Nga Julia Vrapi
Komedia “Shumë pak vrasës” me ngjarje që vendosen në një sallon bukurie, premierë në teatrin “Skampa”. Komedia me regji të Rozi Kostanit solli në skenë situata enigmatike dhe surprizuese për publikun. Shfaqja teatrore e bazuar mbi motivet e autorit Paul Portner është dhe një ndër premierat e reja këtë sezon artistik në teatrot tonë, ku kjo komedi në skenën e Elbasanit shënoi një sukses. Ngjarjet në komedi vendosen në një sallon bukurie, ku ndodh një vrasje, ndërkohë që dëshmitarët përpiqen ta hedhin fajin tek njëri-tjetri, ndërsa një dedektiv kërkon ndihmën e publikut për të zgjidhur çështjen. Për regjisoren nga Rozi Kostani komedia me pritjen që i bëri publiku i kaloi pritshmëritë e saj. Rozi Kostani është një nga zërat e veçantë të regjisë teatrore shqiptare, e njohur për qasjen e saj të thellë, të ndjeshme dhe moderne ndaj materialit dramatik. Edhe më parë me pjesët teatrore që ka vënë në skenë ka përcjellë dhe mesazhe të publiku dhe për këtë komedi, që shënoi premierën në teatrin “Skampa” të qytetit të Elbasanit, regjisorja Kostani thotë se është sarkastike ndaj fenomeneve që ne po kalojmë.
“Premiera e komedisë “Shumë pak vrasës” në teatrin “Skampa” u prit jashtëzakonisht mirë, madje i ka kaluar pritshmëritë e mia. Ajo pse unë e kam zgjedhur këtë vepër pikërisht për kohën që ne jemi. Një titull i goditur për kohën, sepse komedia vë gishtin në plagë. Është sarkastike ndaj fenomeneve që ne po kalojmë, ndaj fenomeneve të shoqërisë që po kalon tani”, thotë regjisorja Rozi Kostani ndër të tjera për këtë shfaqje që solli në skenë këtë nëntor. Deri tani në skenën e teatrit “Skampa” janë dhënë tre shfaqje, ndërsa do të vijojë sërish për publikun dhe në datat 29 dhe 30 nëntor, si dhe 1 dhjetor.
E veçanta e veprës teatrore
Komedia “Shumë pak vrasës” vjen në skenë si produksion i teatrit “Skampa” të Elbasanit dhe është në vijim të aktivitetit artistik në këtë teatër. Komedia pasuron dhe kalendarin artistik të këtij teatri këtë sezon vjeshte. Shfaqja teatrore e bazuar mbi motivet e autorit Paul Portner është me përkthim nga Maklena Nika. Një vepër teatrore që është në një stilistikë të veçantë, ndryshe nga dramaturgjia klasike. Rozi Kostani një regjisore që i jep skenës zë, gjuhë dhe emocion tregon se është përpjekur për ta sjellë këtë vepër me problematikat që ka shoqëria jonë. “Jemi përpjekur për ta sjellë te publiku me problematikat tona. Komedia “Shumë pak vrasës”, sarkazma e ditëve që jetojmë, sepse ajo çfarë vepra ka në thelb të saj është që publiku duhet ta gjejë vrasësin dhe publiku vetë voton kush është vrasësi. Unë këtë e kam bërë që ne jemi të gjithë vrasës dhe të gjithë të vrarë. Ne vrasim me sjellje, vrasim me një fjalë, vrasim me ato shkopinjtë që i fusim tjetrit nën rrota. Vrasja merr dimension më të madh.E veçanta e veprës është që ka interaktivitet me publikun. Pra publiku voton edhe flet me spektatorin, me dedektivin për të gjetur vrasësin, pra e gjen publiku. Asnjëherë në Shqipëri nuk është vënë kështu një vepër”, thotë regjisorja Rozi Kostani. Në rolet e komedisë interpretojnë aktorët e njohur të teatrit Helidon Fino, Ola Harizaj, Marin Orhanasi, Vin Bejleri, Erli Fortuzi, Elona Mamo, Marsias Lila, Rudi Koçibelli. Nën regjinë e Rozi Kostani, aktorët sollën me mjeshtëri në skenën e “Skampas” komedinë misterioze “Shumë pak vrasës”, duke rrëmbyer duartrokitjet e publikut. Rozi Kostani ka sjellë në skenë vepra të ndryshme teatrore drama dhe komedi, por në vijim të aktivitetit të saj artistik premiera e re me regji prej saj u shfaq në teatrin “Skampa”.
