë, nuk gjendet asnjë rresht për të. Emri i tij përmendet vetëm në një këngë folklorike të kënduar nga rapsodët Brati-Kastrati, dhe në një shkrim gazetaresk të një autori nga Isniqi. Përtej këtyre, harresa ka qenë e plotë.

    II) Pasojat e harresës ,gjenerata pa kujtesë historike- Kjo neglizhencë nuk është vetëm padrejtësi ndaj një njeriu që sakrifikoi gjithçka për kombin,por është dëm i drejtpërdrejtë për gjeneratat e reja. Të rinjtë sot nuk e dinë kush ishte Salih Shatri, çfarë ka bërë, përse është arratisur dhe përse ka luftuar. Në mungesë të shembujve të tillë, frymën atdhetare e zë një boshllëk i rrezikshëm që mbushet me indiferencë, konformizëm dhe mungesë përgjegjësie kombëtare. Mosnjohja e figurave si Shatri do të thotë të mos njohësh vazhdimësinë e përpjekjeve shqiptare për liri, e të mos kesh më modele të qëndresës dhe guximit. Kjo është arsyeja pse shumë të rinj e shohin historinë e kombit të tyre si diçka të largët dhe të padobishme për jetën e sotme , një pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së politikave për kujtesën kombëtare.
    III) Dështimi i institucioneve shkencore dhe shtetërore- Akademia e Shkencave e Tiranës dhe ajo e Prishtinës, që duhej të ishin ruajtëse të kujtesës historike kombëtare, nuk kanë kryer asnjë studim për veprimtarinë e Salih Shatrit. Ministritë e Arsimit në të dy shtetet nuk e kanë përfshirë emrin e tij në kurrikulat mësimore, ndërsa institucionet kulturore nuk kanë organizuar asnjë simpozium për veprën e tij. Ky boshllëk institucional nuk është rastësi: ai dëshmon mungesë vizioni kombëtar dhe nënvlerësim të sakrificës së atyre që luftuan për idealin e bashkimit.
    IV) Kërkesë për rivlerësim kombëtar- Në 38-vjetorin e vdekjes së tij, është koha që institucionet e të dy shteteve shqiptare të korrigjojnë këtë padrejtësi historike.

    Figura e Salih Shatrit duhet të zërë vendin që i takon në historinë e kombit tonë, përmes:
    a) Shpalljes Hero Kombëtar me dekret presidencial,b) Ngritjes së një përmendoreje në Tiranë dhe në vendlindjen e tij në Tomoc të Istogut,c) Përfshirjes së tij në tekstet shkollore të historisë,d) Organizimit të konferencave shkencore mbi veprimtarinë e tij dhe të njësive komando shqiptare të pasluftës së dytë botërore.

    Përfundimisht mund të thuhet se Salih Shatri nuk ishte vetëm një luftëtar,por ai ishte simbol i guximit, i idealit dhe i sakrificës për Shqipërinë Etnike. Harresa e tij është një turp për institucionet, por edhe një thirrje ndërgjegjeje për kombin shqiptar që të mos lejojë më që figurat e vërteta të rezistencës të mbeten në errësirë. 38 vjet pas ndarjes nga jeta, është koha që emri i Salih Shatrit të kthehet në kujtesën kombëtare, aty ku e meriton, pra përjetësisht në radhën e heronjve të mëdhenj të Shqipërisë.

  • Zërat e padëgjuar të kafshëve: Si komunikojnë ato në mënyra që njeriu nuk i percepton

    Zërat e padëgjuar të kafshëve: Si komunikojnë ato në mënyra që njeriu nuk i percepton

    Bota e kafshëve është plot me forma të komunikimit që shkojnë përtej asaj që mund të dëgjojmë ose shohim. Ndërsa ne njerëzit përdorim fjalët, gjestet dhe shprehjet e fytyrës, kafshët shpesh përdorin frekuenca të padëgjueshme, valë dridhjeje, ngjyra të padukshme për syrin tonë, apo edhe sinjale kimike për t’u kuptuar.

    Elefantët – zërat që udhëtojnë nëpër tokë
    Elefantët komunikojnë me zëra shumë të ulët (infra-zëra), të cilët mund të udhëtojnë deri në 10 kilometra përmes tokës dhe ajrit. Këta tinguj janë aq të ulët sa veshi i njeriut nuk i percepton dot. Përmes tyre, elefantët paralajmërojnë njëri-tjetrin për rrezik, përmblidhen në tufë ose njoftojnë për lindje të reja.

    Fluturat – mesazhe me ngjyra
    Fluturat nuk janë thjesht të bukura për syrin tonë. Shumë prej tyre komunikojnë përmes reflektimit të dritës ultraviolet, një ngjyrë që njeriu nuk e sheh, por që për to është si një “kod sekreti” për të gjetur partnerin e duhur ose për të shmangur grabitqarët.
    Milingonat – aroma që flet
    Milingonat kanë një nga sistemet më të zhvilluara të komunikimit kimik. Ato përdorin feromone, substanca aromatike që tregojnë rrugën drejt ushqimit, paralajmërojnë për rrezik ose ndihmojnë në organizimin e kolonisë. Një milingonë e humbur mund të gjejë rrugën në bazë të “vijës aromatike” që kanë lënë të tjerat.

    Balenat – këngët që lidhen për mijëra kilometra
    Këngët e balenave janë ndoshta një nga shembujt më të mahnitshëm të komunikimit në natyrë. Disa specie, si balenat gunga, prodhojnë tinguj që udhëtojnë në oqean për qindra kilometra. Studiuesit mendojnë se këto “këngë” mund të jenë një mënyrë për të ruajtur lidhjet shoqërore ose për të orientuar të tjerët në migrim. /Trungu & InforCulture

  • Kruarje, djersitje dhe lodhje – sëmundje e rrallë e gjakut që kërkon trajtim të hershëm dhe terapi inovative

    Kruarje, djersitje dhe lodhje – sëmundje e rrallë e gjakut që kërkon trajtim të hershëm dhe terapi inovative

    Policitemia vera, “sëmundja e gjakut të dendur” që kërkon zbulim të hershëm dhe terapi të avancuar për të parandaluar komplikacionet serioze

    Terapia bashkëkohore ul rrezikun e përparimit të sëmundjes dhe mundëson jetëgjatësi më të madhe për pacientët, shkruan European Hematology Association dhe konstatojnë hematologët që merren me trajtimin e policitemisë vera, një sëmundje e rrallë, por e menaxhueshme, e palcës kockore.

    Çfarë është policitemia vera?

    Policitemia vera (PV) është një sëmundje malinje kronike hematologjike që karakterizohet nga prodhimi i shtuar i qelizave të kuqe të gjakut në palcën kockore.

    Sipas Mayo Clinic dhe Cleveland Clinic, kjo gjendje bën që gjakut t’i rritet viskoziteti (trashësia), duke e bërë më të vështirë qarkullimin, sidomos në enët e vogla të gjakut, gjë që rrit rrezikun për formim të trombeve (mpiksje gjaku).
    Shkaku kryesor është mutacioni i fituar në gjenin JAK2 (V617F), i cili aktivizon në mënyrë të pakontrolluar ndarjen e qelizave në palcën kockore. Kjo është mutacion i fituar, jo i trashëguar – pra, nuk kalon në mënyrë direkte te pasardhësit, transmeton Telegrafi.

    Simptomat: shpesh shfaqen vite para diagnozës

    Mjekët vërejnë se shenjat paralajmëruese mund të shfaqen disa vite përpara vendosjes së diagnozës. Sipas Leukemia & Lymphoma Society, simptomat më të zakonshme përfshijnë:

    Lodhje kronike, ndjenjë e përgjithshme dobësie;
    Kruarje e trupit (sidomos pas dushit të ngrohtë), për shkak të çlirimit të histaminës;
    Djersitje natën, ndonjëherë e shoqëruar me humbje peshe;
    Dhimbje koke, marramendje dhe ndjesi shpimi në gishta;
    Ndjesi presioni ose dhimbjeje në pjesën e majtë të barkut, që vjen si pasojë e zmadhrimit të shpretkës (splenomegalisë).

