Deputeti i Partisë Demokratike për qarkun e Korçës, Fidel Kreka, ka reaguar pas shembjes së disa segmenteve të rrugës Qafë Plloçë–Qukës, që u dëmtuan menjëherë pas reshjeve të para të këtij sezoni.
Në një postim në rrjetet sociale, Kreka rikujton pyetjen që i kishte drejtuar vetëm pak ditë më parë zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, lidhur me fondet e këtij projekti: “Kush i vodhi 260 milionë euro të kësaj rruge?”.
Sipas tij, fakti që aksi i shpallur si “investim strategjik” dhe që duhej të ndërtohej me “standarde europiane” nuk arriti të përballojë as reshjen e parë, tregon se ka shqetësime serioze mbi mënyrën si janë menaxhuar fondet publike dhe proceset e ndërtimit.
Kreka thekson se ndërsa qytetarët vazhdojnë të paguajnë për projekte infrastrukturore që duhet të garantojnë siguri dhe cilësi, realiteti në terren nxjerr në pah probleme të theksuara që kërkojnë transparencë dhe përgjegjësi institucionale.
Deputeti nënvizon se dëmtimet e shfaqura sot në këtë aks të rëndësishëm rrugor shtojnë dyshimet për abuzime, ndërsa kërkon sqarime të menjëhershme nga institucionet përkatëse mbi mënyrën e zbatimit të projektit dhe përdorimit të buxhetit të akorduar.
Pjesë nga deklarata:
Para pak ditësh e pyeta Belinda Ballukun: Kush i vodhi 260 milionë euro të Qafë Plloçë–Qukës?
Sot rruga u shemb. U bllokua. U zhduk me shiun e parë.
Ky është ‘investimi strategjik’?
Ky është ‘standarti europian’?
Paratë fluturuan, rruga u shemb, qytetarët vazhdojnë të paguajnë.
Përgjegjësia ka emër, nuk është faji i shiut por i hajdutëve!
“Balluku përgjegjëse për vjedhjen e 260 milionë euro”/ Dëmtimet në aksin Qafë Plloçë–Qukës, flet deputeti Kreka
