Author: Syri.net

  • Kërkonin rikthimin e mbretit në pushtet, Nepali heton dhunën vdekjeprurëse në tubimin pro-monarkisë

    Qeveria e Nepalit po heton dhunën vdekjeprurëse që ndodhi gjatë një tubimi nga mbështetësit e ish-mbretit, që kërkonin rivendosjen e monarkisë kushtetuese, tha një ministër të shtunën.

    Dy persona u vranë të premten dhe të paktën 112 u plagosën, përfshirë 77 zyrtarë të sigurisë, thanë autoritetet, pasi policia përdori forcë për të ndaluar turmën që gjuante gurë teksa marshonte drejt ndërtesës së parlamentit në kryeqytetin Katmandu.

    Protestuesit vandalizuan shtëpi, dyqane, një spital, një zyrë partie politike, automjete dhe një qendër tregtare dhe i rrëmbyen një armë policisë, thanë autoritetet në vendin Himalayan.

    “Ky është vandalizëm i pastër, zjarrvënie, plaçkitje dhe anarki. Nuk mund të jetë një protestë,” tha për Reuters zëdhënësi i kabinetit Prithvi Subba Gurung, ministër i komunikimit dhe teknologjisë së informacionit.

    Rishiram Tiwari, shefi i qarkut të Katmandu, tha se 105 protestues, duke përfshirë disa liderë pro-monarkisë, u arrestuan.

    Monarkia 239-vjeçare e Nepalit u shfuqizua në vitin 2008 nga një asamble e zgjedhur posaçërisht si pjesë e një marrëveshjeje me ish-rebelët maoistë, duke i dhënë fund një kryengritjeje që vrau 17,000 njerëz midis 1996 dhe 2006.

    Mbreti i fundit, 77-vjeçari Gyanendra, jeton si banor i zakonshëm me familjen e tij në një shtëpi private në Katmandu.

    Paqëndrueshmëria politike ka tronditur Nepalin, një nga vendet më të varfra në botë, me 14 qeveri që nga shfuqizimi i monarkisë, duke penguar rritjen ekonomike dhe duke dekurajuar investimet.

    Frustrimi publik është rritur për dështimin e qeverive të njëpasnjëshme për të përmbushur angazhimet për të zhvilluar ekonominë e vendit, një tampon natyror midis gjigantëve aziatikë, Kinës dhe Indisë./ Reuters.

  • Policia shpall në kërkim autorin e dyshuar të plagosjes me armë zjarri në Kamëz

    Policia shpall në kërkim autorin e dyshuar të plagosjes me armë zjarri në Kamëz

    Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur ditën e djeshme në Kamëz, ku një 29-vjeçar është lënduar.

    Policia e Tiranës ka reaguar menjëherë pas njoftimit të marrë rreth orës 13:55 dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

    Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe hetimeve të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Komisariati Nr. 5, është identifikuar dhe shpallur në kërkim autori i dyshuar, shtetasi Emanuel Buci, 23 vjeç.

    Ai dyshohet se për motive ende të paqarta ka plagosur me armë zjarri 29-vjeçarin M. Xh. Policia vazhdon kontrollet në zonë për kapjen e autorit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

    Njoftimi i plotë:

    Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë.

    Falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, Policia identifikon dhe shpall në kërkim autorin e dyshuar të plagosjes me armë zjarri, të 29-vjeçarit, ngjarje e ndodhur ditën e djeshme në Kamëz.

    Menjëherë pas njoftimit të marrë rreth orës 13:55, ditën e djeshme, në Kamëz, se një shtetas ishte plagosur me armë zjarri shërbimet e Policisë, kanë shkuar menjeherë në vendngjarje.

    Si rezultat e një pune të mirëorganizuar, të kryer nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Komisariatin Nr. 5, nën drejtimin e Prokurorisë, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar shtetasit E. B., 23 vjeç, i cili dyshohet se për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri, shtetasin M. Xh., 29 vjeç. 

