Berisha “non-grata” për korrupsion rrezikon të fundosë edhe strategun amerikan LaCivita, Romeo Kara ngre alarmin…

Juristi i njohur, Romeo Kara ka komentuar një nga çështjet më të diskutuara të fushatës elektorale në Shqipëri, atë të përfshirjes së strategut amerikan LaCivita në mbështetje të Sali Berishës, politikanit të shpallur “non grata” nga SHBA për korrupsion madhor.
Në intervistën për gazetën “SOT”, Z.Kara ngre alarmin për pasoja të rënda ligjore ndërkombëtare që mund të vijnë si rezultat i financimeve të dyshimta dhe të padeklaruara për fushatën, duke paralajmëruar një zinxhir hetimesh për lobim të paligjshëm dhe pastrim parash. Ai e konsideron këtë operacion si një tentativë të rrezikshme për të ringjallur një ‘kufomë politike’, që jo vetëm s’ka më legjitimitet moral e politik, por mund të tërheqë në rrëzim edhe vetë strategun amerikan që e mbështet. Sipas Karës, përfshirja e LaCivitës, i njohur për zbukurimin propagandistik të klientëve të tij, nuk përbën as garanci ligjore e as sukses elektoral, por përkundrazi mund të përfundojë në një skandal ndërkombëtar me përmasa të mëdha. Ai thotë se, nëse nuk kryhet transparencë urgjente mbi pagesat dhe burimin e fondeve të fushatës, SPAK dhe institucionet e drejtësisë ndërkombëtare mund të detyrohen të ndërhyjnë.
-Z. Kara, si e shihni fushatën zgjedhore? A shikoni ndonjë ndryshim nga fushatat e mëparshme, si në ton, ashtu edhe në përmbajtje?
Kemi një fushatë që vjen më e qetë në krahasim me ato të mëparshmet, pavarësisht ngjashmërive të shumta në disa aspekte, më e kamufluar në drejtim të manipulimit, e përqendruar në përballjen e batutave dhe jo të programeve dhe besueshmërisë, jo bindëse dhe jo shpresëdhënëse apo pikë kthese historike. Fushata është përqendruar rreth liderëve, duke lënë në hije kandidatët, gjë që shpreh deformimin dhe rrënimin e demokracisë brenda partive kryesore dhe krejt sistemit, duke lënë pak vend për shpresë dhe ndryshim, nëse nuk sfidohet i gjithë sistemi dhe të konsiderohet ky establishment postkomunist si një i tërë, në dukje i përçarë, por në thelb i sinkronizuar dhe në unitet të plotë.
Për herë të parë shumë shqiptarë që banojnë jashtë vendit po votojnë, kanë shprehur një interesim mbi atë të parashikuar për të marrë pjesë në proces, gjë që jep shpresë për të ardhmen, por që vetë akoma nuk kanë arritur të organizohen dhe të ofrojnë në parlament përfaqësuesit e tyre si përfaqësues të shumicës së votuesve. Parashikoj që këta votues të rinj mund të krisin statuskuon nëse do të zgjedhin të organizohen politikisht jashtë dy partive tradicionale dhe të përfaqësohen me njerëz nga radhët e tyre. Pra, kjo fushatë mund të shënojë fillimin e fundit të dominancës dypartiake, duke i rikthyer gjithashtu nëpërmjet pjesëmarrjes në votime sovranitetin popullit shqiptar që punon e jeton jashtë kufijve. Pra, ka disa dinamika që, edhe pse janë jo në pjekurinë e duhur, premtojnë për zhvillime pozitive në një të ardhme të afërt.
-Në skenën politike po shfaqen gjithnjë e më shumë parti të reja. Si i vlerësoni këto prurje të reja politike? A mund të përbëjnë ato një kërcënim real për partitë tradicionale?
