Juristi Kreshnik Spahiu, i ftuar në një emision televiziv, komentoi reagimet në Partinë Demokratike pas një lajmi që u përhap mbi mundësinë që Sali Berisha të udhëtojë në SHBA. Sipas Spahiut, PD “festoi” pa shkak, pasi Berisha mbetet ende non grata dhe asnjë ndryshim zyrtar nuk ka ndodhur.
Spahiu theksoi se pyetja që gazetari Caputo i kishte drejtuar Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), dhe përgjigja e marrë prej tij, nuk kanë lidhje me statusin non grata. Ai shpjegoi se gazetari kishte pyetur vetëm nëse Berisha mund të pajiset me një leje udhëtimi, por kjo nuk do të thotë se i është hequr statusi i sanksioneve.
“Ka një ngatërrim të qëllimshëm. Pyetja nuk ka qenë nëse i është hequr non grata, por nëse mund të marrë një vizë për të udhëtuar. Këto janë dy gjëra krejt të ndryshme,” tha Spahiu.
Ai krahasoi këtë situatë me lajmin e rremë për hetimin dhe shkarkimin e ish-ambasadores Yuri Kim, i cili u përgënjeshtrua më pas nga DASH:“Nuk ka asnjë njoftim zyrtar, as në faqen e DASH, as në Twitter, as nga zyrtarë të tij. Më e rëndësishmja është se as pyetja, as përgjigja nuk kanë lidhje me heqjen e statusit non grata.”
Spahiu kujtoi se edhe politikanë të tjerë me këtë status kanë marrë pjesë në ngjarje ndërkombëtare në SHBA përmes përjashtimeve diplomatike, por kjo nuk përbën ndonjë precedent për Berishën.
Ai hodhi dyshime mbi mungesën e udhëtimit të Berishës në SHBA në këtë fushatë, duke e konsideruar një tregues se ai mbetet ende i sanksionuar:“Nëse do t’i ishte hequr statusi, përse shkoi në Itali e Greqi dhe jo në SHBA? A është mbyllja e fushatës në Lezhë më e rëndësishme se ajo në Uashington?”
Në vijim, Spahiu u ndal te interesat që fshihen pas këtij lajmi, duke përmendur këshilltarin amerikan Chris LaCivita dhe kompaninë lobuese “Continental Strategy”:“Përmes kësaj pyetje-përgjigjeje janë përpjekur të justifikojnë shpenzimet marramendëse për lobim. LaCivita nuk ka dhënë asnjë faturë, ndërsa Berisha shmanget ta komentojë.”
Sipas tij, për t’i hequr zyrtarisht statusin non grata një personi, duhet një proces i njëjtë dhe i dokumentuar si ai i vendosjes së sanksioneve, përfshirë një akt normativ të ri nga DASH me arsyetim të qartë.
‘Berisha mbetet non grata’, Spahiu: PD festoi kot, viza dhe statusi janë gjëra të ndryshme
