Ministri Salla nga Korça: Po punojmë për mbylljen e çarjeve në argjinaturat e lumenjve

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ka vizituar Korçën mbrëmjen e sotme më 23 nëntor, për shkak të situatës së krijuar atje prej disa ditësh nga moti i keq.
Në një deklaratë për mediat, Salla ka theksuar se po punohet intensivisht për të mbyllur çarjet e krijuara në argjinaturat e lumenjve dhe për të shmangur përmbytjet në tokat bujqësore.
“Siç e shikoni, jemi bashkë me ministrin e mbrojtjes dhe ekipin e Agjencisë Civile, ku bashkë me bordin e kullimit dhe bashkia patjetër, që ka qenë gjithë kohës prezente në situatën që ka ndodhur ditët e fundit, ne kemi disa çarje në disa nga argjinaturat e disa lumenjve.
Këtu jemi në një nga rrugët ku ne jemi duke shkuar për në çarje, në mënyrë që sonte apo nesër në mëngjes të kemi arritur të përmbyllim pjesën e dëmeve, çarjeve të argjinaturave. Ne pak më parë ishim në një tjetër problematikë ku jemi drejt përfundimit. Këtu kemi bërë një devijim ku ujërat tashmë janë në drejtim të lumit, nuk ka më çarje nëpërmjet ujërave në toka bujqësore dhe pikërisht kjo rrugë është duke u bërë për të kaluar dhe për të çuar të gjithë materialin e duhur në mënyrë që mos të kemi më problematikë gjatë çarjes së argjinaturës së lumit.”, deklaroi ministri Salla.
Ai shtoi se bilanci i dëmeve do të bëhet pas përfundimit të të gjitha problematikave, jo vetëm për Korçën, por për gjithë territorin e vendit.
“Sa për dëmet, ne do të evidentojmë pas mbarimit të gjithë problematikave në të gjithë territorin e Shqipërisë, atje ku kemi pasur dëme, do të evidentojmë pasi të kemi përmbyllur gjithë proçesin e dëmeve ku realisht ka në disa nga shtratet e lumeve apo problematikat në disa argjinatura, të cilat janë drejt përfundimit edhe në Sarandë, Fier e Lezhë ku kemi qenë prezent. Më pas do të vazhdojmë me evidentimin e të gjitha problematikave që janë ndaj fermerëve, blegtorëve dhe sektorin bujqësor. Ne jemi në fazën e mbylljes së problematikave, më pas do vazhdojmë me evidentimin e dëmeve për çdo fermer shqiptar.”, tha Salla.