Konsulenti për rrezikun e pastrimit të parave, Dritan Vakaj për nxjerrjen e Shqipërisë nga lista gri e rrezikut për pastrimin e parave, thotë se problem mbetet ende zbatimi i rekomandimeve.
Duke folur për “MCN Economy”, ai deklaroi se Shqipëria e ka afruar legjislacionin, por se ne çalojmë tek zbatimi.
Sipas tij, pasuritë e paluajtshme janë parajsa e pastrimit të parave pasi konsiderohet si investim i sigurt dhe ngriti shqetësimin se jemi vend me ekonomi të lartë informale.
Mbikëqyrja nga FATF nuk është vetëm te 40 rekomandime, por te rezultatet imediate.
Lidhur me rezultatet ne kemi pasur një progres të moderuar, për të mos folur që nga këto rezultate të pritshme i kemi pasur në nivel të ulët.
Ndërtimi është një lloj investimi i parapëlqyer në nivel botëror për pastrimin e parave. Është një nga investimet më të sigurta.
Rritja e vlerës së pronës ka ndodhur në afatgjatë. Kemi dhe një lloj investimi që nuk kërkon ndonjë formim apo kualifikim të caktuar.
Shikohen si investime më të sigurta dhe më të lehta për të investuar. Është një treg relativisht i pëlqyer kudo.
Mundësia për ta ndikuar çmimin e pasurive të paluajtshme është relativisht e ulët.
Britania e Madhe është qendra e pastrimit të parave, kjo edhe prej faktit se sa më i madh është numri i transaksioneve bankare që kryhen, aq më i madh është rreziku.
Ndaj dhe Anglia është ekspozuar në mënyrë të ndjeshme ndaj rreziku i pastrimit të parave.
Në Shqipëri fokusohemi te vepra penale dhe jo te produktet e pastrimit të parave, edhe pse vitet e fundit janë shtuar goditjet në këtë drejtim.
Trajtimi i pasurive të paluajtshme në të gjitha vendet është konsideruar me risk të lartë për pastrimin e parave.
Në vendet e pazhvilluara personat juridik përdoren masivisht për pastrim parash.
Problem janë edhe blerjet me para në dorë në ndërtim. Jemi një vend ku kemi ekonomi të lartë informale.
Kemi raste ku investitorë strategjikë kanë përfunduar në burg dhe janë hetuar edhe për pastrimin e parave.
Category: Ekonomi
-

“Kemi ekonomi të lartë informale”, eksperti: Ndërtimi, i parapëlqyer për pastrimin e parave
-

Forumi për inovacionin dhe shërbimet financiare, Sejko: Pranimi i Shqipërisë në SEPA dhe “Open banking” pika kryesore
Banka e Shqipërisë dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë organizojnë forumin e biznesit me temë, “E ardhmja është tani: Si po riformëson inovacioni shërbimet financiare shqiptare në 2025”
Në fokus të këtij forumi kanë qenë diskutimet mbi inovacionet financiare në tregun shqiptar, një temë kjo mjaft aktuale dhe e rëndësishme për të ardhmen e zhvillimit ekonomik të vendit tonë.
Në fjalën e tij guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko u ndal në dy momente kryesore ku është përqëndruar vëmendja për adoptimin e standardeve më të mira në rritjen e efikasitetit të shërbimeve financiare.
Sejko u shpreh se këto dy momente janë pranimi i Shqipërisë në në juridiksionin e zonës gjeografike SEPA si dhe“Open banking” që tashmë është një realitet.
“Sot, dua të ndalem në dy momente kryesore, ku kemi përqendruar vëmendjen tonë për adoptimin e standardeve më të mira në rritjen e efikasitetit të shërbimeve financiare. Sikurse jeni në dijeni, më 21 nëntor 2024, Këshilli Evropian i Pagesave (EPC) mori vendimin për të pranuar Shqipërinë në juridiksionin e zonës gjeografike SEPA. Ky vendim shënon një hap konkret drejt integrimit të vendit në tregun evropian.
