Një helikopter privat, i marrë me qira për të transportuar një grup të vogël turistësh drejt ishullit të Mykonosit, u rrëzua të dielën pasdite në det në Jug të Athinës.
Incidenti ndodhi pak minuta pas ngritjes në ajër dhe u pa nga dhjetëra pushues që ndodheshin në plazh, ndërsa shkaqet mbeten ende të paqarta. Sipas raportimeve nga Agjencia Kombëtare e Lajmeve në Greqi në bord ndodheshin pesë persona piloti dhe katër turistë të huaj të cilët arritën të dalin në breg dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën, me lëndime të lehta.
Piloti dyshohet se ka identifikuar një problem teknik gjatë ngritjes dhe u ka kërkuar pasagjerëve të hidhen në det, ndërsa ai vetë ka qëndruar në bord duke u përpjekur të stabilizonte helikopterin dhe të fitonte lartësi.
Një mjet i Rojës Bregdetare dhe një mjet tokësor u dërguan menjëherë në vendin e ngjarjes për të ndihmuar në operacionin e shpëtimit dhe në nxjerrjen e helikopterit nga uji. Në operacion mori pjesë edhe një zhytës privat.
Ndërkohë, Prokuroria e Athinës ka urdhëruar një hetim paraprak për të përcaktuar shkaqet e rrëzimit dhe nëse ka përgjegjësi penale. Piloti 57-vjeçar u arrestua nga autoritetet portuale dhe më pas u la i lirë, por është urdhëruar të marrë pjesë në hetimin paraprak.
