Author: Syri.net

  • Korea e Jugut ofron 2 milionë dollarë ndihmë humanitare, për Mianmarin pas tërmetit shkatërrues

    Korea e Jugut ofron 2 milionë dollarë ndihmë humanitare, për Mianmarin pas tërmetit shkatërrues

    Korea e Jugut ka njoftuar se do të ofrojë ndihmë humanitare me vlerë 2 milionë dollarë për Mianmarin, për të ndihmuar banorët e prekur nga tërmeti katastrofik që goditi vendin ditën e djeshme.

    Lajmi u bë i ditur ditën e sotme nga Ministria e Jashtme e Seulit.

    “Ne vendosëm të ofrojmë ndihmë humanitare në vlerë prej 2 milionë dollarësh nëpërmjet një organizate ndërkombëtare për të ndihmuar në reagimet e shpejta kundër dëmeve të shkaktuara nga tërmeti në Mianmar”, tha ministria.

    Ministria deklaroi se do të shqyrtojë ndihmën shtesë nëse është e nevojshme në varësi të situatës në vendin e Azisë Juglindore.

    Ditën e djeshme një tërmetë me magnitudë7.7 dhe një pasgoditje me magnitudë 6.4 tronditi Tajlandën dhe Mianmarin fqinj, duke vrarë më shumë se 1000 persona, sipas mediave të huaja.

  • Ishin shpallur në kërkim, arrestohen 3 persona në Elbasan! Zbardhen akuzat që ‘peshojnë’ mbi ta

    Ishin shpallur në kërkim, arrestohen 3 persona në Elbasan! Zbardhen akuzat që ‘peshojnë’ mbi ta

    Tre shtetas kanë rënë në prangat e Policisë në Elbasam, në operacionin policor të koduar “Catch”.

    Lajmin e bëri të ditur Policia përmes një njoftimi, ku shkruan se 2 prej të arrestuarve ishin të shpallur në kërkim për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe 1 i shpallur në kërkim për moskallëzim të krimit.

    Ndërkohë materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, shkruan A2 CNN.

    Njoftimi i Policisë:

    DVP Elbasan/Finalizohet operacioni policor i koduar “Catch”.

    Kapen dhe vihen në pranga 3 shtetas të shpallur në kërkim, 2 prej tyre të shpallur në kërkim për prodhim dhe shitje të narkotikëve, dhe 1 i shpallur në kërkim për moskallëzim të krimit.

    Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës Operacionale të DVP Elbasan, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, për vendndodhjen e 3 shtetasve në kërkim, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Catch”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve:

    -Xh. Gj., 45 vjeç, banues në Elbasan, pasi Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e ka dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim (nga të cilat i kanë mbetur pa kryer 4 vjet e 7 muaj burgim);

    -F. B., 26 vjeç, banues në Cërrik, pasi Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e ka dënuar me 4 vjet e 4 muaj burgim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim (nga të cilat i kanë mbetur pa kryer 1 vit e 8 muaj burgim);

    -A. Ll., 33 vjeç, banues në Elbasan, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e ka dënuar me 6 muaj burgim, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

    Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

  • Berisha: Fronëzimi i Fort Lumturisë së tij Joani, është një ngjarje e madhe në historinë shpirtërore të këtij kombi

    Berisha: Fronëzimi i Fort Lumturisë së tij Joani, është një ngjarje e madhe në historinë shpirtërore të këtij kombi

    Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka përshëndetur fronëzimin e Fort Lumturisë së tij Joani, si kryepeshkop i Kishës Autoqefale Shqiptare, kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.

    Duke folur për mediat jashtë Kishës Ortodokse në Tiranë, Berisha u shpreh se, kjo është një ngjarje e madhe në historinë shpirtërore të këtij kombi.

    Prononcimi për gazetarët i kryetarit të PD, Sali Berisha:

    Ditë e madhe për besimtarët ortodoks shqiptarë, por për të gjithë besimtarët shqiptarë. Fronëzimi i Fort Lumturisë së tij Joani, si kryepeshkop i Kishës Autoqefale Shqiptare, kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, është një ngjarje e madhe në historinë shpirtërore të këtij kombi.