    Shërbimet e Policisë vijojnë ende kontrollet në të gjithë zonën me qëllim lokalizimin, kapjen dhe vënia në pranga të autorit dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

    Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

  • Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja? Ja me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro

    Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja? Ja me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro

    Sot, më 29 mars 2025, dollari amerikan blihet me 91 lekë dhe shitet me 92.5 lekë.

    Euro blihet me 98.5 lekë dhe shitet 99.5 lekë.

    Franga zvicerane këmbehet në blerje me 102.8 lekë, ndërsa në shitje me 103.8 lekë.

    Paundi britanik blihet me 117.6 lekë dhe shitet me 118.6 lekë.

    Dollari kanadez sot në blerje këmbehet me 63.3 lekë, ndërsa në shitje me 65.1 lekë.

    Më poshtë, po sjellim të dhënat e këmbimin valutor, për të gjitha monedhat e huaja:

     

  • Ceremonia historike sot në Tiranë/ Kryepeshkopi Joan Pelushi fronëzohet në krye të Kishës Orthodokse në Katedralen ‘Ngjallja e Krishtit’

    Ceremonia historike sot në Tiranë/ Kryepeshkopi Joan Pelushi fronëzohet në krye të Kishës Orthodokse në Katedralen ‘Ngjallja e Krishtit’

    Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë sot do të mbahet ceremonia historike e fronëzimit të Kryepeshkopit të ri të Shqipërisë, Joan Pelushi.

    Qindra besimtarë pritet të marrin pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, duke shënuar për herë të parë uljen e një kryepeshkopi shqiptar në fronin më të lartë kishtar.

    Ceremonia do të ndiqet nga përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar dhe atij grek, si dhe delegacione nga 13 Kishat Ortodokse të botës.

    Greqia do të përfaqësohet nga ministrja për Edukimin dhe Fenë, ndërkohë që bie në sy mungesa e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, i cili pati një paraqitje në ceremoninë e lamtumirës së ish-kryepeshkopit Anastas Janullatos.

    Nga përfaqësuesit shtetërorë, pritet që fjalën ta mbajë vetëm presidenti Bajram Begaj, ndërsa në emër të Sinodit të Shenjtë do të përshëndesë Mitropoliti i Apolonisë, Hirësia e tij, Nikolla. Fjalimi kryesor i ceremonisë do të jetë ai i Kryepeshkopit Joan, i cili më pas do të ulet për herë të parë në fronin kryepiskopal, një detyrë që do ta mbajë për gjithë jetën.

    Të dielën, Kryepeshkopi i ri do të mbajë shërbesën e tij të parë si kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, ndërkohë që pritet të emërojë pasardhësin e tij në Mitropolinë e Korçës, ku ka shërbyer që prej vitit 1998.

  • AI blen platformën e mediave sociale X

    AI blen platformën e mediave sociale X

    Elon Musk njoftoi të premten se xAI ka blerë X, platformën e mediave sociale e njohur më parë si Twitter.

    “@xAI ka blerë @X në një transaksion, të gjitha aksionet. Kombinimi vlerëson xAI në 80 miliardë dollarë dhe X në 33 miliardë dollarë (45 miliardë dollarë më pak borxhin prej 12 miliardë dollarësh),” shkroi Musk në X.

    xAI u themelua nga Musk në mars 2023 dhe është i njohur për zhvillimin e chatbotit të AI Grok i cili është i integruar në X.

    “X është sheshi digjital i qytetit ku më shumë se 600 milionë përdorues aktivë shkojnë për të gjetur burimin në kohë reale të së vërtetës tokësore dhe, në dy vitet e fundit, është transformuar në një nga kompanitë më efikase në botë, duke e pozicionuar atë për të ofruar rritje të shkallëzueshme në të ardhmen”, tha Musk.

    Ai shtoi se e ardhmja e xAI dhe X është “ndërthurur”, dhe blerja shënon hapin drejt njohjes së kombinimit.

