VIDEO – Lëvizte me armë në makinë, arrestohet në Lezhë 23- vjeçari nga Shkodra, më pas iu kontrollua banesa…

DVP Lezhë / Finalizohet operacioni policor i koduar “AKSI”, për goditjen e armëmbajtjes pa leje
Qarkullonte me automjet i armatosur me armë zjarri pistoletë, kapet dhe vihet në pranga 23-vjeçari nga Shkodra. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një sasi e vogël lënde narkotike.

Në vijim të punës për sigurimin e informacioneve me qëllim kapjen dhe arrestimin e personave që qarkullojnë të armatosur apo mbajnë në banesë armë zjarri pa leje, shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara për një të ri që qarkullonte i armatosur, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Aksi”.
Si rezultat i operacionit, në aksin rrugor “Lezhë–Shkodër”, në fshatin Mabë, shërbimet e Policisë konstatuan një automjet tip BMW që dyshohej se udhëtonte i riu i armatosur dhe e ndaluan për të ushtruar kontroll.
Gjatë kontrollit fizik të drejtuesit të automjetit dhe të çantës që mbante me vete, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pistoletë, me krehër dhe municion luftarak.
Në vijim të veprimeve procedurale, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Shkodër, u ushtrua kontroll edhe në banesën e tij në lagjen “Salo Halili”, në Shkodër, ku gjatë kontrollit shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi të vogël lënde narkotike, e dyshuar kanabis.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi Xh. C., 23 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin! Bashkohu me kanalin e SHKODRAWEB në Whatsapp, mjafton të klikoni Kontaktoni për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd.
Ju mirëpresim!