Rigels Seliman
Gazetari investigativ, Artan Hoxha, i cili ka ndjekur nga pranë protestën e 21 janarit 2011, ku u vranë katër mbështetës të opozitës, ka rrëfyer dje në një media atë që ndodhi atë pasdite të ftohtë janarit. Ish-kryeministri Sali Berisha u thirr ditën e djeshme për herë të parë nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për krimet e 21 janarit 2011, kur katër qytetarë u ekzekutuan në bulevard nga të shtënat që dolën nga godina qeveritare. Por për këtë dhe ata që ndodhi 14 vite më parë para Kryeministrisë, gazetari Artan Hoxha ka treguar detaje nga regjistrimi. Ai u shpreh se urdhri që u dha për të kryer vrasjet ishte “gjakos, gjakos”, ndërsa shtoi se për 8 sekonda u kryen katër vrasjet e protestuesve. Pas këtyre 8 sekondave, është dhënë urdhër ‘ndaloni zjarrin’. Ai shprehet gjithashtu se nëse do të kishte zgjatur më shumë urdhri për të sulmuar, atë ditë do ishte bërë kasaphanë. Berisha ka deklaruar se të shtënat janë kryer nga Garda, por Hoxha thotë se nga brenda është qëlluar vetëm syri i nxirë i shefit të Gardës në atë kohë, Ndrea Prendi. “Audio-përgjimin nuk ia dhënë askujt. Momenti kur edhe SPAK kërkon origjinalin dhe burimin, Berisha bëri një lojë fjalësh. Basha del tek kodet e radiove. Është një kod për flitet për të. Kam identifikuar kodet me radhë, janë disa luanë, diamanti, 77, korabi, 220… ata që e kanë pasur e dinë për kë e kam fjalën unë. Basha ka qenë ministër i Brendshëm, është akuzuar dhe ai për ngjarjen, por po i jepet mundësia të tregojë pozicionin e vetë. Në Kryeministri nuk komandonte Basha. U tha nga Berisha që ‘Kryeministria s’ka pasur sistem kamerash, ka pasur Garda. Ka pasur sistem kamerash. Vrasjet janë bërë me urdhër. Si është bërë regjistrimi? Nuk është bërë duke përgjuar njësinë qendrore, por duke përgjuar komandantin e Gardës. Ai është regjistruar dhe janë komunikime e komandantit me zinxhirin komandues. Kur vijnë të shtënat.. për 8 sekonda janë kryer vrasjet. Nga momenti që është dhënë urdhri ‘ta gjakos, gjakos’, ky është urdhri. Urdhri tjetër ka qenë ‘ndaloni zjarrin’, ka zgjatur vetëm 8 sekonda. Po të kishte zgjatur më shumë do ishte bërë kasaphanë. Ky material i dha një motiv të ri hetimit, që kemi të bëjmë me vrasje me urdhër. Ajo që ka thënë Berisha është që ‘është bërë, por nga Grada’ dhe ka thënë që nuk është qëlluar nga brenda. Brenda është qëlluar vetëm syri i nxirë i shefit të Gardës, Ndrea Prendit. E vetmja e shtënë brenda godinës, ka qenë një e shtënë grushti. Atë ditë ka pasur disa përplasje dhe çfarë ka ndodhur? Të shtënat nuk janë thënë që janë bërë nga brenda Kryeministrisë”, deklaroi dje ai.
