Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka komentuar në një emision televiziv dy atentatet e ndodhura pak ditë më parë, që tronditën opinionin publik – një në Lezhë, ku humbi jetën Gjovalin Prendi, dhe tjetri në Tiranë, ku u plagosën katër persona. Fillimisht u dyshua se ngjarjet kishin lidhje me njëra-tjetrën, por hetimet e deritanishme kanë zbuluar elementë të ndryshëm dhe të veçuar.
Sipas Karamuços, ka ende shumë paqartësi dhe pikëpyetje, veçanërisht në lidhje me ngjarjen në Lezhë, ku nuk janë gjetur armët në makinën që u dogj, një fakt që ai e cilësoi të pashpjegueshëm dhe të dyshimtë:
“Të marrësh armën nga vendi i krimit e implikon shumë vetën. Nuk janë gjetur armët kur është djegur makina. Ka një indicie që mbetet e pashpjegueshme.”
Për atentatin në Tiranë, eksperti theksoi një itinerar të pazakontë të përdorur nga autorët dhe viktimat, që kanë hyrë në Tiranë me dy automjete të zeza tip G-Class, duke kaluar në rrugë të ndryshme për të shmangur trafikun.
“Është hera e parë që bëhej ky itinerar nga këta persona. Njëri mjet ka hyrë në unazën veriore, tjetri në atë jugore. Kanë shmangur zonën e zakonshme dhe kjo ngre dyshime.”
Ai shtoi se në atë zonë, brenda rezidencave, më herët kanë ndodhur edhe vrasje dhe vetëvrasje, çka e bën ambientin veçanërisht të ndjeshëm për hetim.
Sa i takon të plagosurve, Karamuço tha:
“Janë goditur me kallashnikov, janë plagosur të katër. Shoferi ka ikur, të tjerët janë rrëzuar pa ndjenja. Makina është ndalur nga pasagjeri. Dy vëllezërit kanë marrë babain në telefon, janë dërguar në spital dhe më pas janë transportuar për në Itali.”
Ai përmendi gjithashtu se janë gjetur copëza plumbash në trupat e të plagosurve, çka tregon për intensitetin dhe afërsinë e zjarrit gjatë atentatit.
Hetimet janë ende në vijim dhe sipas Karamuços, shumë elementë mbeten ende të paqartë.
Atentati në Tiranë, Karamuço: Shumë pikëpyetje, armët nuk u gjetën
