Category: Aktualitet

  • PD-në e Berishës nuk e fiton dot edhe po dogje rrobat e trupit

    PD-në e Berishës nuk e fiton dot edhe po dogje rrobat e trupit

    Nga Skënder Minxhozi/

    Dashnor Sula është një njeri i dëshpëruar sot. I dëshpëruar dhe i zhgënjyer. Nuk është hera e parë që i ndodh kjo për shkak të partisë ku militon prej kohësh që s’mbahen mend. Ka ushqyer në tre vjetët e fundit një iluzion i cili sot u arshivua bashkë me iluzionet e tjera të humbura në Partinë Demokratike. Ka menduar, si shumë të tjerë, se kësaj rradhe edhe Foltorja ka qenë reale, edhe bashkëjetesa e Spakistëve me anti-Spakistët është e mundshme, ka besuar se Berisha ka ndryshuar (!!!), ka menduar se në vitin e 35 pas rrëzimit të komunizmit partia e tij do të hapej më në fund prej vërteti dhe ai bashkë me të tjerë do të kishin në dispozicion rregulla loje dhe procedura që të ishin më të forta se kryetari. Ka gabuar vetëm në një element: tek personi i kryetarit!

    Iluzioni kolektiv i një PD-je më të fortë, më të hapur dhe më fitimtare se ajo e Lulzim Bashës mori fund sot edhe formalisht me hedhjen në letër të listave të kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Edhe një herë më tepër, sot u pa sprova e radhës e grushtit të hekurt të Sali Berishës mbi forcën e tij politike. Nuk ka më kongrese nëpër stadiume me votë të hapur, nuk ka më premtime për të zgjedhur gjithkënd dhe gjithçka me votim, me primare dhe me garë të ndershme. Madje këta që fituan primaret janë sot të gjithë të shokuar sesi e kanë parë veten të hedhur në kosh me një laps e një letër në dorën e Doktorit.

    Edhe një herë tjetër, si në vitet ’90, si në vitet e para 2000 por edhe në ato të dytat, as dekada e tretë e këtij mijëvjeçari nuk e ka shëruar dot Partinë Demokratike nga pabesia historike e Sali Berishës.

    Kushdo që kishte shpresa se kjo do të ndryshonte nuk e ka njohur as Berishën dhe as PD e tij. Sepse kjo e sotmja është PD e tij personale. Mjafton të shohësh listën e Tiranës për të kuptuar sesi lënia në listë të hapur e Jorida Tabakut apo Ilir Alimehmetit është një mesazh i fortë për llojin e politikanit që vijon të bëjë përpara në parti.

    Shumëkush e kujton pasionin e Dashnor Sulës në parlament apo studiot televizive. Kujton sesi dogji xhaketën për të dhënë një mesazh proteste, ashtu siç kujton sesi ushqeu për muaj me radhë shpresën romantike të bashkëjetësës mes luajalitetit për Berishën dhe përkrahjes për drejtësinë e re. Sot e tha publikisht se kishte qenë ky iluzion i kotë që e kishte hedhur në rrugën e madhe të politikës. Dash Sula foli edhe për ata që heshtën!

    Sali Berisha bëri gjënë më të lexueshme në këto zgjedhje. Përkundër Ramës, i cili ka hedhur në fushën e votave emra me peshë për të tërhequr sa më shumë vota, ai zgjodhi të mbajë pranë vetes vathën e besnikëve dhe të kompromentojë rezultatin final duke lënë në listat e hapura emra më të dobët që nuk e zmadhojnë thesin e votave.

    Ky akumulim emrash në kokën e listave nëpër qarqe dëshmon hapur dhe açik frikën që ka në elitën e sotme të Partisë Demokratike në lidhje me shanset reale për fitore në 11 maj. Duke u bërë grumbull në zonën e sigurt të votave, lidershipi politik i partisë në Veri dhe në Jug tregon se e ka të qartë pamundësinë objektive për të kapur masën kritike që duhet për të çuar në opozitë Ramën dhe socialistët. Lista e 11 majit e opozitës PD-PL-PR etjetj, është një pranim humbjeje ende pa u prerë shiriti i fushatës zgjedhore.