Së dyti, kam kënaqësinë të ritheksoj se “Open banking” është një realitet, për të cilin renditemi po ashtu ndër vendet e para në rajon. Tashmë dhe në Shqipëri bankat nuk janë të vetmet kontrolluese të të dhënave financiare të klientëve. Falë iniciativave të Bankës së Shqipërisë dhe pas disa zhvillimeve të njëpasnjëshme ligjore dhe rregullative, të dhënat financiare të klientëve të bankave ndahen me palë të treta”, u shpreh Sejko.Fjala e plotë e Guvernatorit Gent Sejko:
Kam kënaqësinë të jem pjesë e këtij forumi, për të diskutuar së bashku mbi inovacionet financiare në tregun shqiptar, një temë kjo mjaft aktuale dhe e rëndësishme për të ardhmen e zhvillimit ekonomik të vendit tonë.
Të gjithë jemi dëshmitarë të një transformimi thelbësor për mënyrën se si ofrohen, konsumohen dhe kuptohen shërbimet financiare. Risitë teknologjike po ndryshojnë peizazhin financiar në Shqipëri, duke nxitur zgjerimin e shërbimeve dhe përfshirjen financiare, si dhe duke ofruar mundësi të reja për bizneset dhe konsumatorët. Inovacioni nuk është më një luks apo diçka që i përket së ardhmes. Ai është një realitet i domosdoshëm që po revolucionarizon mënyrën se si mendojnë bankat për pagesat, kreditë, investimet dhe më tej.
Më lejoni t’ju risjell në vëmendje se ekosistemi i pagesave ka përjetuar transformime të rëndësishme në dy dekadat e fundit në nivel global. Teknologjitë e reja kanë transformuar produktet dhe shërbimet e ofruara në tregun e pagesave me vlerë të vogël, ndërkohë që ekosistemi është zgjeruar me aktorë të rinj, të cilët janë kthyer në hallka të rëndësishme në zinxhirin e vlerës së pagesave.
Shqipëria nuk bën përjashtim nga ky trend. Transformimi digjital ka sjellë mundësi të reja për rritjen e efikasitetit të shërbimeve financiare dhe rritjen e përfshirjes së popullatës në financë. Një nga ndikimet më të dukshme të inovacionit në shërbimet financiare të Shqipërisë është transformimi digjital i pagesave dhe i bankingut. Vendi ynë po përjeton një rritje të shërbimeve bankare digjitale, duke i bërë shërbimet financiare më të përshtatshme, më të sigurta dhe më të aksesueshme. Falë përdorimit në rritje të teknologjisë celulare, internetit dhe promovimit të produkteve inovative, konsumatorët po fitojnë akses në shërbime financiare dhe mund të menaxhojnë financat e tyre, të transferojnë para, të paguajnë faturat, në mënyrë elektronike.
Përdorimi i instrumenteve elektronike të pagesave vijon të rritet me ritme dyshifrore, duke ndihmuar në reduktimin e përdorimit të cash-it dhe rritjen e formalizimit të ekonomisë. Numri i pagesave digjitale për frymë ka arritur në 23 në vitin 2024, nga vetëm 2 pagesa për frymë në vitin 2015. Gjithashtu, përfshirja financiare – e matur si përqindje e popullsisë që zotëron të paktën një llogari financiare – ka arritur në 78%, nga rreth 40% në vitin 2015. Infrastruktura për pranimin e instrumenteve digjitale të pagesave gjithashtu ka njohur rritje të përshpejtuar. Instrumente të reja, si pagesat nëpërmjet portofoleve elektronike, po gjejnë përdorim gjithnjë e më të gjerë, duke u shtrirë edhe në popullsi ku aksesi bankar është më i rrallë.
Banka e Shqipërisë ka qenë pararojë në revolucionin që po riformëson mënyrën se si ne aksesojmë dhe ndërveprojmë me shërbimet financiare. Nga njëra anë, ne kemi qenë aktivistë të promovimeve teknologjike në treg, dhe nga ana tjetër kemi siguruar mbrojtjen e nevojshme rregullatore për konsumatorin, stabilitetin financiar dhe mbikëqyrjen e subjekteve financiare.
Shqipëria ishte vendi i parë në rajon, i cili transpozoi kuadrin evropian të shërbimeve të pagesave të njohur si PSD2. Kjo paketë rregullatore i hapi rrugën aktorëve të rinj fintech për ofrimin e produkteve të pagesave të përshtatura sipas nevojave të klientëve, me kosto më të ulëta dhe lehtësisht të përdorshme. Ajo solli dhe një koncept të ri, atë të “open banking”, duke nxitur konkurrencën në treg. Gjithashtu, kemi siguruar ofrimin e infrastrukturave të reja të pagesave, siç është sistemi AIPS Euro, i cili ka mundësuar shmangien e radhëve të gjata nëpër sportelet e bankave për kryerjen e pagesave në euro nga njëra bankë në tjetrën dhe uljen e komisioneve të larta të aplikuara nga transferimi përmes bankave korrespondente. Operimi i këtij sistemi ka gjeneruar kursime të konsiderueshme, të cilat përllogariten në rreth 100 milionë euro. Vetëm nga zerimi i komisioneve për pagesat deri në 20,000 lekë në vitin 2020, konsumatorëve dhe bizneseve u janë kursyer përafërsisht 700 milionë lekë.