    Këto simptoma ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës dhe, sipas studimeve të publikuara në Blood Advances, pacientët me PV kanë jetëgjatësi më të shkurtër mesatare krahasuar me popullatën e përgjithshme në të njëjtën grupmoshë, nëse sëmundja nuk trajtohet siç duhet.

    Rreziqet: tromboza dhe transformimi në sëmundje më të rënda

    Policitemia vera i përket grupit të neoplazmave mieloproliferative (MPN), sëmundje të palcës kockore me rritje të tepërt të qelizave të gjakut. Rreziku më i madh është tromboza (formimi i mpiksjeve), që mund të çojë në goditje cerebrale, infarkt të miokardit ose trombozë të venave të thella.
    Në disa raste, sëmundja mund të transformohet në mielofibrozë, një formë më agresive e kancerit të gjakut, ku indet e palcës kockore zëvendësohen me fibrozë, duke penguar prodhimin normal të qelizave të gjakut.
    Sipas American Society of Hematology, rreth 1 në 4 pacientë me policitemi vera zhvillon mielofibrozë brenda 15-20 viteve nga diagnoza, sidomos nëse sëmundja nuk trajtohet me terapi të përshtatshme.

    Diagnoza dhe trajtimi
    Diagnoza konfirmohet me analiza laboratorike të gjakut, biopsi të palcës kockore dhe testim gjenetik për mutacionin JAK2.
    Trajtimi standard përfshin:

    Flebotomi (heqje gjaku): hiqen 300–400 ml gjak për të ulur hematokritin dhe për të parandaluar mpiksjet;
    Hidroksiurea (citostatik): redukton prodhimin e qelizave të gjakut;
    Aspirin në doza të ulëta për profilaksë kundër trombozës;
    Kontroll të faktorëve kardiovaskularë të rrezikut, si tensioni i lartë, kolesteroli dhe ndalimi i duhanit.

    Terapitë inovative
    Sipas raporteve të European Medicines Agency (EMA) dhe FDA, përdorimi i inhibitorëve të JAK2 (si ruxolitinibi) ka ndryshuar ndjeshëm ecurinë e sëmundjes, sidomos te pacientët që nuk reagojnë mirë ndaj hidroksiuresë.

    Këto barna:

    Ulin madhësinë e shpretkës,
    Zbutin simptomat sistemike (kruarje, lodhje, etj.),
    Ulin rrezikun e transformimit në mielofibrozë,
    Zgjatin jetën mesatare të pacientëve.

    Në disa qendra të Evropës Perëndimore dhe SHBA, po testohen gjithashtu kombinime të reja terapish (p.sh. ropeginterferon alfa-2b) që synojnë modifikimin e rrënjës së sëmundjes në nivel qelizor, jo vetëm simptomat e saj.

    Rëndësia e diagnozës së hershme dhe mbështetjes afatgjatë
    Hematologët theksojnë se zbulimi i hershëm dhe trajtimi i personalizuar janë kyç për të parandaluar komplikacionet serioze.
    “Sa më herët të identifikohet policitemia vera, aq më e madhe është mundësia që pacienti të jetojë gjatë dhe me cilësi të mirë jete”, konstaton prof. dr. Heinz Gisslinger nga Universiteti i Vjenës, një nga ekspertët kryesorë për sëmundjet mieloproliferative.

    Shoqatat e pacientëve, po theksojnë gjithashtu nevojën për qasje ndaj terapive të reja dhe përfshirje të mbështetjes psikologjike dhe sociale në kujdesin afatgjatë të pacientëve.
    Përfundim
    Policitemia vera është një sëmundje kronike, por e menaxhueshme e palcës kockore.Me diagnostikim të hershëm, monitorim të kujdesshëm hematologjik dhe terapi moderne, mund të sigurohet një jetë e gjatë dhe aktive për shumicën e pacientëve.

    Sipas Journal of Clinical Oncology, trajtim i individualizuar dhe qasje multidisiplinare janë faktorët që sot bëjnë dallimin ndërmjet një sëmundjeje të rrezikshme dhe një gjendjeje të kontrolluar me sukses. /Telegrafi

  • “U ndal të përshëndeste dhe shkëmbente dy fjalë, por u qëllua me një plumb”- Vrasja e Avni Rustemit, çfarë ndodhi me 20 prill 1924 pranë Pazarit të Ri

    “U ndal të përshëndeste dhe shkëmbente dy fjalë, por u qëllua me një plumb”- Vrasja e Avni Rustemit, çfarë ndodhi me 20 prill 1924 pranë Pazarit të Ri

    Muzeu Historik Kombëtar kujtoi dje në 100- vjetorin e ndarjes nga jeta, “Heroin e Popullit”, Avni Rustemin. Avni Rrustemi, emri i të cilit sot është vendosur në shenjë nderimi në shkolla dhe rrugë të ndryshme, lindi në Libohovë në një familje atdhetare.

    I ati ishte qehaja i familjes së Arsllan-Pashalinjve, oxhakut të Libohovës. Mësimet e para i mori në vendlindje, më pas vazhdoi Normalen e Elbasanit dhe pastaj kolegjin e Shën Mitër Korone në Itali, kurse studimet e larta për pedagogji i filloi në Universitetin e Romës. Më 1908 braktisi bankat e shkollës për t’u bashkuar me çetën e Çerçiz Topullit. Më 1910 tentoi për të vrarë në Shkodër komandantin e ekspeditës ushtarake osmane, gjeneral Shefqet Turgut pashën. Më 1914 u radhit në forcat shqiptare për çlirimin e Shqipërisë së Jugut nga pushtimi i forcave greke.

    Gjatë veprimtarisë së tij, më 1910, ai punoi si mësues në Libohovë, në Tragjas të Vlorës më 1913 dhe në Tepelenë e në Vlorë në vitet 1916-1918. Më 1918 me nismën e tij u formua në Vlorë shoqëria atdhetare e rinisë vlonjate me emrin “Djalëria e Vlorës” dhe në krye të saj organizoi demonstratën e 28 nëntorit 1918 kundër pushtuesve italianë. Në pranverë të vitit 1919 në Shën Mitër krijoi “Lidhjen e Rinisë Shqiptare”, për mbrojtjen e të drejtave kombëtare kurse më 13 qershor 1920 vrau me atentat në Paris, Esat Pashë Toptanin. Gazeta e njohur franceze “Le Meiroir”, më datë 20 qershor 1920 publikoi një fotografi të panjohur deri me sot të Avni Rustemit. Në këtë foto, ai shihet i torturuar barbarisht nga policia franceze pasi kishte kryer atentat ndaj Esat Pashë Toptanit në Paris. Megjithatë, Avni Rrustemi u lirua pas vetëm 6 muajve. Me rikthimin e Avni Rustemit në Shqipëri, veprimtaria e tij politike vjen duke u intensifikuar. Pikërisht, më dhjetor 1920 ai filloi punën për bashkimin e shoqërive demokratike ekzistuese në një organizatë të vetme. Kongresi i mbajtur më 25 prill 1921 në Vlorë krijoi një shoqëri, që mori emrin federata “Atdheu”. Kryetar nderi i saj u zgjodh Avni Rustemi.
    Me nismën e tij u krijuan dhe organizata profesionale të mësuesve. Pas mbylljes së federatës “Atdheu”, në gusht 1922, përsëri me nismën e Avni Rustemit, më 13 tetor 1922 u krijua në Tiranë shoqëria demokratike “Bashkimi”. Avni Rustemi nuk qe vetëm organizatori kryesor i shoqërive demokratike, por edhe një ndër ideologët më të shquar demokratë. Daljen e vendit nga prapambetja, Avni Rustemi e shikonte në zhvillimin e ekonomisë së pavarur kombëtare. “Pa pavarësi ekonomike, – shkruan ai, – nuk mund të ketë pavarësi politike”. Idetë e tij demokratike e revolucionare ai i shprehu edhe në Asamblenë Kushtetuese të vitit 1924, ku u zgjodh deputet nga populli i ish-prefekturës së Kosovës. Ai kritikoi me guxim shpërdorimet e aparatit burokratik të kohës, fudullëkun e injorancën e klasave sunduese reaksionare dhe mbrojti me zjarr traditat e popullit tonë dhe të drejtat e shqiptarëve që jetonin në trojet e veta në Jugosllavi. Në kushtet e ashpërsimit të kontradiktave klasore e politike të vendit nga njerëz të vënë prej qeverisë së asaj kohe, atij i bëhet atentat më 20 prill 1924 pranë Pazarit të Ri në Tiranë, ku vdes 2 ditë më vonë pikërisht më 22 prill 1924. Vrasja e deputetit shërbeu si shkëndijë e Lëvizjes, që triumfoi më 10 qershor 1924.