  • Dilema e Ramës, redaktor i Veliajt apo kryeredaktor i listës

    Dilema e Ramës, redaktor i Veliajt apo kryeredaktor i listës

    Nga Lorenc Vangjeli

    Nga gardhi i SPAK-ut Berisha hodhi një gur për disa zogj njëhrësh: “Rama është redaktori”, tha ish-kryeministri duke ju referuar disa përgjimeve të supozuara në qeli të Erion Veliajt, në të cilat ai përmendte pikërisht këtë term. Ai ishte njeriun pa emër, por i quajtur “redaktori”, i cili do t’i hidhte një sy e do t’u jepte një dorë publikimeve të tij të përditshme në FB nga qelia. Përpara se ta përmendte Berisha, emri i Ramës ishte pilotuar në disa media po me këtë cilësim.

    Që nga arrestimi i tij në fillim të shkurtit, kryetari i bashkisë së Tiranës është përfshirë në replika një kalimshme me një nga prokurorët dhe gjykatësin e arrestit të tij. Ai u pasua nga disa dalje po të njëpasnjëshme të kryeministrit, që hyri në një spirale përplasjeje në distancë me disa prokurorë të SPAK-ut dhe gjykatësin e çështjes, kryesisht për masën e sigurisë së dhënë për Veliajn. Mbas një zjarri lufte që u duk sikur u telekomandua nga arresti, po si me telekomandim, ai zjarr u shua fare papritur. Çudia e shpalljes së luftës dhe armëpushimit zgjati vërtet më shumë se tre ditë, por në një kthesë të befasishme të ngjarjeve, kryeministri u tërhoq i pari dhe më pas edhe vetë Veliaj, të cilit, si të mos i mjaftonte e gjithë rrokullisja e fatit të tij, u ballafaqua edhe me një goditje tjetër të rëndë. Në dosjen e çuar në apel, në mënyrë të befasishme u sollën si prova shtesë edhe përgjime telefonike dhe ambientale, që sipas akuzës, provonin rrezikshmërinë e tij dhe arsyetonin zgjatjen e arrestit në burg. Edhe pse në këtë pikë juristët nuk kanë dilema – ky është akt në kapërcim të kodit të procedurës – reagimi i socialistëve ishte më shumë se i vakët. Vetë Rama kishte kërkuar që asnjë nga njerëzit e tij të mos komentonte më SPAK-un dhe të mos vihej në mbrojtje të Veliajt. Madje një nga deputetët e tij edhe u soll si shembulli që duhet të ndiqte heshtja zyrtare socialiste për socialistin e zhurmshëm të qelisë.

    Në pamje të parë kjo spirale kundërthënëse që nisi me reagimet e Ramës në grup e kulmoi me miting në shesh të kryeministrit, duket se ka një kontradiktë. Kundërshtarët e të dyve gjetën rastin dhe njëherë të thonë se “Rama i shet të vetët”, vartësit e pranuan dhe njëherë si përherë në heshtje vendimin pa shpjegim të shefit të tyre. Por ka shumë më shumë se kaq dhe e vërteta nuk është asnjëherë bardh e zi. Me më pak se dy muaj nga dita për t’u ballafaquar me kutitë e votimit, instikti apo sondazhet e tij të preferuara i thanë Ramës se tema Veliaj nuk është e përshtatshme në fushatë:

    Se vlen më shumë të tallet me paraardhësin e Veliajt në bashki, Lulzim Bashën e të përqeshë florën dhe faunën e “kënetës demokratike”, sesa të qajë hallin njerëzor e politik të Erionit, Se i intereson shumë më shumë të merret me mustaqet e Gjuzit, sesa me briskun e SPAK-t që po rruan papritur majtas,

    Se mbi të gjitha, ka nevojë urgjente të bëjë të njohur publikisht anonimët e listës së tij në cilësinë e kryeredaktorit të Podcastit vetjak, sesa të vazhdojë të jetë “redaktori” i Erion Veliajt.