Sot, dua të ndalem në dy momente kryesore, ku kemi përqendruar vëmendjen tonë për adoptimin e standardeve më të mira në rritjen e efikasitetit të shërbimeve financiare.
Sikurse jeni në dijeni, më 21 nëntor 2024, Këshilli Evropian i Pagesave (EPC) mori vendimin për të pranuar Shqipërinë në juridiksionin e zonës gjeografike SEPA. Ky vendim shënon një hap konkret drejt integrimit të vendit në tregun evropian. Miratimi i aplikimit evidentoi nivelin e lartë të pajtueshmërisë ligjore të vendit tonë me atë të Bashkimit Evropian në fushën e pagesave dhe mbikëqyrjes financiare. Përfitimet ekonomike nga anëtarësimi në SEPA pritet të reflektohen në uljen e komisioneve ndërkufitare në euro, në zgjerimin e marrëdhënieve tregtare me BE-në, në zgjerimin e investimeve të huaja në vend etj.
Komisionet për kryerjen e transaksioneve SEPA pritet të jenë ndjeshëm më të ulëta sesa ato aktuale. Vlerësojmë se vetëm nga ulja e komisioneve, kryerja e transaksioneve nëpërmjet skemave SEPA do t’u kursejë agjentëve ekonomikë rreth 20 milionë euro në vitin e parë. Këto përfitime do të jenë të prekshme, pasi secili institucion financiar të aplikojë dhe të pranohet individualisht në skemat SEPA. Banka e Shqipërisë po udhëheq procesin e aderimit të çdo institucioni financiar, duke vepruar si urë lidhëse komunikimi dhe informacioni dhe duke monitoruar plotësimin e kritereve përkatëse. Institucionet shqiptare pritet të nisin aplikimet pranë EPC-së duke nisur nga muaji prill 2025. Bankat vendase janë angazhuar maksimalisht për plotësimin e kritereve teknike dhe ligjore, ku duhet të them, disa prej tyre kërkojnë investime të konsiderueshme financiare. Megjithatë, mbetemi besimplotë se qytetarët dhe bizneset shqiptare do të mund të kryejnë transaksione SEPA duke nisur nga muaji tetor.
Së dyti, kam kënaqësinë të ritheksoj se “Open banking” është një realitet, për të cilin renditemi po ashtu ndër vendet e para në rajon. Tashmë dhe në Shqipëri bankat nuk janë të vetmet kontrolluese të të dhënave financiare të klientëve. Falë iniciativave të Bankës së Shqipërisë dhe pas disa zhvillimeve të njëpasnjëshme ligjore dhe rregullative, të dhënat financiare të klientëve të bankave ndahen me palë të treta.
Klientët shqiptarë mund të autorizojnë palët e treta të transferojnë fondet nga llogaritë e tyre bankare për të kryer pagesa dhe për të marrë shërbime të ndryshme. I gjithë ky proces realizohet në mënyrë të sigurt, nëpërmjet ndërfaqeve të aksesit të standardizuara. Këto risi burojnë nga ligji për shërbimet e pagesave (që transpozoi PSD2) të vitit 2020 dhe nga aktet nënligjore që pasuan, të hartuara dhe të implementuara brenda harkut kohor 2021-2024.
Deri më sot, janë autorizuar për të kryer veprimtarinë e ofruesit të shërbimit të inicimit të pagesave dhe atë të informimit të llogarisë, 2 institucione të parasë elektronike dhe 4 të tjera janë në proces shqyrtimi dhe vlerësimi. Sikurse jeni në dijeni, janë shënuar dhe transaksionet e para të suksesshme, ai i inicimit të pagesës dhe i informimit të llogarisë, ndërmjet një banke dhe një institucioni të parasë elektronike, të cilat presim të rriten në volume dhe të shtrihen në më shumë subjekte.