    “Ky kombinim do të zhbllokojë potencialin e jashtëzakonshëm, duke përzier aftësinë dhe ekspertizën e avancuar të inteligjencës artificiale të xAI me shtrirjen masive të X. Kompania e kombinuar, do të ofrojë përvoja më të zgjuara dhe më kuptimplota për miliarda njerëz, duke i qëndruar besnik misionit tonë kryesor për të kërkuar të vërtetën dhe avancimin e njohurive,” tha ai.

    Musk vuri në dukje se zhvillimi do t’i lejojë kompanitë, të përshpejtojnë “progresin njerëzor”.

    X u ble nga Musk më 2022 për 44 miliardë dollarë./ AA.

  • Trump: Mark Brnovich do të jetë ambasador i SHBA-së në Serbi

    Trump: Mark Brnovich do të jetë ambasador i SHBA-së në Serbi

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë të ditur se e ka emëruar Mark Brnovichin si ambasador të Shteteve të Bashkuara në Serbi.

    “Marku është veteran krenar i Gardës Kombëtare dhe paraprakisht ka shërbyer si Prokuror i Përgjithshëm i Arizonës. Si djalë i refugjatëve që ikën prej komunizmit, Mark do të jetë mbrojtës i fuqishëm i lirisë dhe do ta vendosë Amerikën gjithmonë të parën”, ka thënë Trump.

    Brnovich ka lindur në Detroit të Miçiganit më 1966. Prindërit e tij ishin nga Serbia, që kishin imigruar prej ish-Jugosllavisë. Babai i tij ishte me prejardhje nga Mali i Zi ndërsa nëna nga Spliti i Kroacisë.

    Agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar më 2023 se Brnovich është përballur me polemika rreth hetimeve që ka kryer për fletëvotimet e zgjedhjeve të vitit 2020. Brnovich ka thënë pas fitores së Joe Bidenit kundër Donald Trumpit se zyra e tij ka zbuluar dëshmi që “ngrenë pikëpyetje për zgjedhjet e vitit 2020 në Arizonë”.

    Megjithatë, hetuesit e tij kanë dështuar që të verifikojnë ndonjë sugjerim për mashtrime me vota, pavarësisht se ia kanë dedikuar 10.000 orë hetimit, sipas dokumenteve të brendshme të publikuara nga pasardhësi i Brnovichit, raporton Reuters.

    Në kohën kur Brnovich e ka publikuar raportin, ai ka qenë duke garuar si republikan për të përfaqësuar Arizonën në Sentin amerikan, por ka humbur. Trump pretendon se zgjedhjet e vitit 2020 janë përcjellë me një mori parregullsish, të cilat kanë rezultuar me humbjen e tij. Më 6 janar 2021, Kongresi e ka konfirmuar fitoren e Bidenit./ REL

  • Fluturimi më i gjatë në botë nis në 2027 – pasagjerët do të shohin dy herë lindjen e diellit

    Fluturimi më i gjatë në botë nis në 2027 – pasagjerët do të shohin dy herë lindjen e diellit

    Linja ajrore australiane Qantas Airways ka njoftuar se në vitin 2027 do të nisë fluturimin më të gjatë në botë, duke lidhur Londrën me Sidnein pa ndalesë.

    Ky projekt ambicioz, i njohur si “Projekti Agimi”, synon të shkurtojë me rreth 4 orë kohëzgjatjen e udhëtimit, duke përshkuar 16,000 kilometra për 19 orë rresht. Aktualisht, rekordi i përket Singapore Airlines me fluturimin Singapor-Nju Jork, që zgjat 18 orë.

    Qantas do të realizojë këtë itinerar me avionët Airbus A350-1000, të cilët pritet të dorëzohen në fund të vitit 2026. Fillimisht, projekti ishte planifikuar për vitin 2025, por u shty për shkak të pandemisë dhe sfidave teknike.

