Trashëgimtari i tij ende nuk është caktuar. Madje nuk dihet as nëse, një ditë, roli i numrit një të konglomeratit më të madh të luksit në botë, i cili është i lidhur fort me pronarin Bernard Arnault (sot 76 vjeç dhe ende shumë larg dëshirës për të dalë në pension), do të kalojë në duart e njërit prej pesë fëmijëve të tij. Apo ndoshta, në krye të LVMH-së do të vijë një menaxher jashtë familjes.
Ajo që dihet me siguri është se, një herë në muaj, në numrin 22 të Avenue Montaigne, klani Arnault mblidhet për drekë. Rreth një tavoline në katin e fundit të selisë së grupit, disa hapa larg Champs-Élysées, patriarku diskuton për të tashmen dhe të ardhmen e shtëpive të modës së bashku me pesë fëmijët e tij. Dy të parët, Delphine dhe Antoine, kanë lindur nga martesa me Anne Dewavrin; tre të fundit, pra Alexandre, Frédéric dhe Jean, janë fryt i martesës me pianisten kanadeze Hélène Mercier. Të gjithë, përveç më të voglit (vetëm për arsye moshe), janë gjithashtu anëtarë të Bordit të Drejtorëve të LVMH-së dhe mbajnë pozicione të rëndësishme në kompanitë e grupit.
“Formimi im në biznes filloi kur isha 9 vjeç, gjatë mëngjesit”, ka pohuar i treti nga fëmijët, Alexandre, sipas asaj që ka raportuar New York Times, duke dhënë një pasqyrë të qartë të disiplinës dhe rreptësisë me të cilën ai dhe vëllezërit e tij janë rritur. Ndërmjet studimeve në shkollat më të njohura, mësimeve të pianos dhe testeve të vazhdueshme për të përmirësuar aftësitë matematikore, që i ati i vinte zakonisht çdo mbrëmje para darkës, të gjithë fëmijët e Arnault janë edukuar që të marrin një rol drejtues në biznesin familjar.
“E shoh veten si një ambasador të trashëgimisë dhe kulturës franceze. Ajo që krijojmë është emblematike. Është e lidhur me Versajën, me Maria Antonuanetën”, ka deklaruar patriarku, i cili, përveçse ka ndryshuar statutin për të zhvendosur kufirin e moshës për CEO-n nga 80 në 85 vjeç, ka strukturuar kompaninë në mënyrë që fëmijët e tij të mos mund të shesin aksionet e tyre për 30 vjet. Kontrolli i LVMH-së është kështu i mbyllur në duart e Arnault-ve deri në vitin 2052. Po me çfarë merren sot pesë trashëgimtarët?
Delphine Arnault
Lindur në vitin 1975, e vetmja grua mes pesë trashëgimtarëve, Delphine që nga shkurti 2023 është presidente dhe CEO e Christian Dior Couture. Pasi ka ndjekur studimet në EDHEC Business School në Lille dhe në London School of Economics, ajo bëri hapat e parë në botën e punës te McKinsey, për të hyrë më pas në LVMH duke punuar pranë John Galliano-s. Në vitin 2001 ajo iu bashkua Dior-it, ku, pas shtatë vitesh, mori postin e zëvendësdrejtoreshës së përgjithshme ekzekutive, një pozicion që e mbajti deri në vitin 2013, kur u emërua zëvendësdrejtoreshëe përgjithshme ekzekutive e Louis Vuitton. Dy vite më parë, ajo u bë drejtuese e markës më të rëndësishme të grupit.
Antoine Arnault
47 vjeç, Antoine është fëmija i dytë i Bernard Arnault. Që nga viti 2024 ai është president i Berluti, një rol që nga viti 2013 e mban edhe për Loro Piana. Njëkohësisht, ai është edhe drejtor i imazhit dhe mjedisit në LVMH. Më parë ka mbajtur disa pozita në rritje te Louis Vuitton, ku u bashkua në vitin 2000, deri sa u bë drejtor komunikimi (2007-2011). Sa i përket formimit të tij, Antoine ka marrë një diplomë në HEC Paris (École des HautesÉtudes Commerciales), një nga shkollat më prestigjioze të biznesit në Francë, si dhe një master në administrim biznesi në INSEAD.
Alexandre Arnault
Vetëm 33 vjeç, në shkurtin e kaluar Alexandre u emërua zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Moët Hennessy, divizioni i verërave dhe pijeve alkoolike i LVMH-së. Pas diplomimit në Inxhinieri Informatike në Télécom ParisTech dhe marrjes së një Masteri në Kërkim dhe Inovacion në École Polytechnique, nga viti 2015 deri në 2016 ai u mor me investimet e grupit, duke luajtur një rol kyç në blerjen e Rimowa (për 800 milionë euro). Për markën e valixheve ai mbajti postin e drejtorit të përgjithshëm, për të kaluar më pas në vitin 2021 në drejtimin e Tiffany & Co. Megjithëse shumë i ri, me një karrierë të spikatur, Alexandre mund të bëhet së shpejti pjesë e bordit të drejtuesve të Moncler, nëse asambleja e aksionarëve e planifikuar për 16 prill miraton bordin e ri.
Frédéric Arnault
I lindur në vitin 1995, Frédéric u emërua drejtor i përgjithshëm i Loro Piana vetëm disa ditë më parë. Deri tani, djali i katërt i Bernard Arnault ishte përqendruar kryesisht te orët, duke qenë drejtor i përgjithshëm i divizionit të orëve, që përfshin markat Hublot, Zenith dhe TAG Heuer (këtë të fundit e drejtoi si drejtor i përgjithshëm nga viti 2020). Pas diplomimit për Matematikë të Aplikuar dhe të Llogaritshme në École Polytechnique (të cilën e ka ndjekur edhe babai i tij), ai bëri hapat e parë në botën e punës fillimisht te McKinsey, e më pas te Facebook (tani Meta) në departamentin e inteligjencës artificiale. Tani, nga IA-ja, ai ka kaluar te kashmiri.
Jean Arnault
Më i riu mes trashëgimtarëve, Jean (i lindur në vitin 1998), është i vetmi që ende nuk ka një vend në bordin e LVMH. Kjo zgjedhje ka të bëjë thjesht me moshën dhe nuk lidhet me ndonjë mungesë besimi nga ana e babait. Përkundrazi. Që nga viti 2022, ai mban postin e drejtorit të orëve për Louis Vuitton, një markë për të cilën ka punuar edhe si drejtor marketingu dhe zhvillimi për orët, si dhe më parë si asistent shitjesh (një përvojë e shkurtër, e realizuar në vitin 2017, siç tregon profili i tij në LinkedIn).
Sa i përket formimit të tij, Jean Arnault ka marrë një Master në Inxhinieri Mekanike në Imperial College London dhe ka studiuar Matematikë Financiare në Massachusetts Institute ofTechnology (MIT). Një karrierë e ndritur, që është vetëm në fillimet e saj. / Soldout Service – Syri.net








