Tabaku: Meritoja të isha në listat e mbyllura, ja çfarë më penalizoi

Kandidatja e e PD në Qarkun e Tiranës, Jorida Tabaku tha në studion e Quo Vadis në Vizion Plus se meritonte të ishte në listë të mbyllur jo në listë të hapur në zgjedhjet e 11 majit.
Ajo u shpreh se kishte pasur një diskutim të gjatë me liderin e opozitës Sali Berishën, dhe se e dinte që do të ishte në listë të hapur, nuk ishte surprizë për të.
Kandidatja demokrate hodhi edhe dyshimet se e gjitha kjo, mund të jetë një strategji politike, duke theksuar se ajo ishte më e votuara në primare dhe kjo do të sillte më shumë vota në opozitë.

Tabaku deklaroi në Quo Vadis se Partinë Demokratike nuk do t’a ndryshonte për asnjë kah tjetër politik.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Prisnit të ishit në listë të hapur, kur ishit më e votuara në primare?
Tabaku: Unë mendoj që meritoja të isha në listat e mbyllura, edhe për profilin që kam, për votat në primare, edhe për performancën time në opozitë. Fakti që jam në listat e hapura po më nxjerr mua një anë tjetër luftarake, që jo shumë njerëz e kanë parë. Unë kam punuar njësoj në fushatë, si në listë të hapur, si në të mbyllur. Kush është në PD e di se si unë punoj.
Borakaj: Çfarë ju penalizoi?
Tabaku: Nuk më penalizoi asgjë. Mund të ishte edhe strategji elektorale. Ndoshta unë mund të jem një person që tërheq vota.
Borakaj: T’u dha një shpjegim?
Tabaku: Patëm një diskutim të gjatë me z. Berishën. Unë e dija këtë para se të ndodhte. Nuk ishte surprizë për mua.
Borakaj: Mendoni që po ta mbështesnit që në fillim Berishën, do ishit në listë të mbyllur?
Tabaku: Nuk ka asnjë lidhje. Nuk ka lidhje as me angazhimin. Nuk besoj se Partia Demokratike është kjo. PD është zgjedhja ime e vetme, nuk e ndryshoj. Një force politike u duhen të gjithë. Në PD ka vend për të gjithë.
/vizionplus.tv