    Përballë empatisë ndaj padrejtësisë së mundshme dhe të shkuarës së përbashkët me njeriun e tij dhe sprintit të së ardhmes në 11 maj, Rama natyrisht nuk ka pasur asnjë dilemë në të zgjedhur. Ndaj nuk pati asnjë përgjigje për thikën e helmët që Berisha tentoi të fusë mes të Ramës e Veliajt – pa llogaritur Ulsiun në mes – sepse fatet e tyre, së paku deri për zgjedhje, janë të ndara: njëri kërkon një mandat të katërt, tjetri është nën dëshpërimin për kërcënimin me disa dimra që mund të kalojë në pranga.

    Si për të shenjuar një vizë ndarjeje mes këtyre dy qëndrimeve, Rama kaloi gjithë fundjavën me maratonën gati dhjetë orëshe me 80 të ftuarit e tij, kandidatë për deputetë, në rolin e tij të preferuar prej kryeredaktori të medias. Por ky është vetëm një moment që mund të gënjejë naivët se do te vazhdoje gjate. Llogaritë mes “Të gjatit dhe Lalit”, siç i njohin në Tiranë, nuk janë mbyllur këtu. Zgjedhjet në fillim dhe faktorë të tjerë më pas, do të rikonfigurojnë në mënyrë dramatike të tjera ekuilibra në Tiranë. Me të gjitha gjasat, fatet e tyre do të kryqëzohen sërish. Atëherë kur Rama nga redaktor e kryeredaktor në këto kohë, do të shndërrohet serish në avokat i të drejtave të shkelura të Veliajt. Si një lëvizje me detyrim e përcaktim nëse do të donte jo vetëm të rrinte edhe katër vjet në zyrë, por edhe të qeveriste realisht. Ndryshe, duke e lëshuar fatin e Veliajt në rënie të lirë, askush, po askush nga njerëzit që do të thërrasë në qeverisje, nuk do të guxojë të thotë: “Po”, si zakonisht mbasi ai të urdhërojë si gjithmonë: “Hë, bëje!”. Dhe kjo është më e pakta që pret të ndodhë mbas majit Sali Berisha, ato dy herë në muaj tek gardhi i SPAK-ut. Hallet e përbashkëta, si rregull, bashkojnë dhe çfarë duken krejt të kundërta!

  • Shpata e Dumanit dhe paralajmërimi i heshtur i Grenell

    Shpata e Dumanit dhe paralajmërimi i heshtur i Grenell

    Nga Skënder Minxhozi/

     

     

    Bashkëpunëtori i ngushtë i Donald Trump, Richard Grenell, ka shpërndarë në rrjetin social një mesazh kritik të kryeministrit shqiptar në lidhje me ndalimin nga ana e Gjykatës Speciale të Kosovës të ish-presidentit Hashim Thaçi, për të marrë pjesë në varrimin e të jatit. “Një poshtërim i ri nga një tribunal i turpshëm dhe i paturp, që e ka shndërruar drejtësinë ndërkombëtare në një farsë, të drejtat demokratike në fjalë boshe dhe vullnetin e mirë të Kuvendit të Kosovës në bumerangun më brutal”, shkruante Rama në mesazhin i cili është rishpërndarë nga zyrtari i afërt i presidentit Trump.

    Dhe këtu s’ka ndonjë gjë për t’u habitur, pasi është i njohur qëndrimi parimisht skeptik i republikanëve amerikanë ndaj korpusit të drejtësisë, e ndaj prokurorëve e gjyqtarëve amerikanë në veçanti. Saga hetimore e gjyqësore me mbi 90 akuza penale ndaj Donald Trump, rrezikoi ta çonte atë në burg në vjeshtën e vitit të shkuar. Vetëm fitorja e presidencës në 5 nëntor e shpëtoi Trump nga prangat thuajse të sigurta, që po përgatiteshin në disa shtete të SHBA.

