Aksi Elbasan-Qafë Thanë, banorët e Hotolishtit në protestë: Balluku nuk erdhi në takimin e paralajmëruar, absurditet

Banorët e fshatit Hotolisht në Librazhd kanë dalë sot në protestë, duke bllokuar segmentin rrugor që kalon nëpër fshat, si reagim ndaj mungesës së transparencës për projektin e aksit të ri Elbasan–Qafë Thanë. Ata shprehen se prej tetë muajsh presin një përgjigje zyrtare për fatin e banesave dhe tokave të tyre, por autoritetet nuk kanë dhënë asnjë sqarim.
Sipas banorëve, projekti aktual parashikon shembjen e rreth 30 shtëpive, duke prekur drejtpërdrejt jetën e qindra banorëve. Ata propozojnë si alternativë ndërtimin e një tuneli, i cili do të reduktonte ndikimin social dhe mjedisor të projektit.
Një tjetër shqetësim madhor është kompensimi i ofruar nga shteti, të cilin banorët e cilësojnë të papërshtatshëm për të rindërtuar jetën e tyre. Në veçanti, çmimi prej 174 lekësh për metër katror për tokat bujqësore është konsideruar qesharak dhe i papranueshëm nga protestuesit.
Pakënaqësia është përqendruar gjithashtu te zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila, sipas banorëve, nuk iu përgjigj thirrjes së tyre për një takim sqarues, ndonëse ishte paralajmëruar një vizitë e saj në zonë këtë të martë.
“Veprimi i ministres Balluku për të mos ardhur dhe për të sqaruar këta banorë është një absurditet shumë i madh”, deklaroi një protestues.
Banorët e Hotolishtit paralajmëruan bojkot të zgjedhjeve të 11 majit, nëse nuk jepet një vendim transparent dhe i drejtë për rrugën, shtëpitë dhe tokat që rrezikojnë të zhduken nën asfaltin e një projekti të diskutueshëm.