Author: Syri.net

  • Tërmeti në Mianmar/ ‘Luftë’ me kohën për të shpëtuar të mbijetuarit, ekipet e kërkimit: S’kemi makineri të mëdha

    Tërmeti në Mianmar/ ‘Luftë’ me kohën për të shpëtuar të mbijetuarit, ekipet e kërkimit: S’kemi makineri të mëdha

    I dërrmuar nga lufta civile, e tani edhe nga tërmeti shkatërrimtar i magnitudës 7.7, Mianmari numëron të vdekurit.

    Mbi 1.000 është deri tani bilanci paraprak i jetëve të humbura nga lëkundjet e fuqishme të tokës, por frika është se shifra reale mund të mbërrijë në mijëra.

    Mianmari, i njohur më parë si Burma, ishte i përfshirë tashmë nga trazirat të cilat nuk kanë reshtur që kur ushtria mori pushtetin nga qeveria e zgjedhur e Aung San Suu Kyi më 1 shkurt 2021, duke ngjallur një indinjatë opozitë të gjerë popullore.

    Pasi demonstratat paqësore u shtypën me dhunë, shumë kundërshtarë të juntës ushtarake rrëmbyen armët, e pjesë të mëdha të vendit tani të përfshira në konflikt.

    Para se të godiste tërmeti, Kombet e Bashkuara vlerësonin se qindra mijëra civilë ishin zhvendosur nga luftimet e brendshme, dhe rreth 18.6 milionë kishin nevojë për ndihmë humanitare.

    Liderët ushtarakë lëshuan tani një thirrje të rrallë për ndihmë ndërkombëtare, së cilës iu përgjigjën të parat Kina e India.

    Në qytetin e dytë më të madh, Mandalay, ku ndodhej dhe epiqendra e tërmetit, punonjësit e shpëtimit po përpiqen me cdo mënyrë të shpëtojnë njerëzit e mbetur nën gërmadha, por nuk e kanë të lehtë.

    “Këtu janë 7 njerëz nën rrënoja, të cilët është tentuar gjatë gjithë natës që t`i nxjerrim, por kemi nevojë për makineri të mëdha.

    Ata thërrasin, ua dëgjojmë zërat, por nuk e dimë se ku janë. Vetëm falë makinerivë të mëdha mund të lëvizen grumbujt e inerteve në mënyrë që të nxjerrim gjallë njerëzit prej andej”, shprehet një punonjës shpëtimi.

    Ekipet e ndërhyrjes së shpejtë i thanë BBC-së se janë duke gërrmuar me duar për të shpëtuar të mbijetuarit.

    Pajisjet e posaçme zanore kanë ndihmuar në mjaft raste për lokalizimin e tyre, por nxjerrja nga gërmadha nuk është një detyrë e lehtë.

    Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, strukturat e paqëndrueshme dhe grumbujt e mëdhenj të interteve, i kanë ngadalësuar ndjeshëm operacionet.

    Pasojat e katastrofës po i përjeton edhe Tajlanda fqinjë.

    Në vendin e shembjes së qiellgërvishtëses në ndërtim, pamjet e rrëzimit të të cilës bënë xhiron e botës, janë pikasur të paktën 15 persona ende gjallë nën një shtresë rrënojash prej 5 deri në 10 metra.6 janë të vdekurit e konfirmuar atje, ndërsa 100 punonjës ndërtimi rezultojnë të zhdukur.

    Sipas Qendrës Gjeokërkimore Gjermane Helmholtz dhe Observatorit Amerikan të Tërmeteve (USGS), tërmeti të premten ka qenë me magnitudë 7.7 ballë.

    Një tërmet i dytë dymbëdhjetë minuta më vonë u tha se kishte një magnitudë 6.4. Burimi i tërmetit ishte rreth dhjetë kilometra në thellësi. Lëkundjet u ndjenë edhe në pjesë të Kinës, Indisë e Bangladeshit. Në Kinë, provinca Yunnan, e cila kufizohet me Mianmarin, u prek veçanërisht, siç raportoi televizioni shtetëror kinez.

