Avioni ulet në pistën e Vlorës, Rama: Në janar nis fluturimet nga Kukësi “Air Kosova”

Sikundër ishte premtuar, këtë të enjte u realizua fluturimi i parë test në aeroportin ndërkombëtar të Vlorës.
Ulja e avionit ishte dhe një certifikim i pistës së aeroportit, ndërkohë po vijohet me certifikimin e komponentëve të tjerë të aeroportit. Kreu i qeverisë e konsideroi  projekt shumë sfidues.
“Projekti s’ka qenë aspak i lehtë dhe tejet sfidues. Mjafton të shohësh pak më larg se si i gjithë aeroporti është ngritur dy metra nga sipërfaqja e terrenit, pasi terreni është 2 metra nën nivelin e detit dhe çfarë pune e jashtëzakonshme është bërë në të gjithë pjesën e padukshme për të garantuar një platformë solide të kategorisë më të lartë ndërkombëtare”, u shpreh Rama.

Të njëjtin qëndrim ndau edhe Bexhet Pacolli i cili përfaqëson dhe kompaninë që po zbaton punimet e këtij aeroporti.
“Për mua është e vështirë ta mendoja se ky projekt do të bëhej realitet. Jam zgjuar dhe kam fjetur me këtë projekt. E di kam marrë kritika për afatet e tij, por premtoj se shumë shpejt ai do të jetë funksional dhe do të jetë krenaria jonë dhe e shtetit shqiptarë”, tha Pacolli
Investimi mbi këtë projekt ka tejkaluar parashikimet fillestare.
“Flitej për një investim 104 mln euro në fillim. Sot flasim për një investim deri tani 140 milion euro dhe terminali është 17 mijë metra katror pra i trefishuar nga projekti fillestarë”.
Ndërkohë  lidhur me kritikat për aeroportin e Kukësit i cili ende nuk ka fluturime, Rama njoftoi kompaninë që do të fluturojë, e cila do të jetë shqiptare.
“Në janar është regjistruar zyrtarisht kompania, një kompani e re shqiptare që do të nisë së shpejti për të mos i ndalur më fluturimet në aeroportin e Kukësit. Air Kosova do të jetë kompania tjetër shqiptare dhe këta dy avionë do të jenë dy avionët e krenarisë tonë të përbashkët”, tha Rama.
Aeroporti i Vlorës pritet të hapet brenda vitit dhe do të jetë për fluturime transoqeanike./vizionplus.tv