Gazetarja Klodiana Lala zbardh detaje lidhur me hetimet ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, e cila akuzohet për shkelje të barazisë në tendera.
E ftuar në emisionin një emision televiziv, Lala tha se SPAK po zgjeron hetimet edhe për procedura të tjera tenderuese, ku dyshohet se është përfshirë Balluku.
Gjithashtu gazetaria tha se do të ishte më e moralshme që Balluku të jepte dorëheqjen në vend që t’i shpallë luftë drejtësisë.Lala tha se SPAK duhet të hetojë gjithashtu pasuritë e Ballukut dhe vartësve të saj.
Klodiana Lala: Në gjykimin tim marrja e një vendim për pezullimin nga ushtrimi i funksionit dhe ndalimi për të dalë jashtë shtetit patjetër që është hapi më pozitiv i institucioneve të drejtësisë së re në raport me zyrtarët e lartë të cilët dyshohen të përfshirë në afera korruptive.
Mënyra se si gjyqtari ka interpretuar çështjen duke argumentuar ndër të tjera se zonja Balluku mund të prishë prova për shkak të influencës që ka, mund të intimidojë dëshmitarët që janë kryesisht vartës të saj, për shkak të pozitës që ka, ose mund të kryejë vepra të reja penale të së njëjtës natyrë për shkak se është duke kryer procedura të tjera tenderuese.
Do preferoja si qytetare që një zyrtar i lartë prezumohet e pafajshme deri sa ta vendoset, do të ishte e moralshme që Balluku të jepte dorëheqjen. A duhet që SPAK të hetojë dhe pasurinë e zonjës Balluku dhe vartësve të saj? Patjetër që po.
Kujtojmë se GJKKO konfirmoi sot pezullimin e Belinda Ballukut nga posti i zv.kryeministres dhe ministres se Infrastruktures.
Gjithashtu, ndaj administratorit të KESH, Erald Elezi dhe drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH, Gentian Gjyli është lënë në fuqi masa “arrest shtëpie”.
E para që u largua nga ambientet e GJKKO-së ishte Belinda Balluku, e cila vendosi të kyç gojën para mediave.
Menjëherë pas saj është larguar edhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, që gjithashtu nuk foli për gazetarët.
“Belinda Balluku patjetër do të ankimojë masën sepse nuk mund të paraqitet në zyrë. A do të japë dorëheqjen dhe nëse jo, a do e shkarkojë Kryeministri? Dhe pyetja tjetër është se çfarë do të vendosë Kushtetuesja”, u shpreh gazetarja Klodiana Lala.
Zv.kryeministrja e pezulluar, përveç tunelit të Llogarasë është nën hetim edhe për tenderin abuziv në Unazën e Madhe.
SPAK sqaroi se ndaj të pandehurës Belinda Balluku rëndojnë akuzat për kryerjen e veprës penale, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim sa i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” dhe e dyshuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim sa përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”.
Seanca nisi rreth orës 09:00, por u ndërpre për dy orës pas gati 40 minutash. Gjatë kësaj kohe, Belinda Balluku u largua nga GJKKO për t’u rikthyer sërish më vonë.
Ajo u largua rreth orës 14:40, ku gjyqtari Erion Çela vendosi të lërë në fuqi masat e sigurisë.
Gjyqi u zhvillua për marrjen në pyetje të 3 të pandehurve, si edhe verifikimin e kushteve, kritereve të caktimit të masës dhe nevojat e sigurimit Belinda Ballukun, Gentian Gjylin e Erald Elezin.
Vendimi i GJKKO:
Kërkuesi Prokuroria e Posaçne kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 21.11.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrja në pyetje dhe verifikimi i kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues dhe ndalues, caktuar me vendimin Nr. 118, datë 19.11.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj të pandehurve Belinda Balluku, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi”.Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, me vendimin nr. 120, datë 22.11.2025, vendosi:Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, (si Zv. Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë), të parashikuara nga nenet 233 dhe 242 të K.Pr.Penale, ndaj të pandehurës Belinda Balluku, të caktuara me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj të pandehurit Gentian Gjyli, e caktuar me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj të pandehurit Erald Elezi, e caktuar me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.Saktësimin e adresës së zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi” duke urdhëruar të pandehurin Erald Elezi që të mos largohet nga banesa e tij që ndodhet në qytetin e **** me adresë: ****Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brënda 5 ditëve, nga njoftimi i vendimit të gjykatës.Tiranë, më datë 22.11.2025Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
“SPAK po zgjeron hetimet edhe për procedura të tjera tenderuese”, Lala: Balluku duhet të kishte dhënë dorëheqjen