    Emri “Projekti Agimi” nuk është i rastësishëm: pasagjerët do të përjetojnë një fenomen unik gjatë këtij fluturimi – ata do të kenë mundësinë të shohin lindjen e diellit dy herë.

  • Alarmi/ Rënia e prodhimit, industria dhe bujqësia hyjnë në recesion

    Alarmi/ Rënia e prodhimit, industria dhe bujqësia hyjnë në recesion

    Sektori prodhues në vendin tonë ka hyrë në një fazë të gjatë recensioni.

    Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se bujqësia ra për të katërtin vit radhazi me 2024, ndërsa industria ra për të dytin vit.

    Prodhimi bujqësor ra me -1.1% më 2024 nga -1.8 më 2023, ndërsa sektori i industrisë shënoi rënie me -6.7%, më e forta që nga pandemia 2020.

    Në sektorin e bujqësisë ishin të punësuar 32.2 për qind të totalit të punonjësve dhe në industri rreth 13.4%. Të dy këto sektorë kontribuuan në 45.7 për qind të totalit të punësimit me 2023, sipas INSTAT. Që nga viti 2019 kontributi i bujqësisë në punësim erdhi më rënie me 4 pikë për qind, ndërsa industria mbajti të njëjtën peshë.

    Të dhëna më të detajuara tregojnë se, bujqësia është në trajektore rënëse kryesisht për shkak të zhvillimeve negative në fermat familjare së fortë të sektorit të blegtorisë. Në dekadën e fundit numri i kafshëve për qumësht dhe mish gati është përgjysmuar prej falimentit të fermave të vogla.

    Rënia e popullsisë në fshatra dhe plakja e saj ka bërë që fermat e vogla familjare me kafshë të shuhen. Për të njëjtat arsye ka rënë edhe prodhimi bujqësor në fushë. Fermat familjare për vetë- konsum janë në faliment të vazhdueshëm nga pakësimi dhe plakja e popullsisë në fshat.

    Prodhimi bujqësor po organizohet në formë biznesesh me sera për eksport. Për shkak të këtij tranzicioni tani fermerët që prodhonin për vetë-konsum janë kthyer në konsumatorë që nxisin rritjen e importeve të prodhimeve bujqësore nga jashtë. Në bashkitë e vogla pothuajse nuk ka ma tregje fshatarësh.

    Prodhimi bujqësor është ndikuar negativisht edhe nga mungesa e subvencioneve dhe bllokimi i fondeve IPARD. Këtë vit financimet nga skema e kombëtare janë rreth 75 milionë euro nga të cilat 70 për qind janë shpenzime operacionale dhe vetëm 30 për qind e fondit është investim që shton prodhimin.

    Sakaq, sektori i industrisë hyri në vitin e dytë të rënies me 2024 prej faktorëve që lidhen kryesisht me rënies e vlerës së euros dhe rritjes së kostove te brendshme. Rënia e euros nga niveli 122 lekë më 2021 në më pak se 100 lekë vitin e kaluar uli të ardhurat e eksportuesve duke bërë që shumë kompani të mbyllin aktivitetin.

    Vetëm fabrikat e veshjeve dhe këpucëve kanë shkurtuar gati një të pestën e vendeve të punës vitin e kaluar sipas të dhënave nga statistikat afatshkurtra.

    Modeli ekonomik i vendit po zhvendoset nga shpejtësi nga prodhimit tek shërbimet dhe tregtia, pas një përpjekje për dekada për të krijuar produkte “Made in ALbania”. Ekspertë të ekonomisë mendojnë se prodhimi përgjithësisht integron ekonomitë në zinxhirët e lartë të vlerës. Psh gjatë pandemisë Covid-19, ku bota u vendos nën masa kufizuese vendet që kishin ekonomi prodhuese shënuan rënie me të ulët se, ato që ishin të bazuar në shërbime sidomos turizëm./MONITOR

