Nga Julia Vrapi
“Nënqyteti” i Pogradecit vjen me vizatime. Ekspozita me punime të piktorit të njohur Anastas Kostandini u çel për publikun këtë sezon vere në Galerinë e Artit të qytetit të Pogradecit. “Nënqyteti” është një projekt artistik me realizim nga Anastas Kostandini, ndërsa koncepti dhe drejtimi artistik nga e bija e tij Ledia Kostandini.
“Nënqyteti” i Pogradecit zbulohet përmes artit të Anastas Kotandinit, i cili tregon se nëpërmjet vizatimeve është ndërtuar një ekspozitë. “Projekti “Nënqyteti” është një propozim për një dialog të thellë me qytetin dhe qytetarët. Në projekt kisha rol thelbësor, sepse nëpërmjet vizatimeve të mia është ndërtuar një ekspozitë e tërë, por ka edhe video e fotografi të vjetra që e shoqërojnë, objekte të vjetra, ka një performancë bashkëkohore, një hartë të madhe që është në tokë dhe duket sikur ecën mbi qytet”, thotë piktori Kostandini. E veçanta e këtyre vizatimeve të ekspozuara është që të gjithë shoqërohen me një tekst që ka shkruar piktori, që e ka shkruar si memorie, si kujtim nga pozitat e një qytetari dhe të një dëshmitari. Ekspozita sjell për publikun vizatime si një hartë poetike të Pogradecit, me vende të harruara, të zhdukura apo të transformuara, por piktori Anastas Kostandini tregon se ka shfrytëzuar dhe materiale të tij të viteve të shkuara.
“Unë jam marrë 2 muaj dhe kam bërë 32 vizatime bashkë me një hartë dhe kam shfrytëzuar materialet e mia të viteve të shkuara, sepse unë tërë jetën kam pikturuar në Pogradec në qytetin tim, qoftë nga dosja e vizatimeve, qoftë nga mbresat këtu e 50 vite para. Janë ambiente pothuajse të zhdukura për shkak të zhvillimit urban, por që unë kam jetuar në atë kohë i kam shndërruar në disa minikompozime, ku tregohet edhe jeta njerëzore, por dhe vende të caktuara, të cilat janë zhdukur jo vetëm për shkak të zhvillimit urban, por dhe për shkak të neglizhencave, moskujdesit, amortizimit”, thotë piktori Kostandini. Anastas Kostandini është një piktor, mozaist, vizatues, grafist, ilustrator i mirënjohur shqiptar lindur në Pogradec. Në 1978 diplomohet në Akademinë e Arteve të bukura në Tiranë për art monumental. Ndër vite ka hapur ekspozita të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, që janë mirëpritur nga publiku dhe kritika.
“Nënqyteti” si projekt artistik
“Nënqyteti” një projekt artistik që rizbulon shtresat e zbehura të Pogradecit, vendet e harruara, të ndryshuara apo të zhdukura, ende të gjalla në kujtesën e banorëve dhe në vetë strukturën urbane. Vende të vizatuara nga artisti Anastas Kostandini që ndërtojnë një hartë intime dhe poetike të qytetit, të rikthyer përmes kujtesës, vëzhgimit të imët dhe rrëfimit. “Dialogu ndërbrezor dhe artistik në një kontekst të ngushtë si familja, mes Tasos dhe vajzës së tij Ledia Kostandini, ndërthur kujtesën personale, ndjeshmërinë artistike dhe përjetimin bashkëkohor. Krahas bashkëpuntorëve të afërt si Paola Iljazi dhe komunitetit artistik, ata nxisin një reflektim mbi marrëdhënien e qytetit me kujtesën kolektive të tij”, thuhej më herët për ekspozitën. Harta e nënqytetit përmban pikat e vendeve të vizatuara nga Taso, të cilat ndërtojnë dy trajektore: njëra përgjatë bregut të liqenit dhe tjetra nëpër qytetin e vjetër. QR-kodet e secilës pikë ju çojnë në vendndodhjet përkatëse në terren, përmes Google Maps. Projekti “Nënqyteti” realizohet në kuadër të projektit “Liqenet e Shqipërisë”, financuar nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe zbatuar nga COSV Albania.
Anastas Kostandini: “Nënqyteti” është një propozim për një dialog me qytetin dhe qytetarët