    VEPRIMTARIA – Në mars 1908 ndërpreu mësimet në Medresenë e Janinës dhe u bashkua me çetën e Çerçiz Topullit. Më pas ndoqi Shkollën Normale të Elbasanit (1909-1910) dhe kolegjin francez të Lozanës (1912-1913), ku themeloi shoqatën patriotike të studentëve shqiptarë “Burimi”. Në vitin 1914 mori pjesë në trupat vullnetare që luftuan kundër bandave të andartëve grekë. Organizoi më 28 nëntor 1918 demonstratën e popullit të Vlorës kundër trupave pushtuese italiane. Kreu kolegjin arbëresh të Shën Adrianit në Shën-Mitër të Kalabrisë dhe më pas studimet e larta për pedagogji në Universitetin e Romës (1919). Avni Rustemi, më 13 qershor 1920 vrau me atentat në Paris Esat Toptanin.
    Në fund të vitit 1920 u kthye në Shqipëri dhe filloi menjëherë ngritjen e organizatave profesionale të arsimtarëve, duke bashkuar të gjitha shoqëritë demokratike të vendit në federatën “Atdheu” (1921). Më pas themeloi shoqërinë “Bashkimi”. Avni Rustemi vdiq pas një atentati që iu bë në Tiranë më 22 prill 1924. Në varrimin e tij në Vlorë me një pjesëmarrje të madhe të popullit u mbajtën fjalime të zjarrta nga përfaqësuesit e forcave demokratike. Kjo ngjarje afroi shpërthimin e Lëvizjes së Qershorit (1924). Shqiptarët e shohin Avni Rustemin si një hero kombëtar që luftoi për demokratizimin e Shqipërisë dhe vrau Tradhtarin Kombëtar Esat Pashë Toptani, i cili do t’ua shiste vendin fqinjëve. Avni Rustemi ka qenë objekt edhe i shumë filmave artistikë, në shumicën e tyre ai shfaqet si hero kombëtar, që vrau tradhtarin e kombit. “Dy Krisma në Paris” është një dramë e Sheri Mitës, Pëllumb Kullës me temë vrasjen e Essad Pashë Toptanit në Paris dhe gjyqin e Avni Rustemit.

    ATENTATI – Më 31 maj shkoi në Paris ku zuri një dhomë në hotelin “Prince Albert”. Ndërroi vend dy herë dhe më pas mori një banesë me qira në nr. 32 të lagjes “Montmartre”, në hotelin “Toulerie” ku hyri më 2 qershor. Kishte bërë një vizitë mjekësore për sëmundje veneriane. Më 13 qershor 1920 i bëri atentat Esat Pashës duke i shtënë dy herë pas shpine, tek po dilte nga restoranti ku po drekonte, në rr. “Castiglione”. Rustemi u rrah nga kalimtarët, shoferët dhe personeli i hotelit e çarmatosi. U mbajt në hotel deri kur mbërriti policia.

    Në gjyqin që iu bë u radhitën dëshmitë: Rustemi që kur kishte mbërritur në Paris kishte kërkuar për një dyqan armësh dhe një poligon, i kishin gjetur një shumë parash në kartëmonedha franceze e italiane – për të cilën deklaroi se ia kishte dhënë vëllai, kishte zënë me qira një shtëpi pranë hotelit ku kreu atentatin dhe hante në restorant. Më 1 dhjetor 1920 vendimi i gjykatës i jep pafajësinë, sipas burimeve të përdorura nga historiani Kastriot Dervishi, atentati ishte i shtyrë nga Aqif pashë Biçakçiu – djali i tezes dhe rivali politik i Esai Pashës – dhe paratë për ta financuar u nxorën nga fondet e Këshillit të Naltë.
    RIKTHIMI – Më 24 dhjetor u kthye në Shqipëri. Kur u kthye, u përpoq të bashkonte shoqëritë e ndryshme, kongresi i mbajtur më 25-28 prill 1921 në Vlorë krijoi një shoqëri që mori emrin federata “Atdheu” me 25 shoqëri dhe 15 katundari. Kryetar nderi i saj u zgjodh Avni Rustemi, Tromara sekretar, Gurakuqi sekretar, Seit Qemali këshilltar e Pejani inspektor. Deputetët miratuan një ndihmë financiare për këtë federatë, të cilën e hoqën pak kohë më pas. Federata kishte qëllim depërtimin tek nëpunësit e shtetit. Nisur nga kjo, qeveria Ypi urdhëroi mbylljen e kësaj federate. Në këto kushte Rustemi më 13 tetor 1922 themeloi në Tiranë shoqërinë “Bashkimi”.

    Prej kontakteve me të dërguarit sovjetik në Romë, shoqëria qe vendosur të krijohej që kur ndodheshin në kryeqytetin italian Rustemi, Jonuz Blakçori dhe S. Gàzulli. Synimi i kësaj shoqërie ishte tërheqja e rinisë në radhët e saj dhe shkatërrimi i klasës politike në pushtet. Në zgjedhjet e 27 dhjetorit 1923 i rreshtuar si armik i Zogut dhe duke pasë bërë aleancë me Bajram Currin, kandidoi në dy zona: në prefekturën e Gjirokastrës ku kishte vendlindjen dhe në prefekturën e Kosovës. Rustemi humbi në trevën e tij dhe fitoi në atë të Kosovës falë ndërhyrjes së Bajram Currit në këto votime. Por edhe në prefekturën ku doli fitues, në dy qendra mori zero vota. Qendra e vetme që nxori fitues Rustemin, njohu forcën e çdollojshme të Bajram Currit. Veprimi i shoqërisë “Bashkimi” dhe simpatizantëve të saj ishte orvatja për vrasjen e Zogut në sallën e Kuvendit Kushtetues nëpërmjet Beqir Valterit më 23 shkurt 1924.