Padyshim që vënia në jetë e Open Banking kërkonte një bashkëpunim të ngushtë midis institucioneve financiare banka dhe atyre jobanka, agjencive qeveritare dhe ofruesve të teknologjisë, të cilat gjej rastin t’i falënderoj. Bankat dhe subjektet e licencuara Fintech kanë kryer investime të konsiderueshme, kanë përmirësuar sistemet e tyre të TI-së dhe kanë marrë certifikimet e nevojshme për të lehtësuar shkëmbimin e sigurt të të dhënave ndërmjet palëve. Nuk mund të lë pa përmendur dhe Agjencinë Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit, e cila pati një rol të rëndësishëm në testimin dhe integrimin e këtyre shërbimeve sipas standardeve më të fundit evropiane të sigurisë.
Ne jemi besimplotë se “bankingu i hapur” do të ulë kostot e shërbimit, rrisë shpejtësinë e pagesave elektronike, si dhe përmirësojë përvojën e përdoruesve në një sektor të avancuar bankar. Përtej sa rendita më sipër, kemi kontribuuar dhe në rritjen e ndjeshme të konkurrencës, dhe vijojmë të jemi në linjë me prioritetet e tjera të Bankës së Shqipërisë, atë të rritjes së përfshirjes financiare dhe nxitjen e rritjes ekonomike.
Ndarja e të dhënave financiare në një shkallë më të gjerë krahasuar me banking-un tradicional patjetër që përtej përfitimeve shoqërohet edhe me rreziqe të mundshme. Për këtë arsye, kuadri ligjor dhe rregullativ aktual, krahas lehtësimit të kryerjes së pagesave elektronike, përfshin rregulla për mbrojtjen e konsumatorit, sigurinë e tij dhe mbrojtjen kundër mashtrimit. Krahas rritjes së popullaritetit të bankingut të hapur, Banka e Shqipërisë do të vijojë të ndjekë me kujdes dhe në kohë reale zhvillimet në këtë drejtim në vendet e Bashkimit Evropian.
Në përfundim, më lejoni ta mbyll duke cituar temën e këtij forumi: E ardhmja është tani, dhe inovacioni është në qendër të transformimit të shërbimeve financiare në Shqipëri. Roli ynë si rregullator, politikëbërës dhe udhëheqës i industrisë është të sigurojmë që këto ndryshime të përqafohen me përgjegjësi dhe në mënyrë të qëndrueshme. Teksa ecim përpara, është e domosdoshme të krijojmë një mjedis që nxit përparimin, duke mbrojtur interesat e të gjithë aktorëve dhe duke synuar të ndërtojmë një sistem financiar që jo vetëm i përgjigjet nevojave aktuale, por gjithashtu hedh themelet për një të ardhme më të begatë dhe gjithëpërfshirëse. -

Në prag të 11 majit, qeveria frenon shpenzimet ndonëse në buxhet po futen më tepër para
Kryesisht nga çmimet dhe fitimet e individëve e bizneseve, në dy muajt e parë të vitit në buxhetin e shtetit hynë mbi 117 miliardë lekë. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se në krahasim me dymujorin e parë të vitit të shkuar, arkëtimet janë rritur me 13 miliardë lekë apo 12.5 për qind.
Me gjithë inflacionin e zbutur, nga tatimi mbi vlerën e shtuar mbi çmimet e ushqimeve dhe produkteve u mblodhën plotë 22.5 miliardë lekë, 3.5 për qind më tepër se një vit më parë. (grafik 2) Rritja e pagave të individëve gjithashtu kontribuoi me 13.5 miliardë lekë nga 10.5 miliardë në janar-shkurtin e një viti më parë.
“Ky është një lajm i mirë për buxhetin e shtetit, por jo për qytetarët dhe bizneset. Këta të fundit po paguajnë më shumë. Na mungon një analizë që të shohë se sa janë ngushtuar evazioni dhe informaliteti. Nëpërmjet tyre ne do mund të matnim edhe performancën e përgjithshme të politikave”, u shpreh për A2 CNN eksperti Eduart Gjokutaj.
Nga ana tjetër qeveria duket se po tregohet më dorështrënguar te shpenzimet. Në dy muajt e parë të vitit për investime shkuan 93.8 miliardë lekë. Në raport me periudhën janar-shkurt 2024 shpenzimet janë zgjeruar me 12 për qind, por ato u realizuan vetëm në masën 92.8 për qind të planit.“Duhet analizuar me kujdes. Pse nuk janë realizuar investimet. Ky është problem. Nuk është kurim por mungesë eficence nga institucionet”, deklaroi eksperti Eduart Gjokutaj.
