GJKKO tregon pse u pezullua Balluku: Mund të prishë ose të asgjesojë provat, të shtunën i komunikohet masa

Gjykata e Posaçme do t’i komunikojë të shtunën në mëngjes ministres së pezulluar Belinda Ballukut masën që i caktoi të enjten dhe ndalimin e daljes nga shteti. Zyrtarisht pritet që në orën nëntë ajo të paraqitet në Gjykatën Antikorrupsion për verifikimin e kushteve të masës së sigurisë dhe të marrjes në pyetje, një vendim ky që prek edhe të bashkëpandehurit e tjerë, kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar Gentjan Gjyli dhe atë të KESH Erald Elezi. Këta të fundit, gjyqtari Erion Çela i ka izoluar në shtëpi.
Vizion plus ka siguruar disa nga arsyet e caktimit të masave të sigurisë.
 “Ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës në funksion të hetimit të kësaj çështjeje, pasi për shkak të detyrës që ushtron e pandehura Belinda Balluku (aktualisht me funksionet e larta shtetërore zv. Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Ernergjisë dhe Infrastrukturës), por edhe të pandehurit e tjerë Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, ekziston mundësia që ata të ndërhyjnë dhe të ndikojnë në prishjen ose asgjësimin e provave, në krijimin e rrethanave që vështirësojnë mbledhjen e provave”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Posaçme.

Një tjetër argument ka shërbyer edhe largimi i mundshëm i të pandehurve nga vendi, duke marrë shkas nga dyshimi se kanë kryer shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera.
“Në lidhje me ekzistencën e rrezikut të largimit të të pandehurve, gjykata vlerëson se në rastin konkret, ekziston rreziku i të pandehurve nisur nga sanskoni dhe marzhi i lartë që parashikon ligji për veprën penale që ata dyshohen, konkretisht nga 1- 5 vjet burgim për veprën penale”, thuhet më tej në vendim. 
Jo vetëm kaq, por gjyqtari Çela thotë se të bashkëpandehurit janë në kushtet për të kryer krime të të njëjtës natyrë.
“Gjykata vlerëson se në rastin konkret për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të të pandehurve, duke qenë në ushtrimin e funksioneve respektive të tyre për shkak të detyrës, ekziston rreziku që ata të kryejnë krime të të njëjtit lloj me atë për të cilin po procedohen”, shprehet Gjykata e Posaçme.
Më 31 tetor, prokuroria e posaçme e vuri nën akuzë Belinda Ballukun për tenderin e tunelit të LLogarasë, me vlerë 189 milionë euro. Sipas SPAK, numri dy i qeverisë, bashkëpunoi me pesë zyrtarë dhe anëtarë të vlerësimit të ofertave, të cilët gjithashtu janë marrë të pandehur. Nën akuzë kanë përfunduar kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli dhe ish kreu i të njëjtit insitucion, Evis Berberi bashkë me anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave si dhe drejtorin e KESH. Tenderi është zhvilluar fillimisht më 11 dhjetor 2020, por më pas u anulua dhe u rihap në 22 qershor 2021 me fond limit 18.9 miliardë lekë pa TVSH./vizionplus.tv