“Tenderi i tunelit të Llogarasë, maja e ajzbergut”/ Pezullohet Balluku, Bardhi: Nuk e shkarkon të besuarën e tij

Kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po vepron si “avokat” i Belinda Ballukut, e cila është pezulluar nga detyrat që mban me vendim të Gjykatës së Posaçme, ndërsa ndaj saj po vijojnë hetimet për shkelje të barazisë në tendera, lidhur me projektin e tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe.
Bardhi tha se nuk ndodh në asnjë vend të BE që kryeministri të bëhet avokat i zyrtarit të lartë pasi ai merret i pandehur nga drejtësia, ndërsa shtoi se tenderi i paracaktuar i tunelit të Llogarasë më 190 milionë euro, është vetëm maja e ajzbergut.
“Kjo është ajo që nuk bën vaki të dashur shqiptarë, në asnjë vend të BE-së, që kryeministri të bëhet avokat i zyrtarit më të lartë të qeverisë pas tij, pasi ai merret i pandehur nga drejtësia”, tha Bardhi për mediat.
Deputeti demokrat theksoi se kjo është një e vërtetë që nuk ka bërë vaki në asnjë vend të Evropës, pasi në Evropë politikanët mbajnë përgjegjësi.
Gazment Bardhi:
Kjo është ajo që nuk bën vaki të dashur shqiptarë, në asnjë vend të BE-së, që kryeministri të bëhet avokat i zyrtarit më të lartë të qeverisë pas tij, pasi ai merret i pandehur nga drejtësia. Dhe ju siguroj se tenderi i paracaktuar i tunelit të Llogarasë me 190 milionë euro është vetëm maja e ajsbergut për aferat e përbashkëta Rama-Balluku.
Problemi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve sot nuk është se kanë një zëvendëskryeministër të pezulluar nga detyra me vendim gjykate për shkelje të barazisë në tendera. Problemi është se kanë një kryeministër të korruptuar që nuk e shkarkon bashkëpunëtoren dhe të besuarën e tij më të afërt, të marrë të pandehur, sepse është bashkëpeng në aferat korruptive me të.
Kjo është një vërtetë që nuk ka bërë vaki në asnjë vend të Europës. Pak ditë më parë, ju solla një rast shumë europian dhe shumë të freskët që ka ndodhur jo në Shqipëri, por që tregon për një starndard të dyfishtë të Shqipërisë në raport me Bashkimin Europian. Në Europë, politikanët mbajnë përgjegjës.
Në Portugali, ish-kryeministri António Costa dha dorëheqje sapo u përfshi në hetim për korrupsion, pa pritur as akuzë, për të mos cenuar dinjitetin e shtetit. Sot ai është President i Këshillit Europian.
Ndërkohë që në Shqipëri, Edi Rama nuk e shkarkon zv/kryeministren e tij të pandehur për korrupsion, por del si avokat i Belinda Ballukut dhe sulmon gjykatësit dhe prokurorët duke e shpallur veten mbi ligjin.
Ajo që sot bëri Edi Rama në fakt është mesazhi i tij që të shpallet i pavarur, kështu tha; është ndërhyrje brutale e gjyqësorit, në pushtetin ekzekutiv, pra Edi Rama mendon se pushteti ekzekutiv është i pavarur nga detyrimi për të zbatuar ligjin. Kjo është një diferencë mes moralit europian dhe korrupsionit qeveritar të drejtuar nga Edi Rama.