Të ardhurat ndjeshëm më të larat se shpenzimet bënë që ekonomia e vendit të mbyllej pozitivisht në dy muajt e parë të vitit me , me mbi 10 miliardë lekë të kursyera. /a2 -

Lamtumirë jetës “pa para”, dy vendet europiane zbulojnë rrezikun dhe tërhiqen nga pagesat digjitale
Në një kohë kur shumica e vendeve po shkojnë drejt pagesave digjitale, Suedia dhe Norvegjia po ndryshojnë kurs. Këto dy shtete nordike, të cilat historikisht kanë qenë liderë në përdorimin e pagesave elektronike, tani po rikthejnë paratë e gatshme si një masë sigurie kundër krizave dhe sulmeve kibernetike.
Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore, Suedia dhe Norvegjia kanë nivelin më të ulët të parasë fizike në qarkullim si përqindje e PBB-së në botë. Në Suedi, vetëm një në dhjetë blerje kryhet me para të gatshme, ndërsa pagesat me karta bankare dhe aplikacione mobile janë dominante. Megjithatë, përballë kërcënimeve të mundshme gjeopolitike, qeveritë e këtyre vendeve po inkurajojnë qytetarët të mbajnë para në dorë.
Ministria e Mbrojtjes suedeze ka shpërndarë një udhëzues me titull “Nëse vjen kriza ose lufta”, ku këshillohet përdorimi i rregullt i parasë së gatshme dhe ruajtja e një furnizimi minimal për të paktën një javë. Po ashtu, qeveria suedeze ka propozuar që disa institucione publike dhe biznese private të detyrohen të pranojnë pagesa në para të gatshme për të shmangur përjashtimin e grupeve të caktuara të popullsisë.
Edhe Norvegjia po ndjek një qasje të ngjashme. Vendi miratoi një ligj vitin e kaluar që ndëshkon bizneset që refuzojnë pagesat me para të gatshme. Autoritetet paralajmërojnë se varësia e tepërt nga pagesat digjitale i bën qytetarët të pambrojtur ndaj sulmeve kibernetike. Ish-ministrja e Drejtësisë dhe Situatave të Emergjencës, Emilie Enger Mehl, theksoi se “nëse askush nuk përdor dhe nuk pranon para të gatshme, ato nuk do të jenë më një zgjidhje emergjente kur të vijë kriza.”
Kjo kthesë vjen në një kohë kur pjesa më e madhe e Europës po ecën drejt një shoqërie pa para të gatshme. Megjithatë, për Suedinë dhe Norvegjinë, siguria kombëtare duket se ka përparësi mbi modernizimin e pagesave. -

Mbi 11 mijë të huaj të punësur në treg, 5 mijë vende pune të lira edhe për emigrantët
Zyrtarisht në vitin që lamë pas mbi 11 mijë shtetas të huaj u bënë pjesë e tregut të punës në Shqipëri. Shifra i korrespondon lejeve unike që jepen për të huajt, që është leje qëndrimi dhe leje pune.
Në dy vitet e fundit ka një trend të rritje të punësimit të të huajve, për shkak edhe të emigrimit, kryesisht në zonat rurale.
Por bizneset ankohen se produktiviteti i tyre është i ulët, ndaj kthimi i emigrantëve është një nevojë emergjente për tregun e punës, konsumin, skemën e sigurimeve shoqërore.
Për mazhorancën panaritet e ndërkombëtare të punës janë një faktor që ndikojnë pozitivisht në rekrutimin e emigrantëve.
“Ne shohim që në vitin që lam pas patëm 11 224 leje pune të dhëna për shtetasit e huaj. Kjo shifër është me e lartë se viti 2023. Konkretisht në 2023 u dhanë 9825 leje për të huajt, që u punësuan në tregun vendas, një shifër kjo gati 14 % më e lartë”, -tha Olta Manjani gjatë një interviste me gazetaren Rajmonda Lajthia në Vizion Plus
Panari i punës i zhvilluar në Athinë dhe një tjetër që do të pasohet në Itali janë një mundësi që punëdhënësit të përballen me punëkërkuesit. Ndërkohë që janë me mijëra vendet e lira të punës që kërkojnë punonjës në këtë prag sezoni turistik
“Nga ajo çfarë ne ofruam në panarin e Athinës në fillim të këtij muaji me prezencën e gati 120 biznesve shqiptare, na rezulton se në Agjencinë Kombëtare të Punës kemi gati 5000 vende të lira bosh që kërkojnë të plotësohen për sektorë të ndryshëm të ekonomisë, por më së shumti fokusuar tek shërbimet, që janë dhe derivat i sektorit kryesor, turizmit“, u shpreh më tej Manjani.
