Gjykata e Posaçme ka marrë dy masa sigurie për Belinda Ballukun, pezullim i ushtrimit të detyrës dhe funksionit si zv. Kryeministre dhe ministre, dhe ndalim i daljes jashtë vendit. Vendimi është dhënë nga gjyqtari Erion Çela, i kërkuar nga prokurori Dritan Prençi, nën akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK më datë 31 tetor komunikoi zyrtarisht se ka ngritur akuzë ndaj ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.
Sipas prokurorisë, akuzat lidhen me veprimet e ministres Balluku në cilësinë e saj si drejtuesja e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në lidhje me procedurën e prokurimit për “Ndërtimin e tunelit të Llogarasë”, pjesë e seksionit rrugor Orikum-Himarë, në autostradën SH8, Vlorë–Sarandë.
Sipas SPAK, tenderi në fjalë është zhvilluar më 11 dhjetor 2020, ndërsa pas anulimit të tij, procedura është rihapur më 22 qershor 2021, me një fond limit prej 18,967,810,952.08 lekë pa TVSH.
Dosja për tunelin e Llogarasë, gjykata pezullon nga detyra Belinda Ballukun dhe i ndalon daljen jashtë vendit