    Reagimi i Grenell ndërkaq pasqyron jo vetëm këtë kulturë mohimi të qeverisësve aktualë në Amerikë ndaj një pjese të drejtësisë së vendit të tyre, por më gjerësisht edhe ndaj proceseve të tjera gjyqësore ku ndodhen të përfshirë aleatë potencialë të Trump nëpër botë apo edhe zyrtarë që shihen me sy të mirë në Uashington. Prej vitesh Grenell është shprehur kundër procesit ndaj Hashim Thaçit, çka shtoi zërat se një fitore e Trump në zgjedhje do të ishte ndër të tjera edhe një liri e afërt për ish-presidentin kosovar.

    Duke e zgjeruar optikën e reagimit të Richard Grenell, ajo çka na tregon dalja e tij në krah të Hashim Thaçit është alergjia aspak e fshehur e administratës aktuale amerikane ndaj teprimeve që sipas tyre sistemet e drejtësisë në vendet e treta po tregojnë ndaj politikës, biznesit e mediave. Ky qëndrim është pjesë e fushatës kundër prokurorëve e gjykatësve që Trump ka ndërmarrë në SHBA, duke premtuar se do t’i ndëshkojë ata që ngritën ndaj tij dhjetra akuza të rënda, por të cilat ranë si me magji sapo ai fitoi zgjedhjet.

    Këtu në Shqipëri amerikanët kanë heshtur pas fitores elektorale të Donald Trump, ndaj zhvillimeve të vrullshme që kanë përfshirë sistemin e drejtësisë tonë të re, i cili së fundi është në kurs përplasjeje edhe me “aleatin” e saj kryesor mes elitës politike, shumicën qeverisëse të majtë.

    Asnjë deklaratë nuk shënohet nga ambasada amerikane, e aq më pak nga institucionet në Uashington, pasi arrestimi pa gjyq i kryebashkiakut Veliaj provokoi një reagim të ashpër të kryeministrit Rama ndaj SPAK që vijon prej javësh. Duke mos prekur pjesën e hetimit, Rama ka pasur kritika të ashpra ndaj drejtësisë së re për faktin se po aplikon një standart të ashpër paraburgimi për kryebashkiakun e Tiranës. Rastet e Berishës, Metës dhe Veliajt, ku të hetuarit janë arrestuar e burgosur pa u shpallur të pandehur, i janë shtuar ngjarjeve të tjera të debatueshme siç qe përgjimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese pa vendim gjykate.

    Rama i kujtoi të mërkurën Altin Dumanit se tashmë ai ka në dorë një shpatë “që ja dhamë ne”. I kujtoi edhe periudhën kur ishte prokuror dhe nuk bënte këto hetime e arrestime që bën sot. Një apel që tingëllon edhe si një tërheqje vëmendje se cili është në të vërtetë “autori dhe pronari” i shpatës që mban sot në dorë drejtësia e re.

    E gjitha kjo sherrnajë në distancë mes qeverisë dhe SPAK ka ndodhur pas ngritjes së stekës së hetimeve të drejtësisë së re ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë, hetime të cilat kanë vendosur lupën e opinionit publik edhe mbi vetë prokurorët e gjyqtarët.

    Shqipëria po konfirmohet edhe një herë si vendi i ekstremeve. Në harkun e pak viteve po kalojmë nga një sistem i dominuar nga partitokracia ku nuk dënohej askush, në një ligj xhungle të vendosur me dorën e hekurt të drejtësisë së re, e cila arreston, përgjon e dënon cilindo me standarte që në disa aspekte ngjajnë teatrale dhe të sofrcuara. Shihni vendimin e Strasburgut për Thoma Gëllçin. Apo nëse doni të dini sesa selektiv dhe “a la carte” është ky grushti i hekurt i drejtësisë speciale, shihni edhe vendimin tjetër të Strasburgut për 21 janarin që shpërfillet nga SPAK si të ishte një copë letër bakalli!

    Mes sjelljes së zellshme ndaj Gëllçit dhe heshtjes për 21 janarin apo edhe për Gërdecin, të krijohet përshtypja se ka një qasje selektive të drejtësisë së re ndaj atyre dosjeve të nxehta që kanë mbajtur pezull shqiptarët për dekada të tëra e që kanë qenë ndër shtysat kryesore për vetë reformën në drejtësi pas vitit 2013.