Përveç panaireve, qeveria ka miratuar edhe paketën e maleve, si një mundësi që emigrantët të vijnë dhe të investojnë pa taksa, ndërsa pronën ta marrin me 1 euro. -

Standard & Poor’s vlerëson pozitivisht borxhin shqiptar, shkak turizmi, shpenzimet dhe…
Shërbimi i vlerësimit të cilësisë së borxheve, Standard & Poor’s rrit për herë të dytë në harkun e një viti vlerësimin për titujt e borxheve sovrane të Shqipërisë në “BB-” nga “B+” që ishte (23 mars 2024 rishikimi i fundit).
Agjencia vlerëson cilësinë e borxhit të një vendi apo një korporate për llogari të investitorëve të këtij borxhi. S&P vlerëson aktualisht përmirësimin e pozicionit fiskal si arsyen kryesore të rritjes së vlerësimit.
Vlerësimi BB- nga Standard & Poor’s është një vlerësim i ulët kredie, që bie në kategorinë “non-investment grade” ose e thënë ndryshe “junk” (e rrezikshme për investim).
Vendit apo kompanisë i njihet kapaciteti për të paguar borxhet, por ka një rrezik të shtuar që nuk do t’i përmbushë detyrimet nëse përkeqësohet klima ekonomike ose financiare. -

Thellohet tatëpjeta e Euros/ Ekspertët tregojnë çfarë po e dobëson monedhën
Rreth 4% e zhvlerësuar krahasuar me një vit më parë, por duke vijuar tatëpjetën edhe në 2025, kjo është situata në të cilën ndodhet euro aktualisht.
Monedha europiane vijon të humbas terren duke u këmbyer për 98.96 lekë sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.
Është turizmi, remitancat por dhe afrimi i zgjedhjeve parlamentare sipas ekspertëve që po dobësojnë më tej këtë valutë.
“Shohim që muaji shkurt dhe mars me ngrohjen e temperaturave kemi sjellë dhe nëncmimin e euros për shkak të rritjes së numrit të turistëve që vizitojnë Shqipërinë. Fenomeni i dytë është dhe rritja e remitancave kanë sjellë së fundmi emigrantët kanë sjellë më shumë para këto muaj duke ndikuar drejtëpërdrejtë tek euro. Ne kemi parë që investimet e huaja direkte janë në nivelet më të larta në pasuritë e patundshme dhe këto të fundit i kanë transaksionet në euro.”, shprehet Romina Radonshiq, ekspert ekonomie.
Efekti i zhvlerësimit të euros ka sjellë humbje në të ardhurat e buxhetit të shtetit. 160 milionë euro më pak u regjistruan nga TVSH në import në 2024. Ndërsa më pak fitime kanë patur edhe eksportuesit. Por nga ana tjetër kjo situatë po favorizon ndjeshëm borxhin e jashtëm.
“Banka e nivelit të dytë po japin më pak kredi në euro për të menaxhuar riskun. Por fituesit kryesor është qeveria për shkak të borxhit të jashtëm që ka në euro dhe të ardhurat i ka në lekë kur konvertohen në euro ajo ka mundësi që të lajë këtë borxh të jashtëm.”, shton më tej ekspertja e ekonomisë.
Në tendencë rënëse ndodhet edhe monedhat e tjera kryesore. Dollari Amerikan këmbehet për 91.36 lekë, paundi britanik 118.15 lekë dhe franga zviceriane 103.61 lekë.
ECURIA E EUROS
(Burimi: Banka e Shqipërisë)
Mars 2024 102.93 lekëMars 2025 98.96 lekë
TREGU VALUTOR
(Burimi: Banka e Shqipërisë)
Dollari 91.36 lekëPaundi britanik 118.15 lekëFranga zviceriane 103.61 lekë -

Institucionet dhe Bashkitë, me 7.3 mld lekë të prapambetura! Ministria e Infrastrukturës bën investime, por nuk paguan
Miliona euro të parashikuara për investime gjatë vitit të kaluar nuk u shpenzuan nga institucionet dhe bashkitë, e nga ana tjetër vjet thotë Ministria e Financave u shtuan detyrimet e shtetit për investime të papaguara.