     

  • Shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Bosnjën perëndimore, pas rritjes së nivelit të ujit të lumenjve

    Autoritetet kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme në pjesën perëndimore të Bosnje e Hercegovinës të shtunën, për shkak të rritjes së nivelit të ujit të lumenjve.

    Si pasojë e reshjeve të shiut për disa ditë radhazi këtë javë, në pjesën më të madhe të Bosnje e Hercegovinës lumenjtë dolën nga shtrati.

    Në komunën e Kostajnicës, në perëndim të vendit, niveli i ujit të lumit Una i kaloi 450 centimetra.

    Gjendje e jashtëzakonshme u shpallë si masë parandaluese për t’u mbrojtur nga përmbytjet edhe në Prijedor, raporton Radio Televizioni i Republikës Sërpska, entitetit serb të Bosnjës.

    Administrata e qytetit njoftoi të shtunën se rreth 350 ndërtesa, banimi dhe ndihmëse, u prekën nga përmbytjet gjatë natës.

    Gjendje e jashtëzakonshme është shpallur edhe në Laktash, Gradishka dhe Çelinaq për shkak të rritjes së nivelit të ujit të lumenjve.

    Niveli i ujit të lumit Ukrina në Derventa aktualisht është në rënie të lehtë. Masat emergjente të mbrojtjes nga përmbytjet janë ende në fuqi në qytet.

    Gjendje më e rënduar raportohet në pjesën veriore dhe veriperëndimore të vendit, ku janë mbyllur disa rrugë kryesore.

    Mësimet janë pezulluar në shumicën e shkollave në atë pjesë vendit.

    Në fund të vitit të kaluar, Bosnja u përballë më vërshime vdekjeprurëse, kur 27 njerëz humbën jetën nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut më 4 tetor.

    Shirat e rrëmbyeshëm dhe erërat e fuqishme goditën pjesë të Bosnjës jugore dhe qendrore më 4 tetor, duke shkatërruar shtëpi, rrugë dhe duke ndërprerë rrymën dhe bllokuar qasjen në disa fshatra./ REL.

  • Me150 mijë euro botoks, arrestohet shtetasi turk në Prishtinë

    Me150 mijë euro botoks, arrestohet shtetasi turk në Prishtinë

    Një shtetas turk ka rënë në prangat e Policisë së Kosovës, pasi iu gjetën 150 mijë euro botoks.

    Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, pas sigurimit të provave ka ndaluar një të dyshuar mashkull shtetas turk, te i cili kanë gjetur një sasi të materialit që përdoret në mjekësi (botoks).

    Sipas policisë, gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur edhe një sasi tjetër e materialit të njëjtë që është sekuestruar nga Inspektorët e Ministrisë së Shëndetësisë, raporton Kosova Press.

    Vlera totale e materialit të sekuestruar sipas çmimit në treg sillet rreth 150 000 euro. Në cilësi të provave materiale nga i dyshuari janë sekuestruar edhe 11 160€ para kesh. Në konsultim me prokurorin i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

  • Berisha: Zonjat e nderuara janë luftëtare të pamposhtura kundër këtij regjimi dhe kanë një meritë të jashtëzakonshme

    Berisha: Zonjat e nderuara janë luftëtare të pamposhtura kundër këtij regjimi dhe kanë një meritë të jashtëzakonshme

    Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalën e tij në Konferencën Ndërkombëtare me temë ‘Fuqia e Grave në Politikë’, theksoi rëndësinë e rolit të grave në luftën kundër regjimit të aktualshëm dhe vlerësoi zonjat e pranishme si luftëtare të pamposhtura që kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në betejën për liritë dhe të drejtat themelore.

    Berisha kujtoi se, në vitet 1990-1992, kishte një angazhim real për mbrojtjen e lirisë dhe të drejtave në Europë, duke pasur gjithashtu një interes të madh për Shqipërinë.

    Ndërsa sot, sipas tij, kjo çështje është lënë në hije, dhe shumë raste konkrete të shkeljeve të të drejtave të njeriut mbyllen pa asnjë reagim.

