‘Premtimet elektorale synojnë vota, jo stabilitet financiar’, Malaj: Trendi ekonomik të jetë në rritje

Ish-ministri i Ekonomisë, Arben Malaj, në një intervistë televizive, ka shprehur rezervat e tij ndaj premtimeve që po bëjnë partitë politike në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit. Sipas tij, shumë nga këto angazhime nuk janë realiste dhe kanë si qëllim fitimin e votave, më shumë sesa ofrimin e një drejtimi të qëndrueshëm ekonomik për vendin.
Malaj theksoi se partitë duhet të premtojnë stabilitet financiar dhe rritje të qëndrueshme ekonomike, duke shmangur politikat e fragmentuara dhe të papërgjegjshme.
“Së pari dua të them se jam duke shkruar dy libra për ekonominë. Programet elektorale tani nuk kanë peshën si dikur, ka dhe rrjete sociale. Do jetë e vështirë sesa të realizueshme janë premtimet e partive. Partia politike duhet të premtojë që vendi do ketë stabilitet financiar, partia mbështet rritje ekonomike më të mirë dhe kujdeset që vendi të ketë rritje, të ketë trend pozitiv.
TVSH 20 përqind nuk ka ndryshuar prej shumë kohësh dhe do doja që mos ta copëtojnë. Janë më mirë politikat sociale. Taksa e sheshtë 10 përqind është një dështim. Partitë sa duket duan vetëm të thithin votën, jo se kanë mendime më të mira ekonomike.” – tha Arben Malaj.