Presidenti amerikan Donald Trump do të presë të hënën në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyahu. Takimi me tyre vjen në një kohë kur po përforcohen përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje armëpushimi dhe çlirimi pengjesh mes Izraelit dhe Hamasit, me synimin për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza.
Lajmi është konfirmuar nga dy zyrtarë të administratës amerikane, të cilët kërkuan të mbeten anonimë, pasi nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht.
Kjo do të jetë vizita e tretë e Netanyahut në Shtëpinë e Bardhë që nga rikthimi i Trump në detyrë në janar të këtij viti. Ajo vjen pas përfshirjes së SHBA-së në luftën mes Izraelit dhe Iranit, ku amerikanët kryen sulme ndaj disa qendrave bërthamore iraniane. Pas arritjes së një armëpushimi mes Izraelit dhe Iranit, Trump ka paralajmëruar se tani do të përqendrojë vëmendjen tek përfundimi i luftës në Gaza. Të premten, ai u shpreh para mediave se “mendojmë se brenda javës së ardhshme do të kemi armëpushim në Gaza”, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Sekretarja e shtypit në Shtëpinë e Bardhë, Karoline Leavitt, tha se Trump dhe zyrtarët e tij janë në kontakt të vazhdueshëm me udhëheqësit izraelitë dhe se zgjidhja e konfliktit në Gaza është një prioritet për presidentin amerikan. “Është tronditëse të shohësh pamjet që vijnë nga Izraeli dhe Gaza gjatë kësaj lufte, dhe presidenti dëshiron që kjo të marrë fund,” tha ajo. “Ai dëshiron të shpëtojë jetë.”
Ministri izraelit për Çështjet Strategjike, Ron Dermer, ndodhet këtë javë në Uashington për bisedime me zyrtarë të lartë amerikanë për armëpushimin në Gaza, Iranin dhe çështje të tjera. Bisedimet mes Izraelit dhe Hamasit janë ndërprerë disa herë për shkak të mosmarrëveshjeve kryesore, veçanërisht nëse lufta duhet të marrë fund si pjesë e marrëveshjes për armëpushim. Aktualisht, rreth 50 pengje mbeten të mbajtur në Gaza, ndërsa besohet se më pak se gjysma e tyre janë ende gjallë.
Sipas raportimeve të para nga Axios, Trump do ta mirëpresë Netanyahun në Uashington, duke vazhduar të përballet me pyetje skeptike nga ligjvënës demokratë dhe të tjerë lidhur me efektivitetin e sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj programit bërthamor iranian. Një raport paraprak i Agjencisë Amerikane të Inteligjencës së Mbrojtjes thekson se sulmet kanë shkaktuar dëme të mëdha në vendet Fordo, Natanz dhe Isfahan, por nuk kanë shkatërruar plotësisht këto objekte.
Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, Rafael Grossi, deklaroi se tre vendet iraniane me kapacitete për trajtimin dhe pasurimin e uraniumit janë dëmtuar në masë të konsiderueshme, por disa struktura janë ende të paprekura. Ai shtoi se për të vlerësuar dëmet në total, nevojitet që Irani t’u lejojë inspektorëve të hyjnë në vendet bërthamore.
Në ditët e fundit, Trump është përfshirë edhe në çështjet e brendshme politike të Izraelit, duke kërkuar heqjen e akuzave ndaj Netanyahut në procesin e tij për korrupsion. Ai e ka cilësuar këtë gjyq si një “gjueti shtrigash” dhe ka premtuar se SHBA do ta “shpëtojë” liderin izraelit nga këto akuza serioze. Përfshirja e Trump në këtë debat politik ka shqetësuar disa figura kyçe të skenës politike izraelite.
Ndërkaq, administrata Trump miratoi të hënën një kontratë armësh me vlerë 510 milionë dollarë për Izraelin, për të furnizuar ushtrinë me pajisje udhëzuese për bomba me precizion.
Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se kontrata përfshin mbi 7,000 pajisje udhëzuese për dy lloje të municioneve JDAM (Joint Direct Attack Munitions).
Megjithëse vlera e kësaj kontrate është relativisht e vogël krahasuar me ndihmën ushtarake prej më shumë se 3 miliardë dollarë që SHBA i jep Izraelit çdo vit, këto pajisje kanë qenë të rëndësishme për sulmet izraelite ndaj Hamasit dhe për goditjet ndaj Iranit.
“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj sigurisë së Izraelit dhe konsiderojnë jetike për interesat kombëtare të SHBA-së mbështetjen për Izraelin në zhvillimin dhe ruajtjen e një kapaciteti të fortë dhe të gatshëm për vetëmbrojtje,” tha departamenti në një deklaratë. “Kjo shitje është në përputhje me këto objektiva”.
Armëpushim në Gaza?! Trump pret Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë të hënën e ardhshme
