Gazetari sulmon Adriatik Lapajn dhe Arlind Qorin: Me 3 milionë euro mezi kapi një mandat, Arlind Qori shpenzoi…

Gazetari Bledi Mane ka shpërthyer dje me tone të forta ndaj mënyrës se si janë financuar dhe përdorur fondet gjatë fushatave të partive të reja në zgjedhjet e 11 majit. Me një reagim në rrjetet sociale, Mane ngre akuza të rënda për mënyrën se si janë djegur miliona euro në fushata pa prodhuar thuajse asnjë rezultat konkret politik, përveç mandateve të vetmuara që nuk përfaqësojnë as ndryshim dhe as garanci për opozitë reale. “Agron Shehaj harxhoi 3 milionë euro, i kapi dy mandate.
Adriatiku dhëndri i Alltunit me 3 milionë euro mezi kapi një mandat, ndërsa Arlind Qori një mandat e kapi me 300 mijë euro por nuk hyn dot vetë deputet pasi është i dyti në listë. Mes këtyre të treve vetëm Agroni harxhoi paratë e tij, po këta dy të tjerët paratë e kujt harxhuan? Media dhe Spak kanë punë pas shtatorit jo pse mund të jenë mërzitur ndërtuesit Shkëlzen Berisha dhe Maksim Muçi por duhet të hetojnë pse nuk u harxhuan të gjitha paratë dhe kush e vodhi pjesën e mbetur të këtyre parave të dhëna nga oligarkët e lartpërmendur për fushatat elektorale të partive të reja dështake?”, shkruan ai.
Pas mbylljes së ciklit zgjedhor, pritet që SPAK dhe institucionet e tjera të drejtësisë të marrin në shqyrtim jo vetëm deklaratat e buxheteve të partive, por edhe raportet e kontratave, shpenzimeve dhe transaksioneve të fushatave që kanë krijuar më shumë zhurmë se sa vota. Nëse deklaratat e Bledi Manes provohen të jenë të sakta, Shqipëria mund të përballet me një tjetër skandal të madh politik e financiar, ku “ndryshimi” rezulton të jetë një tjetër maskë për të vjetrit, dhe milionat e fushatës një mjet i rrezikshëm për të kontrolluar lojën demokratike nga prapaskena.