    Ai shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme që gratë e PPE-së, përfshirë zonjat Doris Pack dhe të tjerë, kanë dhënë për Partinë Demokratike dhe për Shqipërinë, duke e cilësuar organizimin e kësaj ngjarjeje si një mbështetje të madhe për PD-në në një moment shumë të vështirë.

    Në përfundim, Berisha kërkoi mirëkuptimin e të pranishmëve për të largohet nga ngjarja, pasi duhej të merrte pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të kryepeshkopit të ri të Kishës Ortodokse të Shqipërisë.

    Fjala e plotë, kreu i PD:

    Në rast se në vitet 1990-1992, siç e theksoi e nderuara Doris Pack, në Europë kishte një interes real për liritë dhe të drejtat themelore, organizoheshin konferenca, flitej në mënyrë të vazhdueshme, sot nuk flitet shumë për liritë dhe të drejtat themelore të një kombi që vuan një narkodiktaturë.

    Sot, rastet konkrete mbyllen me një formulë bizare, nuk komentojmë për raste konkrete.

    Pra, i theksova këto momente, sepse këto janë gjëra tashmë të njohura.

    Por këto zonja të shihni këtu janë luftëtare të pamposhtura kundër këtij regjimi dhe kanë një meritë të jashtëzakonshme.

    Në momentet më të vështira këto nuk kanë ngurruar që të dalin ballë për ballë.

    E theksova për të shprehur mirënjohjen ndaj jush sepse nuk ka qenë kjo situatë në presidencën tuaj dhe fakti që zgjodhët Shqipërinë për të organizuar këtë ngjarje, është një mbështetje shumë e madhe për ne.

    Unë do doja të thoja disa fjalë të tjera, por u kërkoj mirëkuptimin tuaj, sepse sot në Shqipëri kurorëzohet udhëheqësi i Kishës Ortodokse dhe kjo është një ngjarje e madhe për kombin, pasi paraardhësi i tij shkoi në amshim.

    Dhe më duhet të jem i pranishëm në ceremoninë e kurorëzimit të kryepeshkopit, ndaj dhe u kërkoj ndjesë dhe dua të largohem.

    U falënderoj shumë për praninë.

  • Vihen në pranga 3 shtetas për vepra të ndryshme penale, shpallet në kërkim një tjetër, i dyshuar për vjedhje

    Vihen në pranga 3 shtetas për vepra të ndryshme penale, shpallet në kërkim një tjetër, i dyshuar për vjedhje

    Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariateve të Policisë në Lushnjë dhe Sarandë, ka arrestuar tre shtetas për vepra të ndryshme penale dhe ka shpallur në kërkim një tjetër person të dyshuar për vjedhje.

    Njoftimi:

    Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, bënë të mundur kapjen dhe më pas ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për shtetasen R. M., 27 vjeçe, lindur në Vlorë dhe banuese në Lushnjë, e dënuar me 1 vit burgim, për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”.

    Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në Vlorë dhe Sarandë arrestuan shtetasit:

    * A. I., 36 vjeç, banues në Tepelenë, pasi më datë 28.03.2025, në rrugën “Aleksandër Moisiu”, Vlorë, duke drejtuar automjetin tip “BMW”, ka aksidentuar këmbësoren, shtetasen E. K., 75 vjeçe, e cila ndodhet në Spitalin e Traumës, Tiranë, nën kujdesin e mjekëve.

    * R. G., 50 vjeç, banues në Sarandë, pasi më datë 28.03.2025, në rrugën “Onhezmi”, Sarandë, dyshohet se drejtonte automjetin në gjendje të dehur dhe nuk iu bind urdhrit të Policisë për t’iu nënshtruar testit të alkoolit. Në vijim, ndaj tij u krye ekspertimi toksikologjik.

    Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë shpallën në kërkim shtetasin A. S., 19 vjeç, banues në Sarandë, pasi më datë 25.03.2025, dyshohet se i ka vjedhur një shumë parash një shtetasi, në lagjen nr. 4, Sarandë.

    Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

     

  • ‘Gruaja, fuqi ndryshimi’/ Vokshi: Mos u dorëzoni përballë shantazhimeve, kërcënimeve dhe dhunës së patronazhistëve të pushtetit

    Kryetarja e Lidhjes Demokratike të gruas ka kërkuar fuqizimin e grave në jetën politike dhe shoqërore të vendit. Duke folur në konferencën ‘Fuqia e grave në politikë’, me pjesëmarrjen edhe të kreut të PD, Sali Berisha, Vokshi tha se gratë janë motrrët e ndryshimit në familje, shoqëri e politike , dhe si e tillë është koha që t’u jepet zë atyre që nuk kanë mundësi të dëgjohen.

    Sipas Vokshit, gratë sot po shantazhohen, kërcënohen dhe dhunohen nga patronazhistët e pushtetit në këmbim të votës, ndërsa u bëri thirrje të mos dorëzohen përballë tyre, por me 11 maj të bëjnë ndryshimin që Shqipëria të jetë madhështore.

    Për Vokshin, PD ka politika të qarta për gratë dhe fuqizimin e tyre përmes programit të prezantuar në Ditën e Gruas më 8 mars, dhe që do të vihet në zbatim pas 11 majit.

    Kjo është Evropa këtu duam të shkojmë, jo si ata që bredhin me pasaportë evropiane pas 12 vitesh dështime.  Gratë janë motrrët e ndryshimit në familje, shoqëri e politike. T’u japim zë grave të pazëshme, të flasim për nënat që punojnë në dy punë për të siguruar fëmijët. Për nënat që çojnë fëmijët në shkollë e s’u kthehen kurrë pasi u vriten në shkolla, të grave që vuajnë nga kanceri por që s’marrin mjekime, se paratë i shkojnë koncensionarit, mikut të kryeministrit. Në emër të nënave që po terrorizohen nga patronazhistët në pushtet për t’i kërcënuar me votën.

    Sot ka shpresë dhe kjo shpresë janë gratë. Rama i përdor gratë për numra e statistika, do t’u japim grave emër e forcë. Na duhen programe të qëndrueshme për t’u zhvilluar, për të mbështetur gratë me politika mbështetëse, edhe për ata që rrinë në shtëpi. Politika për çiftet e reja, dhe jky është program që kemi paraqitur më 8 mars, dhe pas 11 majit do ta bëjmë realitet. Ndryshimin e kemi ne përmes votës. Në pak ditë vota juaj është shantazhuar e dhunuar, blerë, mund të bëni ndryshimi. Rezistoni para shantazhit e dhunës së patronazhistëve, parave që blejnë votën tuaj.

  • India dërgon aeroplan me ndihma humanitare në Mianmar, pas tërmetit shkatërrues

    India dërgon aeroplan me ndihma humanitare në Mianmar, pas tërmetit shkatërrues

    India ka dërguar një aeroplan që transportonte ndihma humanitare në Mianmar, njoftoi sot ministri i saj i Jashtëm, një ditë pasi një tërmet i fuqishëm goditi një vend tashmë të shkatërruar nga lufta civile.

    Kreu i juntës në Myanmar, Min Aung Hlaing, kishte apeluar për ndihmë ndërkombëtare dje, të premten, duke ftuar “çdo vend, çdo organizatë” të vijë dhe të ofrojë ndihmë në Mianmar, ku tërmeti ka vrarë të paktën 694 njerëz dhe ka plagosur 1670 të tjerë, sipas raportit të fundit.

    Fakti që qeveria ushtarake, e izoluar pas grushtit të shtetit të shkurtit 2021, ka bërë thirrje për ndihmë nga jashtë, po rrit frikën për një fatkeqësi në shkallë të gjerë.

    Ministri i Jashtëm indian Subrahmanyam Jaishankar njoftoi sot se një aeroplan transporti C-130 u nis për në Mianmar që mbante komplete higjienike, batanije, ushqime dhe sende të tjera thelbësore.

    “Këtë fluturim po e shoqëron edhe një ekip kërkim-shpëtimi si dhe një ekip mjekësor”, sqaroi ai. “Ne do të vazhdojmë të monitorojmë zhvillimin e situatës”, tha ai, duke premtuar ndihmë shtesë.