Bazuar në të dhënat e fundit të Ministrisë për detyrimet e prapambetura, thuhet se ato u ulën nga 7.8 miliardë lekë në vitin 2023 në 7.3 miliardë lekë në dhjetor të vitit 2024. Pra u tkurrën me 525 milionë lekë!
Por ‘hallet’ e vjetra shoqërojnë institucionet qendrore e vendore. Afro 2 miliardë lekë borxhe janë vetëm për investime të bëra nga privati por janë të palikujduara nga shteti. Këtë problematikë më së shumti e ka Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ku nga 949 milionë lekë borxhe afro 850 milionë lekë janë vetëm për investime të papaguara.
Kategoria e tjetër me vlerën më të lartë të borxheve është ajo e vendimeve gjyqësore që lidhen kryesisht me largimet e padrejta nga puna të punonjësve të administratës. Afro 1.3 miliardë lekë detyrime i përkasin kësaj kategorie, ku pjesa më e madhe është e përqendruar tek Ministria e Brendshme me 537 milionë lekë borxhe, ndjekur nga Ministria e Shëndetësisë që ka mbi 157 milionë i ka për vendime gjyqësore.
Më pas janë 580 milionë lekë borxhe për shërbime të papaguara, pra njëjtë si në rastin e investimeve edhe në këtë pikë, shteti nuk ka paguar për shërbimet që ka marrë, problematikë e hasur kryesisht tek bashkitë.
Sa i takon bashkive, peshën më të madhe të detyrimeve e kanë Kavaja me 737 milionë lekë, Tirana me 570 mln lekë dhe Pogradeci me 238 milionë lekë borxhe.
DETYRIMET E PRAPAMBETURA: -Dhjetor 2023 7,852 mln lekë-Dhjetor 2024 7,327 mln lekë-Diferenca -525 mln lekë
BORXHET SIPAS KATEGORISË: -Investime 2,026 mln lekë-Vendime gjyqësore 1,291 mln lekë-Shërbime 580 mln lekë
BORXHET SIPAS BASHKIVE:-Bashkia Kavajë 737 mln lekë-Bashkia Tiranë 570 mln lekë-Bashkia Pogradec 238 mln lekë -

Planet për Bankën Shqiptare të Zhvillimit, Ibrahimaj: Do garantojë zhvillim, kemi sektorë të nënfinancuar
Banka Shqiptare e Zhvillimit është organi i ri që qeveria shqiptare shpreson se do të garantojë zhvillimin ekonomik dhe të ndihmojë ata sektorë të cilët tani shihen në pozitë të vështirë nga sektori bankar.
E ftuar në studion e emisionit “Ekspres” në RTSH 1, ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, sqaroi se Banka do të ngrihet me kapital 100 për qind shtetëror.
Projektligji u miratua javën e kaluar nga Kuvendi dhe financimet e Bankës do të kenë prioritet bizneset që përfshihen në vepra infrastrukturore, eksporte apo projekte strategjike për ekonominë.
“Ligji parashikon që 51 për qind të jetë kapital shtetëror dhe pjesa tjetër mund të mbahet nga institucionet ndërkombëtare financiare, ose edhe kombëtare. Në fillimet e saj kapitali do të jetë 100 për qind shtetëror, pasi banka do të strukturohet, duhet të formatohet, të marrë personat në punë, të bëjë investimet për sistemet në mënyrë që të jetë operativë dhe të tërheqë kapital nga aksionerët e jashtëm.
Kapitali fillestar është 100 milionë euro, i cili shpërndahet në këste. Sipas ligjit, ky kapital do i paguhet Bankës në krye të katër viteve, kohë e mjaftueshme për t’u parashikuar nga buxheti,” sqaroi ministrja Ibrahimaj.
Sipas shefes së dikasterit për sipërmarrjen, Shqipëria ka aktualisht disa sektorë të nënfinancuar.
“Ne ndodhemi në një moment historik në të cilin kemi një normë të rritjes ekonomike, e cila varion në 3,3–3,4 për qind. Në mënyrë që rritja të vijojë e qëndrueshme duhet që të ketë investime publike, që janë të kufizuara nga tavanet buxhetore, por edhe investimet private. Shqipëria mbetet ende një nga ato vende që kanë normën e kreditimit ndaj PBB-së më të ulët se vendet e tjera të rajonit.