    Vazhdimi i traditës më të shkëlqyer të Fan Nolit, kryepeshkopit Janullatos dhe i uroj nga zemra, shumë e shumë vite të bekuara në dinjitet dhe sukses në udhëheqjen e Kishës.

    Faleminderit!

  • Vance akuzon Danimarkën gjatë udhëtimit në Groenlandë: E ka lënë vendin të pambrojtur ndaj sulmeve ruse dhe kineze

    Vance akuzon Danimarkën gjatë udhëtimit në Groenlandë: E ka lënë vendin të pambrojtur ndaj sulmeve ruse dhe kineze

    Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, ka akuzuar Danimarkën se e ka lënë Groenlandën të pambrojtur ndaj inkursioneve të supozuara nga Kina dhe Rusia, pasi ai i kërkoi popullit të saj të “lidhë një marrëveshje” me SHBA-në.

    Sipas mediave të huaja, duke folur gjatë një vizite në ishullin e Arktikut, Vance minimizoi kërcënimet e fundit nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, për të marrë nën kontroll ishullin me forcë.

    Në vend të kësaj, ai u kërkoi groenlandezëve të ndërpresin lidhjet me Danimarkën, e cila ka në pronësi ishullin për më shumë se 300 vjet, duke thënë se nuk kishte investuar mjaftueshëm për të mbrojtur territorin gjysmë autonom.

    Një shumicë dërrmuese e groenlandezëve kundërshtojnë idenë e aneksimit, tregoi një sondazh në janar. Kryeministri i Groenlandës ka thënë se vizita e zv.Presidentit të SHBA tregoi një “mungesë respekti”.

    Vizita ka shkaktuar gjithashtu kritika të ashpra nga Danimarka. Lars Lokke Rasmussen, ministri i Jashtëm i vendit skandinav, tha se danezët ishin “të hapur ndaj kritikave” por “nuk e vlerësojnë tonin me të cilin ato po jepen”, në një video-mesazh drejtuar “miqve amerikanë”.

    Ai vuri në dukje se prania ushtarake e SHBA-së në Grenlandë ishte zvogëluar nga 17 baza në vitin 1945 në një që kishte rreth 200 ushtarë, duke shtuar: “Ne mund të bëjmë më shumë, shumë më tepër, brenda kornizës që kemi sot… Le ta bëjmë së bashku.” 

  • Gjovana Nikolli reagon pas kontrollit që SPAK bëri në banesën e saj: Të ushtrohet presion dhe…

    Gjovana Nikolli reagon pas kontrollit që SPAK bëri në banesën e saj: Të ushtrohet presion dhe…

    Gjovana Nikolli ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale pas kontrollit që SPAK bëri në banesën e saj.

    Oficerë të BKH-së, kryen ditën e djeshme një kontroll “blic” në një apartament në Elbasan, i cili kohë më parë ishte marrë me qera nga motrat, Alda dhe Xhovana Nikolli.

    Apartamenti mësohet të jetë kontrolluar në prani të pronarit, ndërsa nuk dihet me saktësie se çfarë është gjendur në banesë.

    Pikërisht në këtë apartament në 13 korrik 2024 shpërtheu një sasi tritoli, duke plagosur rëndë dhe më pas gjeti vdekjen i riu, Enea Thomarai, i cili ishte banor në apartamentin përballë ku u vendos tritoli.

    Kontrolli është kryer me shpresën e kapjes së provave, që mund të implikojnë motrat Nikolli në këtë ngjarje, pasi SPAK ka të dhëna se ngjarja është e montuar.

  • ‘Drejtësia, në kolaps’/ Harxhi: Reformimi i sistemit, për të shkatërruar e goditur kundërshtarët e opozitës!

    ‘Drejtësia, në kolaps’/ Harxhi: Reformimi i sistemit, për të shkatërruar e goditur kundërshtarët e opozitës!

    Anëtarja e kryesisë së PD, njëkohësisht kandidate për deputete në Qarkun e Tiranës, Edith Harxhi shprehet se sistemi I drejtësisë është në kolaps. Në një intervistë për Syri Tv, në edicionin e mesditës nën moderimin e Armela Ferkos, Harxhi tha se problematikat në sistemin e drejtësisë kanë nisur pas reformimit të drejtësisë së re, zanafilla e së cilës daton që në vitet 2013-2014, me fondacionin Soros në Shqipëri dhe të majtën, duke u finalizuar më 2016 me ndryshimet kushtetuese.