    Tërmeti, i cili kishte një thellësi fokale të cekët, ndodhi dje në veriperëndim të qytetit të Sagaing (qendër) rreth orës 07:20 me orën tonë (12:50 me orën e Mianmarit dhe 13:20 me orën tajlandeze), ndërsa pak minuta më vonë pasoi një tërmet i ri me magnitudë 6.7 ballë.

    Tërmetet shkaktuan kaos dhe shkatërrime në Mianmar, me shembjen e shtëpive, ndërtesave, urave apo objekteve të kultit, në një vend të rraskapitur nga konflikti civil që ka shpërthyer pas grushtit të shtetit të juntës.

    Tërmeti është më i fuqishmi që ka goditur Mianmarin në më shumë se 100 vjet, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), dhe u ndje deri në 1000 kilometra larg nga epiqendra, në Tajlandën fqinje, ku sipas raportit të fundit vdiqën tetë persona.

  • EMRAT/ Importuan tonelata fileto pule me salmonelë, ja kush janë personat e proceduar penalisht

    EMRAT/ Importuan tonelata fileto pule me salmonelë, ja kush janë personat e proceduar penalisht

    Një skandal i rëndë ushqimor ka dalë në dritë, ku një kompani private ka importuar produkte ushqimore që përmbanin bakterin e salmonelës, më konkretisht fileto pule.

    Policia ka shpallur në kërkim administratorin e kompanisë, ndërsa ka proceduar penalisht vëllanë e tij dhe tre inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU).

    Burime bëjnë me dije bëhet fjalë për 18.250 kilogramë fileto pule e ngrirë, pra rreth 18.3 ton. Nga ana tjetër,  kryetari i urdhrit Veteriner Ervin Resuli, denoncoi për 27 ton. 

    Sipas njoftimit të DVP Tiranë, 50-vjeçari Arben Goxha, administrator i kompanisë, dhe vëllai i tij, Mondi Goxha, 53 vjeç, kanë futur në vend sasi produktesh ushqimore të kontaminuara, të cilat më pas u lejuan për tregtim nga inspektorët e AKU-së.

    Në këtë skemë janë përfshirë edhe tre inspektorë të AKU-së, Gezim Hushi, 38 vjeç, Sada Lufta, 42 vjeçe, dhe Aldo Sinjari, 46 vjeç, të cilët dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke mos parandaluar daljen e këtyre produkteve në treg.

    NJOFTIMI ZYRTAR

    Importuan produkte ushqimore të cilat në përmbajtje të tyre kanë bakterin e salmonelës, shpallet në kërkim administratori i kompanisë si dhe procedohet penalisht vëllai i tij, për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve“.

    Procedohen penalisht dhe 3 inspektorë të AKU-së për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

    Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kreu veprime hetimore e procedurale në lidhje me rastin e futjes në vendin tonë të një sasie produktesh ushqimore me përmbajtje të salmonelës dhe në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. G., 50 vjeç, (administratori i një kompanie private) si dhe u proceduan penalisht shtetasit: M. G., 53 vjeç (vëllai i 50-vjeçarit), G. H., 38 vjeç, S. L., 42 vjeçe dhe A. S., 46 vjeç.

    Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A. G., në cilësinë e administratorit të kompanisë së bashku me vëllain e tij shtetasin M. G., kanë importuar produkte ushqimore ku në bazë të analizave nga institucionet përkatëse kanë rezultuar se në përmbajtje të tyre kanë bakterin e salmonelës. Shtetasit G. H., S. L., dhe A. S., në cilësinë e inspektorëve të AKU me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar futjen në treg të këtyre produkteve.

    Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

  • ‘Deutsche Welle’: Edhe kafeja pritet të kthehet në luks për shqiptarët

    ‘Deutsche Welle’: Edhe kafeja pritet të kthehet në luks për shqiptarët

    Çdo mëngjes miliarda njerëz në mbarë botën e fillojnë ditën me një filxhan kafeje. Por ky ritual i përditshëm po bëhet gjithnjë e më i shtrenjtë.

    Kolumbia, Brazili dhe Vietnami janë tre prodhuesit më të mëdhenj të kafesë në botë. Megjithatë prodhimi i kafesë po përballet me sfida serioze. Temperaturat e larta dhe reshjet e paqëndrueshme po ndikojnë negativisht tek bimët e kafesë.