Natyrisht që bankat nuk u japin kredi sektorëve me risk të lartë dhe për këtë arsye themelohet ky entitet, një sh.a., i cili do të bashkëpunojë me sistemin bankar për të marrë një pjesë të riskut në mënyrë që kreditimi të nxitet,” tha ministrja e Shtetit.
Ibrahimaj tregoi edhe planet se kur mund të nisë punën Banka me kreditimin e ekonomisë.
“Unë uroj që brenda këtij viti të jetë e mundur për buxhetin e shtetit që të ketë një kapital për Bankën, në mënyrë që të regjistrohet dhe të rekrutojë njerëz. Sipas një plani biznesi që kemi përgatitur në bashkëpunim me një entitet simotër në Itali, Cassa Depositi e Presti, ne parashikojmë që gjatë vitit 2026 të kemi produkte të reja të garancisë, të cilat do të lëvrohen nëpërmjet sistemit bankar. Në vende të shumta të botës këto lloje bankash kanë qenë shumë efektive qoftë në drejtimin e zhvillimit ekonomik, por edhe në drejtim të përthithjes së fondeve ndërkombëtare dhe kryesisht të fondeve të Bashkimit Europian.
Nuk bëhet fjalë që të financohen kompani që janë të pafinancueshme, informale apo kompani që nuk kanë një plan biznesi afatgjatë. Bëhet fjalë që të suportohen ato kompani që e kanë një perspektivë, por në afatshkurtër ndoshta kanë një lloj problematike. Kemi sektorë të ndryshëm, si bujqësia apo manifaktura, që në vitet e fundit, për shkak të forcimit të lekut dhe të ekonomisë shqiptare, kanë pasur një goditje në nivel të ardhurash, pasi i kanë pasur në euro, por kanë një plan biznesi solid, kanë investime të kryera, persona të marrë në punë.
Individët nuk do të kreditohen. Do të kreditohet sektori privat dhe Banka nuk operon me sportelet e veta, por nëpërmjet bankave të nivelit të dytë. Pra, kjo Bankë do të krijojë produkte kursimi të cilat do të mblidhen nëpërmjet Postës Shqiptare dhe produktet e kursimit do u drejtohen individëve. Sigurisht duke u siguruar që të mos bëjmë konkurrencë me sektorin bankar, pasi nuk është qëllimi që të tërhiqen depozitat nga sektori bankar dhe të shkojnë në produkte kursimi të kësaj Banke, por të aksesojmë ato targetgrupe të paaksesuara nga sektori bankar dhe në këtë formë sigurojmë rritjet të likuiditetit dhe rrisim edukimin financiar, nga ana tjetër,” deklaroi ministrja Ibrahimaj në bisedë me gazetarin Nolian Lole. -

Gjatë 2024, rreth 5 miliardë euro të ardhura nga turizmi!
Turizmi vijon të injektojë në ekonominë e vendit miliarda Euro vitet e fundit, ku dhe gjatë vitit të kaluar shifrat e arkëtimeve nga ky sektor kanë qenë pozitive.
Sipas raportit me të fundit të Bankës së Shqipërisë, për 3 mujorin e katërt të 2024, eksporti i shërbimeve të udhëtimit i ka siguruar ekonomisë vendase rreth 1.1 miliardë Euro ose rreth 5 miliardë Euro gjatë gjithë vitit të kaluar.
Kjo shifër tregon se turizmi kontribuoi me rreth 400 milionë Euro më shumë në arkën e shtetit krahasuar me vitin 2023.
Shërbimet e udhëtimit gjenerojnë respektivisht 66% të flukseve valutore në hyrje dhe rreth 74% të shpenzimeve të kategorisë së shërbimeve.
Rritja e numrit të udhëtarëve përbën faktorin përcaktues për këtë ecuri. Në të njëjtën kohë, shpenzimi ditor dhe kohëqëndrimi për udhëtar janë vlerësuar në rritje. Sipas Bankës së Shqipërisë, nga ana tjetër, udhëtarët rezidentë shqiptarë dhe të huaj kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre jashtë vendit 612 milionë Euro.
Shërbime të tjera biznesi rezultuan me bilanc pozitiv prej 123 milionë Euro, në rritje vjetore prej 2%. Për tremujorin e katërt të vitit 2024, flukset valutore hyrëse për ekonominë shqiptarë nën këtë kategori shërbimi, shënuan rreth 159 milionë Euro.