Në shfaqjen teatrore
Një pianiste e moshuar, Izabela, jeton e vetmuar në katin e dytë të një ndërtese të vjetër. Ajo i ka dhënë me qera katin e parë Tonit, një burrë ambicioz që ka hapur aty një sallon bukurie ku punon me asistenten e tij, Sofi. Toni ka një synim të fshehtë: të fitojë trashëgiminë e Izabelës, të cilën e sheh si pengesë për pasurinë që ëndërron. Por gjërat ndryshojnë kur Izabela, në vend që të mbyllet në vetmi, afrohet me Sofinë. Ajo e sheh tek vajza një ndjenjë të ngrohtë dhe e zgjedh si shoqe të re, duke organizuar madje një festë me të. Kjo gjallëri e papritur, dashuria për pianon dhe dëshira për të bërë sërish një turne muzikor, e ringjallin shpirtin e Izabelës, por zgjojnë zilinë dhe nervozizmin e Tonit. Ndërkohë, Sofi njihet me një biznesmen të dyshimtë, Leon, që shet antikuare. Ai përpiqet të përfitojë përmes saj, duke e shtyrë të bindë Izabelën t’i shesë pianon dhe orenditë e vjetra të vlefshme.Të tre, Toni, Sofi dhe Leo fillojnë të mendojnë për vrasjen e Izabelës dhe hartojnë një plan. Sipas planit, Sofi duhet t’i thotë Izabelës se Leo ka qëllim ta sulmojë, që ajo të lajmërojë policinë. Kur Izabela njofton forcat e rendit, mbërrin detektivi Robert, i shoqëruar nga dy policë të maskuar si klientë të sallonit: Andrea dhe Niku. Roberti heton fshehurazi, ndërsa Andrea vjedh një paruke që më vonë detektivi e përdor si maskim. Në sallon mbërrin edhe Zonja Hubert, një kliente e pasur dhe e zhurmshme që po përgatitet të udhëtojë për në Bali. Ajo kërkon të krehë flokët, ndërsa nga kati i sipërm dëgjohet muzika e Izabelës që luan në piano. Kur Zonja Hubert pyet se kush po luan kaq bukur, Toni dhe Sofi i përgjigjen me bezdi: “Plaka e katit të dytë- Izabela”. Zonja Hubert kujton me admirim kohën kur ajo ishte pianiste e famshme, ndërsa Toni fillon të humbasë durimin dhe kontrollin.Gjatë kësaj kohe, Leo ngjitet fshehurazi lart në apartamentin e Izabelës, me pretekstin se po shkon në banjë. Ndërkohë, muzika nga sipër acaron Tonin, që godet në qafë detektivin Robert, i cili është ende nën mbulesën e klientit të thjeshtë. Gjaku dhe reagimet e tepruara të personazheve kthejnë skenën në një përzierje trilleri dhe satire. Nga tualeti dëgjohet zhurma e ujit që derdhet. Leo kthehet, Sofi trembet. Çdo veprim bëhet i dyshimtë, çdo fjalë fsheh një frikë. Në mes të tensionit, Sofi del nga salloni duke mbajtur një qese plehrash, brenda së cilës ka fshehur një palë gërshërë. Pak më vonë, ajo kthehet e tronditur dhe e mbuluar me gjak, duke ulëritur: “Ndihmë! Ka vdekur! Lart… lart! Izabela është vrarë!”.
Policia ndërhyn. Detektivi Robert zbulon identitetin e tij të vërtetë dhe fillon hetimin. Ai shpall se vrasësi është një nga personazhet në sallon, dhe se asnjëri nuk duhet të largohet. Në versionet e ndryshme të shfaqjes, publiku luan rolin e dëshmitarit: në natën e parë, fajtor del Leo, në të dytën, Sofi, në të tretën, Toni. Por në çdo rast, faji mbetet i përbashkët. Çdo personazh ka vrarë me mënyrën e vet me veprim, me qëllim, ose me heshtje. Në fund, kur të gjithë mendojnë se gjithçka ka përfunduar, Izabela del në skenë nëpërmjet një videomesazhi. Ajo i drejtohet publikut me një monolog përfundimtar me video mesazh, që shërben si pasqyrë e ndërgjegjes njerëzore, duke thënë: të gjithë jemi vrasës dhe të gjithë të vrarë…
Rozi Kostani: Komedia “Shumë pak vrasës”, sarkazma e ditëve që jetojmë