    Sipas Harxhit, lideri demokrat Sali Berisha, ishte ‘viktima’ e parë e drejtësisë së reformuar, e pasur me udhëheqës të tjerë të opozitës me procese gjyqësore të stisura politikisht.

    Për Harxhin, ky sistem i ri drejtësie e vendosur në Shqipëri, nuk ka pasur qëllim tjetër, veçe të kapë sistemin e drejtësisë, të minojë dhe shkatërrojë kundërshtarët politikë.

    Harxhi shkon më tej kur thotë se drejtësia e reformuar ka ndikuar edhe në agjendën e shpopullimit, duke mos u garantuar qytetarëve dhe bizneseve, siguri juridike.

    Mendoj se sistemi i drejtësisë është në moment kolapsi. Ideja është të përqendroheshim në 4 shtylla, 1 kushtetutshmërinë e reformës në drejtësi, sa kushtetuese është reforma në vetvete, 2 institucionet e reja të drejtësisë, 3 gjyqësore civile-penale, 4 edukimi arsimi- çfarë po ndodh me shkollën e magjistraturës dhe fakultetin e drejtësisë. Në të gjithë këtë bilanc, kemi arritur të gjejmë çështje alarmante. Kjo për të ndihmuar programin e PD për reformën në drejtësi. Diskutimet ishin shumë të rëndësishme, pasi u tregua jo vetëm se çfarë ka ndodhur, por dhanë propozime konkrete se çfarë duhej bërë më tej. Berisha, ishte një nga viktimat e reformës në drejtësi.

    Të gjithë e identifikojnë reformën e nisur më 2013-2014 nga Soros në Shqipëri, të dhëna si teza të PS, më pas ajo e 2016 me ndryshimet kushtetuese. E gjitha është përdorur si instrument nga Soros dhe e majta në Shqipëri për të kapur sistemin e drejtësisë. Tashmë ne mendojmë se drejtësia është e kapur politikisht, armë në duart e Ramës dhe mazhorancës për të vendosur fatet e drejtësisë snë vendin tonë. Pasi ky sistem drejtësie që u rivendos me këtë reformë drejtësi, s’ka pasur qëllim tjetër veçse të kapë drejtësinë, të minojë e shkatërrojë kundërshtarët politikë. 3 liderë të opozitës shqiptare janë nën akuzë dhe tjetri nën hetim për një vepër të parashkruar. 

    Kjo edhe për të kryer shpopullimin e vendit pasi është agjendë, pasi duke mos kryer drejtësi, dhe siguri juridike për qytetarët atëherë ato do të largohen. Shqipërisë i mungon siguria juridike. Një gjyq civil merr 15 vite. Edhe divorcet zvarriten me vite të tëra. Përmes mungesës së sigurisë juridike s’ka investime të huaja në vendin tonë, s’ka invetsitorë të huaj. Janë larguar pikërisht me nisjen e reformës në drejtësi. Duke munguar siguria juridike për qytetarët dhe bizneset, s’keni siguri arsimore, shëndetësore, ndaj largohen njerëzit. Kjo është agjenda e shpopullimit, agjendë e mirë menduar kundër opozitës.

  • Lufta e dronëve, Rusia sulmon ashpër Ukrainën, shpërthime dhe viktima

    Lufta e dronëve, Rusia sulmon ashpër Ukrainën, shpërthime dhe viktima

    Ukraina përjetoi orë të vështira. Rusia lëshoi një sulm të ashpër me dronë duke vrarë 4 persona dhe plagosur 21 të tjerë në qytetin e Dnipros. Këtë e konfirmuan autoritet lokale duke sqaruar se në shënjestër përfunduan një kompleks restorantesh dhe disa ndërtesa banimi, të cilat u kapluan nga flakët.

    “Armiku lëshoi mbi 20 dronë në qytet”, sqarojnë zyrtarët duke theksuar se shumica prej tyre u rrëzuan. Imazhet që dolën nga Dnipro shfaqin zjarrfikësit duke luftuar me flakët në ndërtesa, xhama të thyer si dhe mbetje në rrugët e qytetit. Gjatë natës, sirenat e alarmit nuk kanë pushuar edhe në rajonet e tjera të Ukrainës, përfshirë kryeqytetin Kiev. Ministria e mbrojtjes e Rusisë njoftoi se 3 dronë ukrainas janë rrëzuar në rajonin kufitar të Belgorodit.