    Në këtë konteskt edhe postimi i mesazhit të Ramës nga Grenell, në dukje i largët nga konteksti shqiptar, në fakt nuk është i tillë. Amerikanët që qeverisin sot në Uashington, kanë alergji të shprehur ndaj gjykatave e prokurorëve që ashtu si në rastin e Hashim Thaçit, tregojnë një zell të tepruar për të zgjatur listën e akuzave dhe bërë presion mbi të akuzuarit. Pas nëntë viteve që paketa kushtetuese e reformës në drejtësi u votua në Kuvendi, është koha që drejtësia e re shqiptare të gjejë dhe ndjekë ekuilibrin e brishtë mes të drejtave dhe hetimit e dënimit të krimit e korrupsionit. Administrata e sotme Trump e përmend çdo ditë këtë mesazh të fortë ndaj sistemit të saj të drejtësisë. Me ose pa të drejtë, në mënyrë normale apo edhe duke e politizuar e shtyrë përtej linjave. Kjo skakierë ku luan politika dhe ligji, politikani dhe prokurori a gjyqtari, është shumë komplekse dhe delikate dhe e ndjeshme. Duhet një sens mase dhe vetëpërmbajtjeje ku ne shqiptarët kemi dëshmuar historikisht e në mënyrë të përsëritur se jemi të pazotët të sillemi kujdesshëm. Dhe po na ra në dorë shpata, duam ta përdorim siç duam, jo siç duhet.

  • Katastrofa paraelektorale e Sali Berishës

    Katastrofa paraelektorale e Sali Berishës

    Nga Skënder Minxhozi/

    Çdo natë, pas daljes së listave zyrtare të 1 majit, gjen nëpër studiot e debateve televizive një lloj politikani që ka më shumë për të thënë e kritikuar  për përtinë e vet sesa për kundërshtarin. Janë kandidatët e lënë jashtë listave, ose të hedhur nga zona e rehatshme e listës së mbyllur tek gara vrastare në listë të hapur. I përkasin që të gjithë opozitës, madje një koalicioni opozitar: Aleancës për Shqipërinë Madhështore. Burra e gra deri dje pretendentë dhe me vota nga pas në vendet e tyre të origjinës tani dalin e sulmojnë publikisht Berishën e Nokën që i trajtuan si presje dhjetore. Dashnor Sula, një politikan i vjetër dhe me influencë në një pjesë të Shqipërisë së mesme, është rasti klasik sesi një forcë politike hedh nga dritarja disa mijëra vota, vetëm se i del nga fjala një demokrati të hershëm.

    Madhështore kjo aleancë ka tashmë vetëm emrin, pas asaj që ka ndodhur javët e fundit. E gjitha kjo e parapërgatitur nga një stinë e gjatë absurdi që është konsumuar brenda mureve të selisë së ish-Shqupit. Si fillim, pasi mori partinë me vendim gjykate, Doktori filloi ta zhveshë projektin e tij të ri politik nga të gjitha premtimet që kishte bërë gjatë turit të Foltores në vitet 2022-2023. Ndërsa Lulzim Basha zbehej gradualisht në marzhet e opozitës, Berisha i mblodhi  një nga një rreth vetes njerëzit e ish-kryetarit, me premtimin se do të respektonte qëndrimet dhe pozicionet e tyre. Sot, tre vjet pas fillimit të atij procesi, ka vetëm një PD dhe ajo i përket Sali Berishës. Kush ka hyrë në atë derë me mendjen e vet (apo atë të Lulit), ka kohë që e ka bërë lavazhin cerebral, sipas linjës politike të shefit të vjetër.

    Kjo parapërgatitje ka krijuar kushtet që sot të kemi një formacion politik ku ende dëgjohen termat “bashkëjetesë” apo edhe “primare”, po ku gjithçka është false si në ato dyqanet me fruta dhe ushqime plastike që ka ndërtuar qeveria e Kim Jong Unit në të dalë të aeroporteve nga vijnë pak qindra të huajt që vizitojnë me leje Korenë e Veriut. Ka primare po s’ka fitimtarë primaresh. Ka votime, por s’ka vendimmarrje konform atyre votimeve.