    Organizator i ngjarjes ishte Rustemi dhe të tjerë të implikuar ishin Sali Hidri (Hoxha), Sejfulla Malëshova, Omer Nishani etj.. Rrustemi pasi kishte marrë pjesë për herë të fundit në Kuvendin Kushtetues më 12 prill 1924, rikthehet në Tiranë më 20 prill, duke u paraqitur në Kuvend për të kërkuar leje tremujore. Kishte nisur procedurat për marrjen e një vize amerikane. Rreth orës 16-17.00 i shoqëruar nga disa miq po shkonte për të takuar në shtëpi ministrin e Arsimit, Fahri Rashit Gjilanin. Kur arritën në Varrezat e Pashës (më pas sheshi “Avni Rustemi”, Pazari i Ri), në çastin që Rustemi u ndal të përshëndeste dhe shkëmbente dy fjalë me Hoxhë Kadriun, u qëllua me një plumb nga mullixhiu Jusuf Reçi. Ali Këlcyra e strehoi në shtëpi, më pas e çuan në spital. Pas një qëndrimi dyditor në spital, Rustemi vdiq më 22 prill 1924 nga hemorragjia.
    VARRIMI – Opozita organizoi një varrim me efekte revolucionare të Rustemit në Vlorë. Ceremonia u bënë si në Tiranë, ashtu dhe në Vlorë. Filluan më 28 prill me ceremonitë e zhvilluara para sheshit të xhamisë së vjetër në Tiranë. Një kamion i mbuluar me të zeza barti trupin e viktimës nga Tirana për në Durrës, ku shoqëruesit hipën në vaporin “Beograd”, i cili nisi rrugën drejt Vlorës me flamujt jugosllavë e shqiptarë, për të mbërritur më 29 prill 1924.
    Sipas gazetarit Roland Qafoku, zemrën ia nxorën Avni Rustemit për ta ruajtur dhe trupin ia balsamosën për ta transportuar në Vlorë për varrim”. “Si një objekt trofe zemra e Avni Rustemit u vendos në kushte ruajtjeje në një vazo, e zhytur në një solucion që e ruante përjetësisht dhe iu dorëzua farmacistit të Vlorës Nasho Qirko, që shërbente në farmacinë numër 1 të qytetit. Për 39 vjet zemra u ekspozua në farmaci, e vetmja farmaci në Shqipëri që shërbente për dy funksione; për të blerë ilaçe, por edhe si një ekspozitë për të parë zemrën e Avni Rustemit. Pas vitit 1963 nuk ka asnjë të dhënë se ku përfundoi zemra. Ekziston një kërkesë që zemra të kthehej në vendlindjen e Avniut në Libohovë, por nuk është konfirmuar kurrë që zemra të ketë shkuar atje”, – është shprehur ai. Xhenazja u bart përsëri nga një kamion i zi për në xhaminë e qytetit, ku u bënë sërish lutjet e rastit. Vrasja e Esat Pashë Toptanit, njërës prej figurave më të stigmatizuara nga historiografia shqiptare, theksoi mundësinë e zhdukjes fizike të personazheve politike me rëndësi dhe bejlerëve në veçanti. Ndër shtresat e mesme dhe në të rinjtë përhapi idenë e shkatërrimit të kastës politike të formuar kryesisht nga bejlerët.
    Këto ide u mishëruan në formimin e shoqërisë “Atdheu” dhe shoqërisë “Bashkimi” pas saj, të cilat gjithashtu u bënë ndër provat e hershme të organizimit të një lloj “rinie fashiste shqiptare”, e cila më vonë u bë bërthama e parë komuniste me grupin komunist që shkoi në Bashkimin Sovjetik. Sipas Ali Këlcyrës, meqë opozita e kohës kishte bindjen se vrasja e Rustemit ishte vetëm një komplot qeveritar, i vendosi kusht qeverisë që brenda 48 orëve të dorëzoheshin komplotistët. Pas mosmarrjes së masave, u organizua varrimi, me anë të të cilit opozita dhe partizanët e saj intelektualë u nisën drejt Vlorës ku dhe ndenjën të tërhequr. Atje u formua një komitet revolucionar i drejtuar nga Fan Noli, prej të cilit lindi Lëvizja e qershorit.
    Eqrem bej Vlora e përshkruan te “Kujtimet” si “një nga studentët më të pasuksesshëm, të cilët tentojnë të shfryjnë me heroizma politike dëshirën e tyre për hakmarrje… me anë të një vrasjeje të pabesë i dha një fund të beftë jetës aventurore të Esatit. Ky djalosh që me këtë vrasje donte të bënte emër në Shqipëri, nuk ishte veçse një vegël në duart e kundërshtarëve të Esat Pashës”. Pas pushtimit italian, qe ndër figurat antizogiste të cilat u nderuan nga administrata bashkëpunuese, duke iu dhënë emri sheshit ku u vra, ndërsa në Vlorë u zhvillua një ceremoni nderimi ku përmendej se ideali i tij ishte fashizmi. Nderimi i tij vijoi përgjatë regjimit komunist, ku përpos të qenit antizogist që përputhej me narrativën fashiste, shtohej edhe aspekti revolucionar kundër shtresave të pasura, duke u nderuar me titullin “Hero i Popullit”.
    © Panorama.al

  • Bashkë në Luftë, Bashkë në Histori

    Bashkë në Luftë, Bashkë në Histori

    Në male të Drenicës, mes krismash dhe thirrjesh për liri, u shkrua një histori dashurie dhe trimërie. Azem Galica, burri i hekurt i maleve, nuk luftonte i vetëm. Pranë tij, me jelekun mbushur plot fishekë dhe me një guxim që sfidonte vdekjen, qëndronte Shotë Galica.

    Martesa e tyre ishte një pakt i shenjtë lufte; Shota zgjodhi pushkën përpara vatrës dhe u bë e para grua që luftoi krah për krah me burrat. Askush nuk i numëronte aksionet e tyre, por flitej se ata kishin dhënë zemrën në më shumë se shtatëdhjetë beteja.

    Më 1919, lufta u ndërpre nga një gëzim i shkurtër: lindi Bejta i Vogël. Mirëpo, Azemi e dinte se liria ishte ende larg, dhe fëmija i tyre, lindur në male mes acarit, e humbi jetën shpejt. Ky ishte çmimi i tmerrshëm që pagoi kjo familje e vogël për idealin e madh.
    Kur Azemi ra më 1924, plaga ishte e thellë, por Shota nuk u thye. Ajo mori shpatën dhe udhëhoqi vetë çetën, duke ndjekur thënien e saj: “Jeta pa dije është si një luftë pa armë.” Ajo vazhdoi, pavarësisht se kishte lënë në fushën e nderit njëzet e dy pjesëtarë të familjes së saj.

    Në fund, e vetme dhe e lodhur, u tërhoq në Shqipëri. Heroina që theu dy perandori, nuk i mbijetoi dot mjerimit. Shota Galica vdiq në varfëri më 1927, duke lënë pas një histori të pathyeshme për idealin dhe sakrificën.
    http://

  • Imazhet e rralla e të panjohura të antropologut zviceran! Artisti që realizoi fotografi nga jugu në veri në celuloid, dëshmi të “krizës së bukës”

    Imazhet e rralla e të panjohura të antropologut zviceran! Artisti që realizoi fotografi nga jugu në veri në celuloid, dëshmi të “krizës së bukës”

    LUAN RAMA/ Krahas si një humanist i madh, antropolog shkencëtar e politikan që mbrojti Shqipërinë në dekadat e para të krijimit të shtetit shqiptar apo si një mbështetës i zjarrtë i pranimit të Shqipërisë në Shoqatën e Kombeve, në Gjenevë, një nga kontributet e Eugène Pittard, pas qëndrimit të tij në Shqipëri në vitet 1921 dhe në vitin 1924 ishte dhe dëshmia e tij fotografike përmes rreth dyqind e ca klisheve nga veriu dhe jugu shqiptar duke fotografuar njerëzit e thjeshtë, mikpritjen shqiptare, vende dhe ngjarje historike.

    Pamje që sot nuk ekzistojnë më dhe që janë një referencë për studiuesit dhe antropologët shqiptarë, etnografët dhe sociologët për të vënë në dukje atë çka përfaqësonte Shqipëria në vitin 1921 apo në vitin 1924.

    Nëse në vitin 1913, fotografi i njohur zviceran Fred Boissonnas do të fotografonte Epirin dhe jugun shqiptar gjer në Çamëri, Delvinë apo Gjirokastër, mision ky i kërkuar nga kryeministri grek Venizellos në kohën e Luftës Ballkanike dhe pushtimin e trojeve shqiptare në jug, veçanërisht i Çamërisë, (për çka shoqëruesi i tij grek nuk i tregoi asgjë për shqiptarët e Çamërisë, myslimanë apo kristianë), Eugène Pittard vinte në Shqipëri me misionin e humanistit internacionalist për të ndihmuar një vend të copëtuar nga fqinjët dhe që duhej mbrojtur në arenën ndërkombëtare siç do të bënte konkretisht me delegacionin shqiptar të kryesuar nga Fan Noli në Gjenevë që Shqipëria të pranohej anëtare e Shoqatës së Kombeve.

    DËSHMITAR I HISTORISË
    Fotografia në vetvete është dëshmi historike dhe humane, një dëshmi e statusit të një kombi dhe të vlerave më themelore të tij. Rëndësia historike e fotografive të Eugène Pittard është se ai na ka dokumentuar jo vetëm imazhet njerëzore dhe të shumë prej qyteteve të Shqipërisë së asaj kohe, të trashëgimisë historike, arkeologjike, kulturore apo etnografike, por gjithashtu dhe një nga momentet e vështira të jetës shqiptare gjatë vitit 1921 siç ishte « Kriza e Bukës », çka nuk e gjejmë në arkivat tona në dimensione të tilla me imazhe mbresëlënëse sa ç’janë fotografitë e tij.

