“PD duhet të rishpikë veten”, Jorida Tabaku kritika për selinë blu: Gabimet e së shkuarës…

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, në një intervistë për një emision televiziv, foli për sfidat e opozitës ndërsa theksoi se ka nevojë për një ndryshim të thellë brenda selisë blu. Jorida Tabaku u shpreh se Partia Demokratike duhet të rishpikë veten ndërsa shtoi se demokratët duhet të mësojnë nga e shkuara.
“Që të jesh në opozitë në një mandat të katërt duhet të rishpikësh veten. Ka shumë diskutime në PD për instrumentet që duhet të përdorim. E rëndësishme është mendësia për të hapur partinë dhe për të mësuar nga gabimet e të shkuarës. Nuk ka diskutim që duhet të bëjmë gjërat ndryshe.”-tha Tabaku.
Deputetja demokrate nënvizoi se të gjitha kauzat janë ngritur nga Partia Demokratike ndërsa theksoi se shoqëria shqiptare po vuan nga keqqeverisja.
“Të gjitha kauzat që diskutohen sot janë ngritur nga PD. Që të vendoset PD në fokus bën apo jo protesta, më duket gabim. Ne duhet të flasim me qytetarët që të ngremë frymën.”-tha Tabaku.
Deputetja e PD u shpreh se njerëzit mund të kenë dyshime se ky pushtet nuk mund të ndryshohet me votë, por PD duhet të punojë paralelisht në të gjitha frontet, ndërsa theksoi rëndësinë e rotacionit politik dhe hapjes ndaj individëve të rinj.
“Foltorja është menduar si një hapësirë edhe për qytetarët dhe ku opozita nuk ka penalizimin që ndodh në Parlament dhe si një formë rezistence në protestë. Protesta nuk bën keq. Protesta duhet të ndodhë nga opozita, nuk ka asgjë të keqe të protestosh.
Grupi parlamentar i PD është reflektim si partia çon para vizionin e saj. Për mua është i shëndetshëm rotacioni politik dhe duhet të punojmë drejt kësaj. Fryma opozitare është aty, por ne duhet ta materializojmë.
Njerëzit vlerësojnë edhe individin. Turi që do të ndodhë nga partia ka në qëllim edhe këtë, të identifikojmë kandidatë që mund t’i bashkohen frymës opozitare.”-u shpreh Tabaku.