‘Do dyfishojmë fondin për komunitetet fetare’, Berisha ndez qirinj në Kishën e Kavajës: Kam dy dëshira, njëra për…

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një vizitë në Kishën Ortodokse të Kavajës me rastin e festës së Pashkës. Gjatë vizitës së tij, ai ndezi qirinj për besimtarët, ndërsa nuk mungoi edhe një mesazh politik i lidhur me zgjedhjet e 11 majit.
“Një për ju dhe një për fitoren e 11     Majit”, u shpreh Berisha, duke ndezur një tjetër qiri me shpresën për një rezultat pozitiv në zgjedhjet parlamentare.
Në fjalën e mbajtur para besimtarëve dhe përfaqësuesve të kishës, Berisha premtoi rritje të mbështetjes për komunitetet fetare në rast se PD vjen në pushtet. Ai tha se do të dyfishojë fondin buxhetor për komunitetet fetare dhe se do të angazhohet për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronave, duke i dhënë prioritet institucioneve fetare dhe ish-të përndjekurve politikë.
“Unë e kam deklaruar edhe më përpara, ajo që ne do bëjmë, dy gjëra, do përpiqemi dhe do i bëjmë.Së pari do të dyfishojmë fondin që kemi për komunitetet fetare, fondin buxhetor. Ne e patëm vendosur në atë kohë në buxhet një fond për komunitetet fetare dhe këtë fond e ndanin vetë në komitetin e tyre.
Por ky fond ka mbetur aty ku ishte dhe ne do e dyfishojmë atë, se është e domosdoshme të dyfishohet.
Së dyti, brenda këtij mandati që vjen në rast se qytetarët shqiptarë votojnë, ne do të zgjidhim përfundimisht problemin e pronave me përparësi absolute për institucionet fetare, por edhe për të gjithë shqiptarët.
Ne kemi marrë angazhim që në 4 vitet që vijnë, çështja e pronave të marrë përgjigje përfundimtare, duke angazhuar kështu të gjithë potencialin që ka qeveria në të gjitha aspektet financiare, rikthime fizike, kompensime fizike, por shoqëria duhet të ndahet nga ato padrejtësi të krijuara, shumë të mëdha.
Vazhdojnë dhe sot, dhe për fat të keq dua ta them, që pronat e komuniteteve fetare janë viktimat e para. Ato i kanë plaçkitur, i kanë grabitur, por ne do të qëndrojmë 100% me vendosmërinë më të madhe. Ne e kemi çështjen e zgjidhjes së pronave dhe të të përndjekurve politikë, duhet me çdo kusht që shoqëria të ndahet nga ato padrejtësi që janë bërë në të shkuarën.”