    Ajo që i kanë bërë përshtypje këtij misionari humanist dhe i dërguar për shpërndarjen e ndihmave në emër të Shoqatës së Kombeve janë më së shumti imazhet prekëse të njerëzve të goditur nga kjo krizë e në veçanti grupet e grave me fëmijët e tyre. Ai i ka fotografuar më së shumti ato në Tiranë e Shkodër por dhe në fshatrat përreth dhe në ato të veriut si në Juban, Koplik, Kastrat, Dibër e gjetkë. Janë fytyra që s’flasin por që në vetvete, në sytë dhe qëndrimin e tyre kanë një lloj stoicizmi për të ruajtur dinjitetin e tyre, siç i shohim ato kur janë mbledhur në sheshe dhe rrugët e Tiranës, në Lezhë, apo në sheshin para “Hotel Europa” në Shkodër.
    Një sërë fotografish i kushtohen misionit të tij humanist në shpërndarjen e ndihmave në kuadrin e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe zviceran, fotografi ku spikat në veçanti flamuri zviceran apo gra që mbajnë ndihmat në duar. Në disa nga prej këtyre fotografive është dhe gruaja e Pittard, publicistja e njohur dhe shkrimtarja Nowlle Roger, e cila po shpërndan ndihma, gjer dhe veshje për to. Me një mjeshtëri të rrallë ai fikson gjithashtu imazhe që sot nuk i gjejmë më në arkivat shqiptare. Ato kanë mbetur të ngjizura në pllakat e xhamit apo në celuloid.

    Mjafton të shohim fotografinë e pallatit të princ Vidit në Durrës të shkatërruar në bombardimet e vitit 1918, pra në fundin e Luftës së Parë Botërore, për të kuptuar vlerën e fotografisë si dokument historik dhe referencë. E jo vetëm, por dhe si vlerë artistike. Po kështu janë fotografitë e objekteve arkeologjike të kohës romake në Durrës apo Elbasan etj., të cilat nuk ekzistojnë më e që dëshmojnë njëkohësisht për pasionin e tij të veçantë, arkeologjinë dhe jetën e dikurshme të popujve dhe në këtë rast të shqiptarëve, dëshmi madje dhe të kohës neolitike që ai zbuloi në Lin të Pogradecit.

    IMAZHI I NJË POPULLI
    Që në vizitën e tyre të parë në Shkodër në vitin 1910, gjatë qëndrimit në qytetin historik dhe takimet me personalitetet e shumta të qytetit, kohë kur Pittard nuk e kishte në duar aparatin e tij fotografik, çifti zviceran u takua dhe me artistin Kolë Idromeno, piktorin dhe fotografin e famshëm që artin e fotografisë e kishte quajtur “dritë-shkronjë”, ku ishte drita në “camera oscura” që tregonte imazhet e botës reale, ishte ajo që shkruante përmes dritës duke treguar portretet njerëzore, objektet, peizazhet, jetën përreth.
    Më shumë se një dekadë më pas, në vitin 1921, Eugène Pittard do të vinte me një mision të caktuar. Kësaj radhe ai kishte marrë me vete dhe aparatin e tij fotografik si dhe filmat e suporteve të ndryshme bashkë me trekëmbëshin apo “stativin” e tij mbi të cilin vendosej atëherë aparati fotografik. Qëllimi ishte të fotografonte këtë vend jo aq të njohur nga bota perëndimore, Europa dhe vendet e tjera të këtij rruzulli. Kjo do të ishte Shqipëria e vitit 1921 apo siç mund të thoshte ai “Shqipëria ime”, “Mon Albanie”.
    Një nga shqetësimet e para duket se për të ka qenë fotografimi i fytyrës njerëzore si dhe të tregonte, si antropolog që ishte, fytyrën dhe tipin shqiptar, identitetin e tij si popull, për çka kishin shkruar për udhëtimet e tyre në Shqipëri edhe jo pak udhëtarë, gjeografë, etnografë e historianë francezë gjatë shekullit XIX. Por kjo, edhe për arsyen se më së pari duhet të dëshmohej jeta e popullit, siç kishin bërë në vitin 1913 studiuesi i gjeografisë humane, francezi Jean Bryhnes dhe fotografi i tij Auguste Léon, duke fotografuar për Arkivin e Albert Kahn tipin shqiptar dhe mjedisin e tij veçanërisht në Tiranë, Durrës, në fshatrat përreth apo dhe në Çamëri e Kosovë.
    Fotografitë e Pittard janë vërtet impresionante. Mjafton të shohim nga afër portretet e dy grave mirditore, një prej të cilave me ngarkesë në kurriz, të cilat vështrojnë drejt objektivit. Janë fytyra të mirësisë që e kanë pranuar jetën në përballje me vështirësitë. Sytë e tyre shkëlqejnë nga një dritë gati mistike. Një fotografi e jashtëzakonshme ku imazhi flet shumë për gjendjen e tyre, forcën që kanë për të mbijetuar paqësisht. Pittard nuk harron të fotografojë guidën e tyre, rrugët dhe itineraret shqiptare, vendet historike, vendet e kultit dhe fytyrat e refugjatëve veriorë të zbritur gjer në Tiranë për të shpëtuar nga uria. Po kështu burra të jugut shqiptar me fustanella, që mbajnë në krahë fëmijë me një lloj krenarie.
    Mesazhi i vështrimit të tyre dhe i gjithë fotografisë është sikur duan të thonë se ne mbajmë shpresën për një të ardhme më të mirë. Dhe Pittard është afruar me aparatin e tyre shumë afër, për të nxjerrë në parë vështrimin e tyre plot besim. Duhet theksuar se Pittard nuk ishte nga ata që donte të inskenonte fotografimin e shqiptarit me një sfond apo dekor të caktuar siç ndodhte në atë kohë edhe me fotografët Marubi. Atij i interesonte çasti, fytyra, njeriu, për të deshifruar diçka sociale: përkatësinë e tij dhe marrëdhënien me tokën e për më tepër me dramën që përjetonte një popull.
    Shumë nga fotografitë kanë një dramacitet të thekshëm në fytyrat e atyre grave malësore dhe burrave të rëndë, pinjollë të një epike homerike. Ky dimension social është diçka në fotografinë e viteve 20-30 të shekullit XX në Shqipëri, një risi që do ta shohim më pas dhe në fotografët italianë që erdhën në fundin e viteve ’30, e po kështu dhe në fotografët shqiptarë të Shkodrës apo Korçës, të cilët nuk u mjaftuan vetëm me fotografit e studios por dolën jashtë, në kërkim të fytyrës njerëzore.