    Në videon e tij të adresimit për qytetarët, presidenti Volodymyr Zelenski, akuzoi sërish Moskën se po shënjestron infrastrukturën energjetikë të Ukrainës, në shkelje të armëpushimit të pjesshëm të dakorduar më herët këtë muaj në bisedimet e paqes që përfshinë dhe Shtetet e Bashkuara.

    Gjithashtu edhe Rusia ka akuzuar vazhdimisht Kievin për sulme në sektorin energjetik. Presidenti Vladimir Putin sugjeroi këtë javë që Ukraina të vihet nën kontrollin e Kombeve të Bashkuara për të organizuar zgjedhje, siç pretendoi ai, për të nxjerrë një qeveri më kompetente.

    Kjo është parë si kërkesa e radhës e Kremlinit për të sfiduar legjitimitetin e kabinetit të Kievit, një lëvizje që është dënuar gjerësisht nga aleatët e Zelenskit. Ukraina akuzon Putinin për propozim të ideve të çmendura për të shtyrë lëvizjet drejt një armëpushimi të madh të vulosur nga presidenti amerikan, Donald Trump. Uashingtoni njoftoi së fundmi pajtimin për një armëpushim në Detin e Zi.

     

  • Vazhdojnë protestat në Turqi, Erdogan kërcënon pjesëmarrësit: Policia do të ndërhyjë

    Vazhdojnë protestat në Turqi, Erdogan kërcënon pjesëmarrësit: Policia do të ndërhyjë

    Opozita në Turqi po qëndron në shesh. Mijëra njerëz morën pjesë në një tubim në Stamboll të organizuar nga Partia Popullore Republikane kundër arrestimit të kryebashkiakut të qytetit Ekrem Imamoglu. Politikani është rivali kryesor politik i Presidentit, Recep Tajip Erdogan.

    Imamoglu, i cili kryeson ndaj Erdogan në disa sondazhe, u burgos në pritje të gjyqit mbi akuzat për korrupsion të dielën që shkoi, duke nxitur protestat më të mëdha antiqeveritare në më shumë se një dekadë, të cilat kanë çuar në arrestime masive në mbarë vendin. Presidenti i vendit nuk ka dhënë sinjale për të dëgjuar zërin e manifestuesve, por u zotua të shtypte çdo përpjekje, siç tha ai, për prishjen e qetësisë publike.

    “Për një javë, ata kanë bërë gjithçka për të mbuluar korrupsionin, për të fshehur vjedhjet, për të fshehur grabitjen dhe për të mbrojtur mashtrimin. Me pretekstin e kërkimit të drejtësisë, ata tentuan një provokim shumë të rrezikshëm që nuk kishte të bënte me demokracinë, ligjin apo mjetet legjitime të kërkimit të drejtësisë. Megjithatë, falë qëndrimit të ftohtë dhe të vendosur të policisë sonë, qëndrimit të arsyeshëm të kombit tonë dhe qëndrimit të qetë të të rinjve tanë që ruajtën dinjitetin e tyre edhe pse iu nënshtruan provokimit, nuk arritën dot politikën e bullizmit. Sigurisht që ne nuk do të mbyllim sytë ndaj prishjes së rendit publik gjatë këtij procesi. Njësitë tona të sigurisë do të ndërmarrin veprimet e nevojshme kundër kujtdo që mbulon fytyrën, sulmon policinë apo ngacmon njerëzit tanë ndërsa ata janë duke bërë detyrën e tyre”, tha Erdogan .

    Partia Popullore Republikane, por edhe forca të tjera opozitare, grupe të të drejtave të njeriut dhe fuqitë perëndimore kanë theksuar të gjithë se rasti kundër Imamoglu është një përpjekje e politizuar për të eliminuar një kërcënim të mundshëm elektoral ndaj Erdoganit. Qeveria mohon çdo ndikim mbi gjyqësorin dhe thotë se gjykatat janë të pavarura.