  • Edhe sa mandate i duhen Ramës për të shfarosur totalisht bujqësinë

    Edhe sa mandate i duhen Ramës për të shfarosur totalisht bujqësinë

    Klodian Tomorri/

    Grafiku më poshtë tregon rritjen reale të prodhimit bujqësor në tremujorin e katërt të 6 viteve të fundit. Ose më saktë rënen e tij. Baza krahasuese është vjetore, pra tremujori i katërt krahasuar me tremujorin e katërt të vitit parardhës.
    Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, bujqësia shqiptare ka hyrë në një spirale të pandalshme rënie, duke shënuar tkurrje të prodhimit në pesë nga gjashtë tremujorët e fundit të vitit. Dhe shifrat e rënies janë të larta. Por çfarë do të thotë kjo?  Më poshtë, grafiku që tregon ndryshimin kumulativ të prodhimit bujqësor në vëllim.

    Në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, bujqësia shqiptare prodhoi 17.8 për qind më pak prodhim se sa në tremujorin e katërt të vitit 2018. Dhe efekti financiar i kësaj rënie është dramatik.

    Nëse çmimet e prodhimeve bujqësore do të fiksoheshin në vitin 2020 për të pastruar efektin e inflacionit, atëherë rezulton se familjet bujqësore të Shqipërisë, në tremujorin e fundit të vitit të kaluar fituan nga prodhimet e tyre 100 milionë euro më pak se sa fitonin në tremujorin e fundit të 6 viteve më parë.

     

    Duke qenë se familjet fermere janë përgjithësisht ato me të ardhurat më të ulëta, impakti social i kësaj rënie është dramatik. Të varfër që bëhen gjithmonë edhe më të varfër për shkak të shkatërrimit të sektorit nga i cili ata sigurojnë shumicën dërrmuese të të ardhurave të tyre.

    Dhe ky cikël i paprecedentë rënie, shtron natyrshëm një pyetje cinike. Edhe sa mandate i duhen qeverisë për të shfarosur totalisht bujqësinë shqiptare?

    Nëse merr për bazën trendin e mandatit të fundit, rezulton se në vitin 2030, atëherë kur Edi Rama premton se do t’u japë shqiptarëve pasaportën e BE-së, bujqësia shqiptare do të ishte gati sa gjysma e asaj të vitit 2018.

    Ky është një realitet distopik për shkak se ciklet e ekonomisë e bëjnë praktikisht të pamundur rënien e vazhdueshme të një sektori për një kohë të gjatë dhe kaq të thellë. Por po të shohësh atë që ka ndodhur me bujqësinë shqiptare në 7 vitet e fundit, misioni për të asgjësuar totalisht ekonominë rurale të vendit dhe fshatin nuk është aq i pamundur.

  • Qendër memoriale për At Gjergj Fishtën, por pa ‘gjurmë’ të tij

    Qendër memoriale për At Gjergj Fishtën, por pa ‘gjurmë’ të tij

    Rruga që përshkon kodrat e fshatit Fishtë në Lezhë rizgjohet herë-pas-here nga tabelat informuese, që të kujtojnë gjurmët e rilindasit At Gjergj Fishta.

    Në këtë itinerar historik, shtëpia, muzeu dhe më pas një kullë e gurtë, e ftohtë, shfaqen si pika referimi, me memorialin e sapopëruruar të poetit kombëtar në qendër.

    E konceptuar si një udhëtim në shtigjet e Fishtës – ku ai lindi, jetoi dhe dha kontributin e tij – të martën kulla u bë ndalesë jo vetëm për të interesuarit mbi itinerarin fishtian, por edhe për përfaqësues të institucioneve qendrore e vendore, sikurse dhe dhjetëra banorëve.

    Përurimi i memorialit që synon të shërbejë si hapësirë kulturore për zonën u krye dy vite pas përfundimit të punimeve.

