Aksident në rrugën Fier-Levan, makina përplaset me shtyllën elektrike, plagoset drejtuesi

Një aksident rrugor ka ndodhur pasditen e sotme në aksin Fier- Levan, në afërsi të “ Kthesës së Zhupanit” .Një automjet ka humbur kontrollin dhe për pasojë është përplasur me shtyllën elektrike.
Nga përplasja e fortë ka mbetur i lënduar drejtuesi i automjetit , i cili është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal Fier , ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën, raporton gazetarja e News 24 Jorsena Brahimllari
Ndërkohë në vendngjarje ndodhet policia dhe grupi hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e shkaqeve të aksidentit në fjalë dhe punonjësit e OSHEE , për të bërë të mundur riparimin e kabujve të tensionit të lartë, të cilët ranë përtokë duke penguar edhe qarkullimin e automjeteve në këtë aks veçanërisht të frekuentuar gjatë muajve të verës.