  • Flet babai i 17-vjeçarit të plagosur: Djali më gënjeu dhe mua dhe policinë, e plagosën me thikë dhe i bënin presion

    Flet babai i 17-vjeçarit të plagosur: Djali më gënjeu dhe mua dhe policinë, e plagosën me thikë dhe i bënin presion

    Prej ditës së premte, 17-vjeçari po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës. Gjendja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën, pasi thika nuk ka prekur organet jetësore. I riu është goditur tre herë me thikë, në stomak dhe në këmbë.

    Babai i të plagosurit rrëfen se konflikti ka nisur më herët, më 22 mars, kur djali i tij është goditur disa herë me levë nga të njëjtët persona. Megjithatë, nga frika e kërcënimeve, ai u kishte thënë familjarëve dhe policisë se ishte rrëzuar nga shkallët.

    “Njiheshin se janë në lagje. Djali më gënjeu mua dhe policinë, pasi autorët i bënin presion. Nëse nuk kapet autori i dytë nga policia, unë do të marra masa ndaj tij”, thotë ai.

    Sipas babait, ditën e djeshme, më 27 mars, djali i tij është sulmuar sërish nga të njëjtët agresorë, duke u goditur kësaj here me thikë. Ai kërkon nga policia e Sarandës të arrestojë të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje të rëndë.

  • Rama vazhdon të kopjojë paturpësisht programin e opozitës, tani është radha e pensioneve dhe pagës mesatare

    Rama vazhdon të kopjojë paturpësisht programin e opozitës, tani është radha e pensioneve dhe pagës mesatare

    Një ditë më parë, Edi Rama u tha shqiptarëve se nuk ka program sepse ai i fiton zgjedhjet.

    Para disa ditësh u tha se nuk ka nevojë për program sepse programi i tij është integrimi në BE.

    Kurse sot u shfaq para shqiptarëve, duke vazhduar të kopjojë programin e opozitës.

    Pas premtimit për pagën mesatare 500 euro, tani ishte premtimi për pensionet dhe pagën mesatare.

    Kujtojmë se opozita ka premtuar vendosjen e minimumit jetik prej 200 euro sapo të vijë në pushtet. Kjo do të thotë se ccdo pension do jetë së paku 200 euro. Ndërkohë paga minimale do jetë 500 euro dhe ajo mesatare 1200 euro.

    “Në janar 2026, paga minimale do të jetë 500 euro. Pensioni mesatar 400 euro për të gjithë ata që kanë paguar sigurime të plota, ndërkohë pensioni minimal për të gjithë të tjerët 200 euro”, tha Rama.

    Ai u shpreh se në vitin 2030, mësuesit do të kenë një pagë mesatare 1250 euro.

    “Sot, në vlerësimin e fundit të pavarur të bërë nga INSTAT-i të konfirmuar nga organizatat financiare ndërkombëtare, paga mesatare për vitin 2024 në sektorin publik u mbyll 1 mijë euro, ndërsa në Shqipërinë 2030, do të jetë të paktën 1200 euro.

    Pagën mesatare të përgjithshme e rritëm më shumë se 2 herë e gjysmë dhe do ta rrisim të paktën 30% më shumë.

    Kjo ishte paga mesatare. Kjo është paga mesatare. Paga mesatare e sektorit publik dhe privat bashkë, pra paga mesatare në Republikën e Shqipërisë. Kjo do të jetë paga mesatare të paktën 1 mijë euro.

    Vazhdojmë me pagën minimale në vitin 2013, kur ne e morëm detyrën, paga minimale ishte 157 euro. Sot, 2024 u mbyll me pagën minimale 400 euro dhe duke filluar nga janari 2026 me një vendim që do të merret pas zgjedhjeve kur do të bëhet edhe akti normativ i qershorit, paga minimale do të jetë 500 euro.

    Për të mbështetur punonjësit që do të përfitojnë nga kjo rritje e shpejtë e pagës minimale, sipërmarrësit do të jenë detyruar të rrisin pagën minimale, por ne do t’u japim një lehtësi që gjatë 18 muajve pas pagës së parë, shteti atyre nuk do t’u kërkojë asnjë detyrim tatimor mbi shtesën prej 100 eurosh”, tha Rama.