Personalitete të artit dhe kulturës, regjisorë, aktorë dhe më gjerë në aktivitetin për Teatrin Kombëtar, që festoi 80-vjetorin e tij si një nga institucionet më të rëndësishme arti dhe kulturës në vend. Teatri Kombëtar festoi 80-vjetorin e krijimit të tij, duke hapur edhe arkivën me foto dhe dokumente historike, ndrësa në skenë me aktorët dhe të rinjtë u ngjit komedia e themelimit të teatrit “Topazi” e vitit 1945. Ky teatër u përurua si i pari teatër profesionist shqiptar në 17 maj të vitit 1945, ku me regjinë e Sokrat Mios u shfaq komedia “Topazi”, që u quajt si “shfaqja themeluese e Teatrit Kombëtar”. Mbrëmjen e së enjtes në një ceremoni të organizuar në ambientet e “ArTurbinës” në praninë e trupës së Teatrit Kombëtar dhe artistëve të shumtë, u kujtuan artistët që i dhanë jetë këtij institucioni të rëndësishëm të artit e kulturës. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja foli mes të tjerash për problematikat e institucioneve kulturore sot, ndërsa iu premtoi artistëve që në qendër të strategjisë së re të artit dhe të kulturës për periudhën 2026-2030, do të jetë statusi i artistit.
“Në dinamikën që ka jeta e një artisti, në rëndësinë që ka liria e tij, dhe ne duhet të garantojmë që kjo të ndodhë dhe kjo nuk bëhet pa një ombrellë speciale që do të ishte ajo e statusit të artistit. Kjo është një nga themelet për të cilën duhet të punojmë”, tha Gonxhja. Ndërsa drejtori në detyrë i Teatrit Kombëtar, Indrit Çobani u shpreh se teatri mbetet ndoshta hapësira e vetme ku njerëzit mund t’i ndajnë idetë e tyre duke u parë, duke e dëgjuar njëri tjetrin live. “Sot aktorët kanë sfidë me kohën të cilës i përkasin, në një zhurmë informative, ata duhet të gjejmë rrugë të reja se si të depërtojnë tek audienca”, tha ai. Aktorja Luzia Xhuvani solli për të pranishmit kujtime nga nisja e punës në Teatrin Kombëtar, ndërsa aktori Ndriçim Xhepa solli në vëmendje përgatitjen në radhë të parë të regjisorëve. Aktualisht teatri i zhvillon shfaqjet tek “Art Turbina”, në pritje të godinës së re që po ndërtohet në po atë vend, ku ndodhej ndërtesa e dikurshme e Teatrit Kombëtar.
80-vjetori i krijimit të Teatrit Kombëtar, një ekspozitë me materiale arkivore dhe në skenë shfaqja “Topazi”
