Kapja përfundimtare e Radiotelevizionit Shqiptar nuk ndodhi me një përplasje të fortë publike, por me një marrëveshje të heshtur që vulosi fundin e pavarësisë së medias publike. Në qendër të kësaj lëvizjeje qëndron një emër i njohur për publikun shqiptar: Eni Vasili, gazetarja e ekranit të mbrëmjes, e cila tashmë zyrtarisht është vendosur ditën e djeshme në krye të RTSH-së. Një zhvillim që nuk erdhi si surprizë, por si pjesë e një vendimi të Linda Ramës dhe të zbatuar me kujdes nga strukturat e pushtetit për të vendosur miken e saj në krye të këtij televizioni. Gazeta “SOT” e paralajmëroi këtë lëvizje që dy muaj më parë. Ajo që e bën më të rëndë këtë zhvillim është fakti se kapja nuk u realizua vetëm nga mazhoranca, por me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të opozitës.
Berisha në gjunjë para çiftit kryeministror
Preferencat e Linda Ramës bënë që kryeministri Edi Rama të arrinte pazarin e radhës me PD e Sali Berishës. Një gjunjëzim i plotë i tij përballë çiftit kryeministror. Si fillim u shkarkua një këshill i tërë nga PS-PD vetëm për tekat e Lindës. Si Evis Kushi e PS ashtu dhe Ina Zhupa e PD i dilnin në krahë njëra-tjetrës në muajin shkurt kur kërkuan shkrirjen e këshillit drejtues. “Po e dëgjoj shpesh argumentin nuk jam ekspert ligjor e nuk marr përgjegjësi. Nuk është argument. Edhe njerëzit që janë në rrugë janë në shkelje të ligjit e kjo nuk do të thotë që dalin në gjykatë e thonë unë e shkela se nuk e njoh ligjin. Për më tepër që je pjesë e një institucioni të rëndësishëm. Nuk është argument kjo. Dhe ne nuk jemi jurist por miratojmë çdo ditë ligje.
Çfarë do të thotë që ne nuk mbajmë asnjë përgjegjësi. Ankoheni se statute ka probleme. Keni përgjegjësinë ta ndryshoni. Është akoma më e rëndë që statuti ta dini që ka probleme e të mos merrni asnjë masë”, tha Kushi. “Ju vazon me paligjshmëri e keni mbushur por kjo ishte pika që e derdhi. Ju keni bërë dhe kur zgjodhët Alfred Pezën duke votuar për të skualifikuar një kandidat që i kishte të gjithë kriteret, si Ëngjëll Musai. Gjithë kohën kam qenë koherente”, tha Zhupa disa javë më parë. Më pas në Parlament u vendosën emra që vijnë kryesisht nga rrethet e pushtetit dhe ndikimi i drejtpërdrejtë politik. Kryetar i tij u zgjodh Fatjon Hoxhalli, një njeri i afërt i qeverisë, me eksperiencë pranë Niko Peleshit dhe grupit parlamentar socialist. Ndërkohë që pjesa më e madhe e anëtarëve të rinj vijnë nga rrethet e politikës, duke e kthyer institucionin që duhet të ishte i pavarur, në një mekanizëm kontrolli të plotë nga pushteti.
Kapja e RTSH
RTSH është operatori i vetëm publik në vend dhe, në bazë të dispozitave ligjore e standardeve të lirisë së medias, do të duhej të ishte i pavarur nga politika. Standardet janë rrezikuar plotësisht me zgjedhjen e fundit, duke ngritur shqetësime për angazhimet që vendi ka ndërmarrë në procesin e integrimit. Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë tha pak ditë më parë se ndikimi politik në një transmetues publik rrezikon integrimin e Shqipërisë në BE. “Pavarësia e transmetuesit publik të Shqipërisë, përfshirë edhe rreziqet e ndikimit politik në emërimet e Drejtorit të Përgjithshëm dhe Këshillit Drejtues, ka qenë një çështje afatgjatë e theksuar nga BE-ja për rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë,” thuhet në reagimin e zyrës së BE-së në Tiranë.
BE i kujton Shqipërisë angazhimet e marra në kuadër të negociatave, angazhime që sigurojnë ndër të tjera, “një reformë të plotë të kuadrit ligjor dhe rregullator për mediat, përfshirë synimin për të forcuar pavarësinë e transmetuesit publik”. Në progres-raportet e Komisionit Evropian theksohet rëndësia e një transmetuesi publik të pavarur dhe në mënyrë të veçantë ndikimi politik në përzgjedhjen e bordit, si një nga shtyllat e vlerësimit të lirisë së medias. Kujtojmë se RTSH ka qenë në qendër të debatit publik prej më shumë se një viti, pasi ish-drejtori Alfred Peza dha dorëheqjen, pasi u përball me kritika për shkarkime masive nga puna të gazetarëve dhe punonjësve të këtij institucioni gjatë vitit që mbajti detyrën.
“Zarja” e Linda Ramës zgjidhet drejtoreshë e RTSH, gazeta “SOT” e njoftoi dy muaj më parë, Sali Berisha në gjunjë…