    KRONISTI
    Eugène Pittard nuk ishte një fotograf profesionist siç ishin profesionistët dhe fotografët me emër në Shqipëri si Marubët apo Kolë Idromeno. Fotografitë e tij shqiptare janë në natyrë çka e bëjnë atë një lloj kronisti që donte të dëshmonte botën shqiptare, jetën e përditshme të një populli, shqiptarët në dinjitetin e tyre, pa dashur të bëhet interpretues i skamjes, por të dëshmojë botën shqiptare, qytetarinë, vende dhe ngjarje, atë çka ai pikëtakonte në udhëtim e sipër, imazhe që do të përbënin më pas dëshmi historike të Shqipërisë së asaj kohe.
    Në gjithçka që fotografon, ndjehet dashuria e atij që fotografon pas aparatit fotografik. Ai fikson pritjen e jashtëzakonshme që i bëjnë shqiptarët kudo që shkon, në Tiranë, Elbasan, Vlorë, Shkodër, Gjirokastër e gjetkë nëpër malet shqiptare. Pritja për mikun zviceran është e jashtëzakonshme. Ka një entuziazëm popullor në fytyrat e miqve shqiptarë, në mikpritjen e tyre tradicionale dhe që është një nga virtytet e tyre të veçanta, e cila shfaqet dhe në vallet që hidhen në sheshe për të treguar dashurinë për mikun që vjen nga larg, i cili është solidar dhe tregon dashuri për ta. Është një kronikë plot imazhe, ku rreth 200 fotografi i përkasin udhëtimit në vitin 1921 dhe 37 udhëtimit në vitin 1924, në pllaka xhami, “plaques de verre” dhe në “negativ souple”, imazhe që së bashku, pa inskenime false, e që tregojnë dashurinë e shqiptarëve për humanistët e mëdhenj, miqtë e vërtetë, mbrojtësit e tyre në arenën ndërkombëtare siç ishte Pittard por dhe për ndihmën konkrete në hallet e tyre për të përballuar skamjen dhe mjerimin në këtë periudhë të historisë kur Shqipëria në Lushnjë sapo bëhej me një qeveri të sajën.
    Si kronist që është, përmes objektivit fotografik ai i jep hapësirë kuadrit, i jep ajër që jo të fiksojë jo thjesht ardhjen e tyre por atmosferën e mikpritjes shqiptare apo jetës së këtij populli. Interesante është dhe fotografia kur gruaja e tij, Nowlle, gjendet në portën e një shtëpie beratase bashkë me të zotin e shtëpisë pas kthimit të tyre nga mali i Tomorrit dhe ku objektivi nuk është afruar drejt tyre thjesht për të fiksuar një kujtim personal.
    Për Pittard ka rëndësi të fotografojë më gjerë, d.m.th. të fiksojë në kuadër, në plan të parë, një fëmijë dhe pak më tutje fshatarë me gomerë apo dhe qytetarë që po ecin në rrugë. Këtë ia ofron vetë çasti, jeta. Kështu fotografia jep një informacion më të gjerë për shikuesin. Në mjedisin e një pazari të Tiranës ai fikson njerëzit, dyqanet dhe në sfond qiparisin e madh pranë një xhamie me një torrë të ngritur dhe të këputur, ndoshta nga Lufta e Parë Botërore.
    Pittard është një udhëtar që kërkon të zbulojë botën shqiptare dhe ta fotografojë atë. Kështu fotografon ndërtesën e famshme në Durrës të qeverisë së Princ Vidit në vitin 1914 e cila mbahej ende në këmbë por si gërmadhë, pasi ajo ishte bombarduar gjatë Luftës së Parë Botërore në vitin 1918. Është një fotografi befasuese që sot nuk e gjen në arkivat shqiptare apo gazetat e kohës.
    Atij i pëlqen të fotografojë shtëpitë tradicionale dhe historike, shtëpinë e Kongresit të Lushnjës, shtëpitë toptanase, kështjellën e rrënuar tashmë të Ali Pashës, atë të Këlcyrës nga larg, xhaminë e Sulejman Pashës, krijuesit të qytetit të Tiranës, kishën ortodokse të Tiranës, monumentin e varrit të Skënderbeut në Lezhë apo një va për të kaluar lumin e Drinit në Vaun e Dejës, ku në shënimet e tij për këtë fotografi kanë mbetur vetëm germat “Va”, pasi emri është shuar.
    Fotografi të rralla që sot do të pasurojnë dëshmitë mbi Shqipërinë e atyre viteve. Interesante janë gjithashtu dhe fotografitë e Petrelës, veçanërisht shtëpia e ngritur mbi një nga torrat e fortesës bizantine, të përshkruar nga kronistja bizantine, Ana Komnena, vajza e bazileusit Aleksi i Bizantit, mbi luftërat kundër normandëve të Robert Guiscard.

    ******
    Fotografitë e Pittard vijnë për herë të parë në Shqipëri
    Në fondin e Muzeut Etnografik të Gjenevës ekziston një koleksion prej 1,055 fotografish të realizuara nga Eugène Pittard gjatë një periudhe gjysmëshekullore në vende të ndryshme të botës.
    Nga ky fond, 237 fotografi janë realizuar gjatë vizitave të vitit 1921 dhe 1924 që Eugène Pittard ka kryer në Shqipëri i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Hélène Pittard. Eugène dhe Hélène Pittard nisën shtegtimin e tyre në Shqipëri në vitin 1921 të “armatosur” me lapsa, fletore dhe blloqe, si dhe duke ruajtur si dritën e syrit aparatin e tyre fotografik Kodak Broenie. Udhëtimi i tyre që nisi me tren nga Gjeneva në Romë, nga Roma në Bari dhe më pas me anije nga Bari në Durrës, duhet të shihet si një udhëtim drejt zemrave të njerëzve, si një udhëtim në zemrat e shqiptarëve.
    Fotografitë e Pittard vijnë për herë të parë në Shqipëri. Arti i fotografisë është një art më vete dhe këtë Eugène Pittard na e ka dëshmuar më së miri përmes fotografive të tij në suporte të ndryshme dhe dimensione 9 cm x 12cm apo 10,5 cm x 6,5cm si dhe në film fotografik. Sigurisht udhëtimet e tij të mëparshme nëpër Ballkan i kanë shërbyer që të fiksojë imazhe në shërbim të shkencës, përvojë që e ka ndihmuar të arrijë të perfeksionohet si një fotograf i vërtetë duke u vënë pas objektivit të aparatit të tij për të fotografuar njerëz, tipat njerëzorë, veçanërisht të popujve ballkanikë, vendet, natyrën dhe vetë atmosferën e kohës në të cilën ata jetonin.
    Nga fondi i tij fotografik në Shqipëri ne e ndjejmë më së miri se ai di të fotografojë bukur, të kompozojë në mënyrë mjeshtërore, të zgjedhë se me çfarë suporti të fotografojë natyrën apo portretet dhe që brenda atij kuadri që i shfaqet të kapë detaje që i vlejnë për ti vënë ato në pah duke i shtuar imazhit diçka njerëzore, njeriun, siç e shohim dhe në një fotografi të një rrapi shumëshekullor në Tiranë, disi nga larg, ku në plan të parë është një figurë e vogël, një fëmijë, që shton ndjesinë që ka shikuesi ndaj këtij Në fondin e Muzeut Etnografik të Gjenevës ekziston një koleksion prej 1,055 fotografish të realizuara nga Eugène Pittard gjatë një periudhe gjysmëshekullore në vende të ndryshme të botës. imazhi. Dhe neve na pëlqen kur rrugët dhe sheshet janë me njerëz. Janë ata që i japin jetë imazhit dhe për Pittard duket se kjo është themelore. Pittard-it nuk i mungon fryma poetike në fotografitë e tij.
    Një fotografi e mrekullueshme është ajo që mban titullin “Porte bonheur”, apo “Sjellësi i fatit” ku nga një mur ngrihet një degëz ku mbi të njerëzit kanë lidhur shirita rrobash apo shamish, për të shprehur një “ex-voto”, një dëshirë që ndoshta fati do ta realizojë, shprehje kjo e supersticioneve që ekzistonin në atë kohë, siç na e dëshmojnë dhe shumë udhëtarë të huaj apo antropologët dhe studiuesit e folklorit shqiptar.
    Më së shumti, kjo frymë poetike shihet në peizazhet e tij, në rrjedhjet e lumenjve dhe sfondet e natyrës përtej, në Berat apo lumin e Vjosës përgjatë fushave të Myzeqesë, malet dhe vargmalet e Nëmërçkës apo Dibrës, që për një shkencëtar si ai, specialist i antropologjisë njerëzore, janë të veçanta. Të tilla janë peizazhet e lumit Osum dhe përmbytjet në brigjet e Beratit, me shtëpitë që ngrenë kokat mbi ujë çka mund t’i krahasosh me imazhet e fotografëve më të shquar të fillimit të shekullit XX siç ishin ato të përmbytjeve të Senës në Paris nga Roger-Viollet, etj.
    Ai e ka drejtuar objektivin rrafsh me ujin, çka për kohën është një gjetje e rrallë fotografike, duke fiksuar në objektivin e tij trekatër fotografi të mrekullueshme dhe unike në sojin e vet. Po kështu është dhe fotografia tjetër e përmbytjeve në fshatrat e Lezhës, çka sugjeron relievi dhe pozicioni gjeografik i cili ka një bukuri të jashtëzakonshme.
    Të ngjan me një tablo në bardh e zi, mbi të cilën nderet një heshtje poetike ku bukuria e imazhit ia fsheh trishtin që mbart thellë në vetvete. Në një tjetër fotografi ku karvani i këtyre udhëtarëve ka ndalur, me sa duket në zonën e Mbishkodrës, për një çast ata janë ulur të çlodhen. Por Eugène Pittard e ka mendjen të fotografojë pasi i pëlqen ajo skenë. Ai e kompozon pushimin e udhëtarëve midis dy trungjesh ku nga njëra anë janë kuajt që çlodhen dhe nga ana tjetër, Nowlle dhe shoqëruesit e tyre, malësorë dhe ushtarakë.
    Është syri i mprehtë dhe artistik i artistit! Në fotografinë “transportuesit e lëndës drusore”, kemi të bëjmë me një lloj skene që i ngjan afreskut. Edhe këtu transportuesit janë ndalur të çlodhen nga rruga e gjatë. Kuajt qëndrojnë të heshtur me ngarkesat e tyre, burrat me dërrasat në duar vështrojnë nga fotografi, ndërkohë që tre gra veshur në të zeza përfitojnë nga koha e lirë të bëjnë çorape leshi dhe ku një e katërt pas tyre i ka ende degëzat e lidhura mbi shpinë.
    Me një mjeshtri më vete janë fotografuar valltarët e Gjirokastrës që për ardhjen e humanistit të madh hedhin vallen në pritjen e tij, por edhe në një mjedis të brendshëm, ku drita diellore e ndihmon atë të fotografojë lëvizjen dhe hiret e valles, ku fustanella ka elegancën e vrullit dhe fytyrat e tyre burrërore një ndjesi krenarie.
    Ata vallëzojnë, nuk pozojnë, është një fotografi “instantané” e çastit, e kapur në lëvizje, aty ku në sfond duket mali i Çajupit, çka e bën atë grup valltar tepër njerëzor dhe plot jetë. Fotografitë e Pittard vijnë për herë të parë në Shqipëri, kthehen që ti shohim ne, pasardhësit e atyre shqiptarëve që kanë jetuar para një shekulli dhe janë fiksuar në celuloid nga miku i madh zviceran.
    Peizazhet dhe imazhet e qyteteve dikur tashmë kanë ndryshuar, progresi dhe emancipimi i shoqërisë shqiptare është i jashtëzakonshëm, por këto fotografi na bëjnë të mendojmë për rrugën e përshkuar të popullit tonë gjatë një shekulli si referencë e forcës, identitetit të lashtë kulturor dhe dëshirës së tij për tu integruar në Europën e qytetëruar.
    /Gazeta Panorama