    “Një hapësirë, e cila do t’i shërbejë kulturës së këtij rajoni, por edhe autorëve të rinj shqiptarë, që do ta kenë si rezidencë për t’u frymëzuar, për të shkruar krijimet e tyre dhe për të vijuar rrugën e bukur të shkrimit shqip të nisur nga Fishta dhe rilindasit tanë,” u shpreh Alda Bardhyli, drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

    Për Fano Kullin, studiuesin dhe botuesin e entit “Gjergj Fishta” janë disa pika pelegrinazhi që përbëjnë të gjithë korpusin e projektit gjurmë fishtiane.

    Tabelat orientuese gjatë rrugës për në Fishtë

    “Kur e pashë për herë të parë këtë projekt të realizuar, ndjeva një emocion të veçantë dhe bindjen e plotë se është një nga ndërhyrjet më të çmuara për figurën fundamentale të kulturës sonë kombëtare, poetin tonë kombëtar, Gjergj Fishtën,” tha Kulli.

    Ndërkohë, kryeministri Edi Rama e konsideroi memorialin si një prej ndalesave të itinerarit fishtian, që përshkon një rrugë prej tre kilometrash.

    Megjithatë, përtej përurimit, memoriali dhe hapësira e dedikuar për krijimtarinë dhe artistët nuk mbartin asnjë gjurmë të shtëpisë së lindjes së Fishtës, përveç emrit të tij.

    Studiuesi dhe prifti katolik Dom Nik Ukgjini e sheh projektin si një transformim që nuk pasqyron identitetin historik të zonës. Ai shprehet se atje ku ndodheshin themelet e shtëpisë së lindjes së poetit, dikur i shënuar me një kyç si simbol përkujtimor, sot nuk ka asgjë që e lidh këtë truall me figurën e Fishtës.

    “Mendoj se duhet të kërkohet përgjegjësi se kush e rrënoi atë natyrë të bukur. Kush i hodhi ata gurë të themelit, ato pragje të shtëpisë, sado pak të kenë qenë, ato duhet të ruheshin, të kultivoheshin, ka forma të ndryshme dhe të bëhej tip muzeu me ato gurë të themeleve të asaj kulle dy katëshe, ekzistojnë fotografitë dhe ka mundur që të krijohet një ide dhe të rikthehet kulla e asaj periudhe”, u shpreh Dom Nik Ukgjini për Citizens.al.

    Sipas Dom Nik Ukgjinit, projekti fillestar ka ndryshuar kah, duke u transformuar gjatë rrugës.

    “Këtu rrinë grupet e interesit pas monumenteve të kulturës që kjo është për mua një gjë shumë e rendë, kur në emër të përfitimeve të disa biznesmenëve atje shkatërrohen monumente që nuk mund të rikthehen më asnjëherë”.

    Dom Ukgjini rrëfen s shqetësimin e tij e ka shprehur edhe gjatë kohës që po kryheshin punimet, mirëpo nuk ka gjetur reflektim, duke përfunduar kësisoj në një ndërtim që ai e quan “tip bunkeri”.

    “I kam shkruar edhe kryeministrit duke i dërguar edhe fotografitë se çfarë ndodh, kjo është një tallje me At Gjergj Fishtën, ku dikush në një prapaskenë tjetër, ndonjë interes fshihet aty, gjoja në emër të Fishtës, duke rrënuar themelet e një shtëpie po themi historike të një personi pa të cilin nuk mund të imagjinohet as kombi shqiptar fundi fundit pa At Gjergj Fishtën”, u shpreh Ukgjini.

    Qendra memoriale është financuar nga buxheti i shtetit, ndërsa është zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit duke kushtuar 950 mijë euro.

    Punimet nisën në dhjetor 2022, ndërsa priteshin të përfundonin në fund të 2023, mirëpo deri në inaugurimin e qendrës u deshën edhe dy vite të tjera.

    Hapësira do të shërbejë si rezidencë artistike, sesionesh krijimtarie dhe ekspozita të artistëve vendas dhe të huaj.

    /Citizens.al