    Sipas studimeve deri në vitin 2050, gjysma e tokave të përshtatshme për kultivimin e kafesë mund të zhduken.

    Ndryshku i gjetheve

    Përveç kushteve atmosferike, fermerët po luftojnë edhe me sëmundje si “La Roya”, një lloj ndryshku i gjetheve që ka shkatërruar deri në 50% të prodhimit në disa rajone të Amerikës Latine.

    “Më parë, një pemë kafeje prodhonte qindra kokrra. Tani mezi nxjerrim gjysmën. Po bëhet gjithnjë e më e vështirë,” – thotë për DW Cristian Cano, kultivues kafeje në Kolumbi.

    Kjo krizë ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në tregun botëror. Vetëm në vitin 2024 çmimi i varietetit Arabica u rrit me 80%, një nga rritjet më të mëdha në dekada.

    Nga një kafe e lirë, në një kafe luksi?

    Në Shqipëri kafeja nuk është thjesht një pije – është një traditë, një moment social dhe një zakon i përditshëm. Por çmimet kanë filluar të rriten ndjeshëm dhe shumë vetë pyesin: A po e humbasim “kafen e lirë” si pjesë të kulturës sonë?

    Sipas Enri Jahajt, kryetar i Shoqatës së Bareve dhe të Restoranteve, Shqipëria ka funksionuar për vite me një treg anormal të kafesë:

    “Ne kemi qenë një treg i korruptuar në këtë aspekt, sepse nuk jemi prodhues dhe as pjekës të mëdhenj të kafesë. Shumica e kafesë që përdoret këtu është e importuar. Për vite me radhë, çmimi i kafesë në Shqipëri ka qenë më i lirë se në vendet e rajonit, gjë që nuk përkon me logjikën e tregut të lirë. Tani që rregullat janë përforcuar, rritja e pagave dhe taksave po sjell një ndryshim në treg. Kjo po ndikon drejtpërdrejt te bizneset, të cilat janë të detyruara të përshtatin çmimet, sepse kanë edhe koston e personelit. Rritja e kostove është një realitet i pashmangshëm,” thotë Jahaj.

    Sa është rritur dhe sa pritet të rritet çmimi i kafesë?

    “Brenda një viti çmimi i kafesë është rritur me 20%, dhe pritet të rritet edhe me 20% të tjera. Në Tiranë çmimi mesatar i një filxhani kafeje tashmë është 90-130 lekë, ndërsa në zonat elitare arrin deri në 150 lekë. Sipas parashikimeve gjatë muajve të ardhshëm çmimi minimal pritet të shkojë në 120 lekë, ndërsa ai maksimal do të mbetet në të njëjtat nivele”, shpjegon Jahaj.

    A do të kthehet kafeja në luks në Shqipëri?

    Për momentin ajo mbetet ende një kënaqësi e përditshme për shumicën e shqiptarëve. Por me ritmet aktuale të rritjes së çmimeve, mund të vijë një ditë kur një filxhan kafeje nuk do të jetë më aq i përballueshëm sa dikur./DW

  • Aksidenti i frikshëm në bajpasin e Lushnjes, shkak shpejtësia e lartë

    Aksidenti i frikshëm në bajpasin e Lushnjes, shkak shpejtësia e lartë

    Një aksident ka ndodhur mbrëmjen e të së premtes në bajpasin e Lushnjes.

    Një makinë tip “Audi”, ku udhëtonin një çift së bashku me fëmijën e tyre 2 vjeç, ka dalë nga rruga, duke përfunduar e përmbysur në një parcelë në anë të rrugës.

    Mësohet se si pasojë e ketij aksidenti ka marë dëmtime të lehta bashkëshortja e drejtuesit të mjetit, e cila u dërgua në spitalin e Lushnjes.

    Nga hetimet paraprake dyshohet se mjeti ka qenë duke lëvizur me shpejtësi të lartë ku dhe si pasojë e lagështirës në rrugë drejtuesi ka humbur kontrollin.