  • U shfaq e tensionuar në emisionin e Arbana Osmanit, Elsa Lila thumbon moderatoren? Këngëtarja: Sjellja ime varet nga…

    U shfaq e tensionuar në emisionin e Arbana Osmanit, Elsa Lila thumbon moderatoren? Këngëtarja: Sjellja ime varet nga…

    Këngëtarja Elsa Lila është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes pas dy paraqitjeve të saj publike ditët e fundit, ku dhe ka folur në podcastin e Grida Dumës dhe emisionin Arbana Osmanit, për jetën personale, karrierën dhe sfidat që ka kaluar ndër vite. 
    Megjithatë, ajo që u vu re ishte ndryshimi i tonit dhe sjelljes së saj, veçanërisht në bisedën me Arbana Osmanin, ku ajo u shfaq më e tensionuar dhe më e rezervuar krahasuar me intervistën tek Grida Duma. 
    Në intervistën me Arbana Osmanin ajo komentoi Festivalin e Këngës në vitin 2023, ku nuk arrit të fitonte dhe të përfaqësonte Shqipërinë në Eurovision. 
    Elsa Lila pretendoi se rivalja në garë, Albina Kelmendi, e cila ka pjesë e skuadrës së saj në “The Voice of Albania” në 2014 ku zuri vendin e dytë, i kishte vjedhur votat e publikut. 
    “Unë jam Elsa, di të bëj atë që bëj, jam e ndershme dhe historiku e tregoi që unë nuk i vodha votat por dikush tjetër i bëri. Unë nuk e bëra skandalin, për të mos ta bërë për herë të dytë akoma më të famshëm atë njeri që e bëra në vitin 2014 me duart e mia, me diturinë time dhe me artin tim, i njëjti person”, tha ajo. 
    Pas kësaj deklarate në komentet në rrjetet sociale nuk munguan krahasimet mes dy paraqitjeve të saj. 
    Në një video të Elsës shkëptur nga podcasti me Grida Dumën dikush shkrunte: “Elsa, te Grida u dukje më e vërtetë dhe më e qetë. Jo çdo ditë jemi në humor të mirë, plus që nëse këtë podcast e ke bërë pas Arbanës, duket sikur je munduar të vetë-korrigjohesh. Vetëm fakti që ti je e ndërgjegjshme se në këtë botë vetëm gënjehet, mjafton për shumë nga reagimet e tua. Por gjithsesi, intelekti yt është për t’u admiruar”. 
    Në vend që ta injoronte komentin, Elsa vendosi të përgjigjej vetë, duke sqaruar me qetësi situatën. Ajo u shpreh se dy podcastet nuk janë regjistruar njëra pas tjetrës, dhe se sjellja e saj varej nga personi që kishte përballë. 
    “Faleminderit për mirësjelljen! Ky podcast është regjistruar shuuuuumë kohë para tjetrit. Qetësia ime ka të bëjë, ashtu si për secilin prej nesh, me personin që kemi përballë”, tha Elsa, duke lënë të kuptohet se sjellja e saj e tensionuar në emisionin e Arbana Osmanit, ka të bëjë edhe me këtë të fundit. 
    Kujtojmë se atë vit që Elsa ka qenë pjesë e Festivalit të Këngës, ai prezantohej nga Arbana Osmani. 

     

  • Teknika të hershme të fotografisë, programi mbyllet me ekspozitën me punimet e realizuara nga pjesëmarrësit

    Teknika të hershme të fotografisë, programi mbyllet me ekspozitën me punimet e realizuara nga pjesëmarrësit

    Programi i teknikave të hershme të fotografisë ishte pjesë e aktivitetit, që vijoi përgjatë disa ditëve në Shkodër. Pas katër ditësh intensive krijimtarie dhe eksperimentimi në hapësirat e Qendrës Rinore Qendra Rinore ARKA Shkodër dhe muzeut kombëtar të fotografisë “Marubi”, u përmbyll programi, që kulmoi me hapjen e ekspozitës kolektive me punimet e realizuara nga pjesëmarrësit.
    Nën udhëheqjen e kuratores Orestia Kapidani dhe mentorëve Maximilian Zeitler, Jonas Ruhs dhe Elvis Halilovic, pjesëmarrësit eksploruan proceset tradicionale të fotografisë, nga ndërtimi i kamerës pinhole, puna në dhomën e errët, pllakat e thata, deri te teknikat cyanotype dhe luminogram. Sipas muzeut “Marubi”, kjo nismë që prej tre vitesh është shndërruar në një traditë të qëndrueshme bashkëpunimi mes ARKA-s dhe muzeut vijon të mbetet një hapësirë frymëzuese për të rinjtë dhe artistët, që kërkojnë të zbulojnë magjinë e fotografisë përmes teknikave të vjetra. Në ditën e katërt të masterclass-it, pjesëmarrësit eksploruan botën krijuese të teknikave alternative të fotografisë, duke u njohur me proceset cyanotype dhe luminogram, dy teknika që theksojnë lidhjen midis dritës, materialit dhe eksperimentimit. Gjatë mëngjesit, ata mësuan bazat e procesit cyanotype, një teknikë e vjetër që prodhon imazhe me nuanca të thella blu, dhe krijuan punime personale përmes kompozimeve me objekte dhe tekstura të ndryshme.
    Më tej po këtë ditë puna vijoi me luminogramet, imazhe të krijuara drejtpërdrejt nga drita mbi materialin fotosensitiv, pa përdorimin e kamerës, duke theksuar rolin e dritës si mjet i pastër krijues. Dita e fundit u përmbyll me një seancë reflektimi mbi rezultatet, proceset dhe përvojën e eksperimentimit, duke nxitur diskutime mbi lidhjen mes praktikave historike dhe qasjeve bashkëkohore në fotografi.

  • A po bëhemi më të mençur, apo më budallenj?

    A po bëhemi më të mençur, apo më budallenj?