Gjithmonë e reja sfidon tradicionalen, por çdo gjë duhet vlerësuar hap pas hapi. Në shumë pikëpamje unë jam konservator, pra jo çdo gjë duhet hedhur poshtë si e vjetër, përkundrazi duhet ruajtur me çdo kusht. Parimet dhe morali kurrë nuk vjetërohen, as besimi në Zot gjithashtu, prandaj duhet bërë kujdes kur në emër të risive rrënojmë bazat morale të shoqërisë, ashtu siç kemi bërë për dekada me radhë. Në anën tjetër duhet patjetër të ndryshojmë të gjithë ne që të ndryshojë realiteti, gjë që kërkon guximin dhe zgjuarsinë për të përqafuar ndryshimin apo të bëhemi vetë ne faktorë të ndryshimit. Pikërisht ky ndryshim duhet bërë sa më shpejt, si duhet dhe larg manipulimit që vjen nga e vjetra që kërcënohet nga ndryshimi. Deri më tani, duke vlerësuar besueshmërinë e partive të reja, që janë fotokopje në strukturë si të vjetrat, pra parti të liderëve, nuk shoh ndonjë rrezik serioz për partitë tradicionale. Partitë e reja, duke u zhytur shpesh në përçarje e konflikte me njëra-tjetrën, nuk po sjellin frymën e re, sfiduese ndaj establishmentit dhe shpresëdhënëse, pasi përllogaritjet e parakohshme për disa vende në parlament e kanë zbehur deri diku procesin unifikues të domosdoshëm të tyre.
-Strategu amerikan Lacavita ka mbërritur në Shqipëri dhe po ndihmon zotin Berisha në këtë fushatë. Mendoni se prania e tij do të ndikojë realisht në rritjen e mbështetjes për PD-në? Dhe sa mundësi ka që lidhjet e tij me presidentin Trump të ndihmojnë në heqjen e “non grata”-s për zotin Berisha?
Lacavita zakonisht paguhet për të ndihmuar, por në këtë rast po superpaguhet për të ringjallur një kufomë politike, gjë që po bën qesharak si atë ashtu edhe vetë klientin e tij.LaCivita kuron së jashtmi, pasi transformimi i brendshëm i Berishës fillimisht do kërkonte ekzorcist e më pas udhërrëfyes, kështu që kemi si produkt të tij një Berishë me kapele kopje-kineze të Trumpit, shoqëruar me sloganin për Shqipërinë Madhështore, gjë që rrënon përfundimisht shpresat e berishianëve se LaCivita do bëjë mrekullinë e predikuar. Me plot meritë Berisha është shpallur non grata më 19 maj 2021 nga Departamenti i Shtetit pikërisht për korrupsion madhor, kështu që të vetmen gjë madhështore që Berisha mund të bëjë është pikërisht ajo që ka bërë deri më tani dhe për të cilën nuk kemi asnjë dilemë e dyshim.
I mbyturi të mbyt, kështu që shumë shpejt mund të kemi LaCivitanë me probleme ligjore lidhur me financimin prej Berishës për shërbimet e tij, financime të cilat paligjshmërisht mbahen të padeklaruara. Aq sa bëhet plaka goxhe e re, aq bëhet Shqipëria Madhështore me Berishën, prandaj le t’i besojmë syve tanë dhe jo broçkullave të një mashtruesi profesionist si LaCivita që ka për profesion zbukurimin e klientëve dhe për më tepër as vetë nuk i beson ato që thotë për klientin e tij non grata. Është mjerim për ne që ta shohim Berishën dhe realitetin tonë me syzet e LaCivitas. Sidoqoftë, LaCivita u kujdes të deklaronte se ai nuk fliste në emër të SHBA apo Trumpit. Kjo gjë hedh poshtë çdo aludim se ai do t’i heqë non gratën Berishës. Raporti i Departamentit të Shtetit më 25 mars të këtij viti, ku Berisha përmendet përsëri, nuk lë shumë vend për shpresën berishiane të fshirjes së non gratës.
-A mendoni se ish-kryeministri Sali Berisha duhet të bëjë transparencë të plotë për mënyrën se si është paguar avokati italian Massimo D’Angelo (i njohur si Lacavita), që po e përfaqëson atë në proceset ligjore ndërkombëtare?
Tani mendoj se është detyrë ligjore e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe SPAK-ut për ta bërë një transparencë të tillë dhe besoj se kjo gjë do të bëhet patjetër. Shpresoj se kjo gjë do të bëhet pikërisht përpara zgjedhjeve. Nuk pres aspak një transparencë dhe sinqeritet nga Berisha, sidomos duke parë sikletin e tij kur e pyesin për sa më sipër.-Ilir Meta po garon në zgjedhjet e ardhshme në një listë të hapur. A mendoni se ai do të arrijë të zgjidhet deputet në rrethanat aktuale politike dhe me perceptimin publik që ka sot?Ky kod zgjedhor dhe pazari politik me Berishën mund t’i mundësojë atij zgjedhjen si deputet, por Kushtetuta parashikon se ai mund ta gëzojë mandatin vetëm nëse betohet. Duke pasur parasysh precedentin Beleri, e mendoj të vështirë betimin e tij. Megjithatë le të presim. Në vendin e çudirave jetojmë.
Intervistoi: Rigels Seliman