    Rudimenti i premtimeve të hapjes dhe liberalizimit të partisë bëri që primaret të mbijetojnë edhe në këtë fillim-fushate. Për të zezën e PD, kuptohet. Sepse ata që e morën seriozisht premtimin se me primaret do të prenotonin një vend në parlament, u zhgënjyen keqas. E kotë të kujtojmë listën e gjatë të të zhgënjyerve që u votuan nga anëtarësia dhe sot gjenden në rrugë të madhe pasi Doktori i bëri listat ashtu siç kishte menduar dhe planifikuar.

    Edhe po të donte ta prishte me dorën e vet fushatën aktuale, Sali Berisha s’do ta bënte dot më mirë se kaq sabotimin e vetvetes. Në momentin kur atij dhe opozitës së vjetër i duhej çdo votë e mundshme shqiptari që është kundër qeverisë dhe Edi Ramës, kreu i PD la rrugës bishta e fraksione, injoroi aleatë të vjetër dhe parti të reja, duke toleruar një nebulozë siglash në radhët e opozitës, e cila do të thithë vota kudo në 12 qarqet ku do votohet pas dy muajsh. Të gjitha sondazhet tregojnë qartë sesa e dëmshme do të jetë kjo ushtri paralele opozitarësh të cilët Berisha vijon t’i përqeshë për kandidimin e familjarëve apo për atë që ai e quan “rreshtim krah Ramës”

    Në anën tjetër Doktori shpërfilli taktikën e organizimit të listave, duke grupuar senatorët në zonë të sigurt e duke i hedhur të tjerët në betejë përballë ministrave të Ramës, si një pre e sigurt përballë makinerisë së shtetit. Sot pakkush beson se listat me burokratët në zonë të sigurt dhe gjithë të tjerët në mëshirën e fatit, janë një lëvizje që mund të prodhojnë rotacion në 11 maj. E kundërta është e vërtetë.

    Opozita shkon në këto zgjedhje pa një kandidat kryeministër. Është si të thuash një ushtri pa komandant. Natyrisht është Berisha kreu i saj, por që njerëzit të votojnë qeverisjen e nesërme duhet që të dinë kush do të jetë qeverisësi i nesërm, e jo vetëm kryetari i partisë. Sepse në rastin e Berishës kjo ka rëndësi jo të vogël, nga momenti që për të personalisht do të jetë e vështirë të drejtojë ekzekutivin pa pasur mundësi të shkelë në Londër, Uashington a Nju Jork.

    E meqë ra llafi tek amerikanët, duket se Doktorit po i bajatet në dorë edhe teza e “sherifit të ri në qytet”. Thënë ndryshe, blerja e shërbimeve të këshilltarit të Donald Trump për të përmirësuar pozitën e tij në SHBA dhe për të dhënë përshtypjen se administrata e re e ka me sy të mirë ish-kryeministrin. Raporti i fundit i Departamentit të Shtetit të Marco Rubios tregon në fakt të kundërtën, teksa e citon rastin e Berishës në gërmë dhe pa i ndryshuar asgjë pozicionit të vjetër të “soroistit” Blinken.

    Teksa këqyr këto ditë lojën me batuta në distancë mes Ramës dhe Bashës, duke u munduar të përdorë edhe një herë ironinë e tij të njohur banale, Sali Berisha duket i pafuqishëm të ndalojë një trend që e sheh si humbës të sigurt në zgjedhjet e ardhshme, duke i hequr për herë të katërt demokratëve shpresën për një rikthim në pushtet. Kjo perspektivë që ai po e ndërton me duart  e tij në emër të bindjes se nuk mund ta ndryshojë më fatin që e pret, është me gjasë akti i fundit i degradimit të pushtetit të tij të gjatë politik. Një fund i hidhur dhe pa kthim. Jo vetëm për të, por edhe për partinë që ka vendosur të marrë me vete teposhtë.