    Në pamje të parë, gjithçka duket qartë: njerëzimi ka bërë përparime marramendëse. Në vitin 1820 vetëm 12% e popullsisë botërore dinin të lexonin. Sot, më shumë se 86% e njerëzve në Tokë dinë shkrim e këndim.

    Është padyshim një rritje spektakolare – një revolucion në inteligjencë, arsim dhe vetëdije.

    Por megjithatë, diçka nuk shkon. Në një botë ku jemi më të arsimuar se kurrë, duket se mendojmë më pak. Lexojmë më shumë tekste, por thellohemi më pak. Kemi më shumë informacione, por më pak mençuri.

    Epoka e “Google-it që mendon për ne”

    Dikur, të dije diçka kërkonte përpjekje: duhej të kërkoje në libra, të pyesje, të studioje.

    Sot, thjesht e “gugëllon”. E kemi deleguar përftimin e dijes, ia kemi deleguar kujtesën tonë motorëve të kërkimit.

    Nëse dikur të dije ishte vlerë, sot është aftësia për ta gjetur shpejt që ka më shumë rëndësi.

    Steve Jobs e quajti kompjuterin “biçikleta e mendjes” – një mjet që e bën trurin tonë më efikas, që na kursen energji për ta përdorur më mirë diku tjetër.

    Por ka një dallim të hollë mes mjetit që të ndihmon të mendosh dhe mjetit që mendon për ty. Nëse biçikleta të çon më shpejt, Google të bën të harrosh si të ecësh.

    Efekti paradox: më të mençur, por më pak të kuptueshëm

    Psikologët e quajnë këtë paradoksin e inteligjencës: ne po bëhemi më të aftë për të përballuar informacionin, por më të paaftë për ta përtypur. Bota moderne ka rritur kapacitetin tonë për të procesuar, por ka zvogëluar aftësinë tonë për të reflektuar.

    Ne dimë gjithçka për gjithçka – nga politika e Afrikës në recetat e TikTok-ut – por nuk jemi më të sigurt për asgjë. Jemi më të shpejtë, por më të shpërqendruar. Më të lidhur, por më të vetmuar. Në një farë mënyre, po bëhemi më inteligjentë teknikisht, por më të varfër shpirtërisht.

    Kur inteligjenca shkon dëm

    Sociologia turko–amerikane Zeynep Tufekci thoshte para disa vitesh: “Kemi rekrutuar mendjet më të zgjuara të planetit për të zbuluar se si ta mbajmë dikë në Facebook 10 minuta më shumë.”

    Miliona mendje të ndritura punojnë sot për të krijuar algoritme që mbajnë vëmendjen tonë të lidhur pas ekranit, jo për ta çliruar atë.

    Dhe ja ku jemi: më të zgjuar si specie, por më të manipulueshëm si individë. Të mbërthyer në një spirale “scrolling-u” në telefona, ku lexojmë, klikojmë, reagojmë – por nuk kuptojmë më pse.

    Në vitet ‘80, teoricieni i mediave Neil Postman paralajmëroi në librin e tij “Amusing Ourselves to Death” se nuk do të na shtypte një diktaturë e dhunshme, por një diktaturë e argëtimit. Dhe kishte të drejtë. Sot po mbytemi në përmbajtje, po e humbasim aftësinë për të dalluar çfarë ka vërtet rëndësi.

    Kur inteligjenca s’mjafton më

    Edhe pse jemi më të zgjuar kolektivisht, nuk jemi më të mençur individualisht, si njerëz.

    Nëse jemi kaq të mençur, pse s’kemi zgjidhur ende varfërinë, ndarjet politike, krizën e klimës, luftërat e pafundme? Pse përdorim inteligjencën për të ndërtuar armë më të sakta dhe jo shoqëri më të drejta?

    Mbase sepse inteligjenca pa ndjeshmëri është një motor pa timon. Di të ecë shpejt, por nuk di nga të shkojë. Shkenca të mëson si funksionon bota; emocioni të kujton pse ia vlen të jetojmë në të. Dhe ndoshta, në këtë shekull të mbushur me algoritme, kemi më shumë nevojë për dhembshuri dhe kuriozitet, se sa për IQ më të lartë.

    Pra, çfarë jemi sot? A jemi më të mençur? Po. A jemi më të zgjuar? Ndoshta. A jemi më të kuptuar? Jo gjithmonë.

    Nëse do ta përkufizonim inteligjencën si aftësinë për t’u përshtatur, atëherë po – njerëzimi po bëhet më i mençur. Por nëse do ta përkufizonim si aftësinë për të jetuar mirë me veten dhe me të tjerët, atëherë kemi ende shumë për të mësuar.

    Në fund, ndoshta nuk është çështje e të qenit më i zgjuar apo më budalla, por çfarë bëjmë me gjithë këtë zgjuarsi. Për të ecur përpara, apo si një mënyrë më e sofistikuar për të qenë thjesht… budallenj.

    A po bëhemi më të mençur apo më budallenj?

    Kemi më shumë dije se kurrë më parë. 86% e njerëzve sot dinë të lexojnë, ndërsa dikur vetëm 12%. Por me gjithë këtë informacion në duar, duket sikur kuptojmë më pak.

    Lexojmë më shumë, por mendojmë më pak.

    Në një botë ku jemi më të arsimuar se kurrë, duket se mendojmë më pak. Lexojmë më shumë tekste, por thellohemi më pak. Kemi më shumë informacione, por më pak mençuri.

    Ne dimë gjithçka për gjithçka – nga politika e Afrikës në recetat e TikTok-ut – por nuk jemi më të sigurt për asgjë. Jemi më të shpejtë, por më të shpërqendruar. Më të lidhur, por më të vetmuar. Në një farë mënyre, po bëhemi më inteligjentë teknikisht, por më të varfër shpirtërisht

    A po na bën teknologjia më të zgjuar, apo vetëm më të varur?/bota.al

    ObserverKult

    Lexo edhe:

  • Doli nga shtypi libri “Mund të jetë si në fillimet e kohëve” i Ndue Ukajt

    Doli nga shtypi libri “Mund të jetë si në fillimet e kohëve” i Ndue Ukajt

    Doli nga shtypi libri “Mund të jetë si në fillimet e kohëve”, i autorit Ndue Ukaj, botuar nga Shtëpia Botuese “Onufri” në Tiranë.

    Këtë e bëri të ditur vetë autori i librit.

    “Jam i lumtur të ndaj me ju lajmin se Shtëpia Botuese ‘Onufri’, ka botuar librin tim më të ri me poezi, ‘Mund të jetë si në fillimet e kohëve’”, tha Ukaj.Ai falënderoi Anton Berishajn, Elsa Skënderin e Kadia Dedjajn, “që e lexuan dorëshkrimin dhe me vërejtje e sugjerime, e pasuruan atë”, si dhe Bujar e Enxhi Hudhrit, për realizimin e këtij libri.

    Në vazhdim ju sjellim një poezi të shkëputur nga ky libër:

    “Mund të jetë si në fillimet e kohëve”

    Sot është ditë e re dhe mund të jetësi në fillimet e kohëve.

    Qielli është i kthjellët si një stinë e hareshme,ku rrëshqasin sytë e tu kërkimtarë.

    Ti mos lejo askënd ta ngulfatë bulëzimin e zemrës sate.Qielli është i bukur si një enë e mbushur lumturidhe kujto se vetëm zemrat e bulëzuara japin jetë.

    Ky mëngjes i bardhë si boraështë çast kur sytë duhet të lirohennga imazhet e shkretuara,nga ëndrrat e zezadhe të ecin ditës së re me mendime të reja.

    Dhe në një ditë të remund të futesh në një kopsht të bukur,ku gjithçka mund të kthehet në pranverë,duke ta kujtuar se diellipërherë gjen të çarat nëpër mjegulldhe të prek,dhe të prek butësisht,dhe të prek ëmbëlsisht,si duart e një dashurie përvëluese.

    Se një ditë e re është njëlloj përsëdytje e krijimit,ku ti mund të krijosh gjithçka të bukur,gjithçka të bukur që nuk ka ndodhur kurrë më parëdhe nuk ka mundësi të përsëritet kurrë më si atë ditë. 

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    “PROFETËT E RREMË”, TREGIM NGA NDUE UKAJ