Hoxha: Në ‘21 janar’, Garda vrau katër protestuesit kur turma po largohej
Ndërkohë më herët gazetari Artan Hoxha është shprehur se policia gaboi kur përdori gazin lotsjellës ndaj protestuesve i cili dëmtoi edhe vetë efektivët të cilët nuk ishin të pajisur me maska antigaz. Z. Hoxha thekson gjithashtu se vrasjet ndodhën kur protesta ishte shuar. “E kam ndjekur nga afër protestën në terren atë ditë. Policia bëri një gabim të madh. Pasi përqindja e gazit lotsjellës të përdorur ka qenë shumë e madhe. Kjo situatë e krijuar, policia duke përdorur gazin lotsjellës në vend që të shpërndante protestuesit, dëmtoi trupat e veta sepse nuk ishin të pajisur me maska. Ndërsa Garda nuk lejonte trupat e policisë të hynin në territorin e Kryeministrisë. Edi Rama është larguar që në momentin kur makina hodhi gazin lotsjellës. Ndodheshin Saimir Tahiri, Arben Çuko, Zyhdi Dajti, të cilët kanë qenë aty për të parandaluar që njerëz nga turma të hynin brenda territorit të Kryeministrisë. Vrasjet në Bulevard ndodhën kur protesta ishte shuar”, është shprehur gazetari Artan Hoxha.
Dosja sekrete
Nga ana tjetër disa muaj më parë gazetari Artan Hoxha, teksa ka folur në lidhje me dosjen e “21 janarit” dhe rihapjen e hetimeve rreth kësaj ngjarjeje nga SPAK, ka zbuluar se ekziston një dosje, për të cilën mediat nuk kanë dijeni, por që do të përfshihet në fashikujt e Prokurorisë së Posaçme. Ai tha se kjo dosje përmbante të dhëna që mund t’i nxirrnin probleme ish-kryeministrit të kohës, Sali Berisha. Sipas gazetarit, kjo dosje u mbyll pasi kryeprokurori Adriatik Llalla i propozoi një shpërblim në post më të rëndësishëm, prokurorit që po merrej me çështjen. “Sot 21 janari, ata që hetojnë nuk kanë më hetim politik, kanë mbrojtje ligjore nuk i kërcënon më njëri Ekziston një dosje hetimore që është marrë vetëm me prishjen e provave të 21 janarit. Këtu do të ketë zhvillime. Prokurori që po hetonte e mblodhi prova që mund t’i nxirrnin probleme Berishës, kryeprokurori Adriatik Lala i ofroi një vend pune më të mirë prokurorit që merrej me çështjen, e emëroi si kryeprokuror të Vlorës, i mori dosjen dhe ja mbyllën. Pra iu ofrua sheqer, i thanë ke një post më të mirë e hiq dorë nga kjo dosje. Kjo është një dosje që ne nuk kemi dijeni por do ti bashkohet fashikullit të SPAK”, tha ai. Më tej ai shtoi se Sali Berisha, sipas tij, duhet të ishte duke u gjykuar jo për çështjen Partizani, por për atë që ndodhi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ai tha se 21 janari është trajtuar si ngjarje banale, por që është vijë demarkacioni për zhvillimet politike në këtë vend. “21 Janari, ngjarje që hetimet ende nuk kanë reshtur kurrë. 21 janari ngjarje për të cilën nuk ka dëshmuar kurrë presidenti Topi, ka bërë një libër se si u bë grushti i shtetit, por nuk ka dëshmuar kurrë. Nuk ka dëshmuar zoti Basha, prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama e cila nuk iu kundërvu qeverisë por nuk bëri çfarë kërkoi ai. Nuk dëshmoi kryeministri që thirri protestën, zoti Rama. Të gjitha këto e kalojnë 21 janarin në një nivel tjetër. E kemi trajtuar si ngjarje banale por është vijë demarkacioni për zhvillimet politike në këtë vend”, u shpreh Hoxha. Ndër të tjera, Hoxha u shpreh se vajzat e Aleks Nikës sot janë të rritura për të ndjekur çështjet, duke theksuar më tej se, shkuarja e çështjes në SPAK sot do të ketë një qasje tjetër edhe nga politika. “Dy vajzat e Aleksit janë bërë sot të rritura sa për të ndjekur çështjen. Shkuarja e çështjes në SPAK sot do të ketë një qasje tjetër edhe nga politika. Berisha duhet të ishte në SPAK për 21 Janarin jo për kompleksin Partizani. Do të ketë zhvillime interesante. Nuk është hetuar asnjëherë në nivel politik”, nënvizoi Hoxha.
Çfarë ndodhi 14 vite më parë para Kryeministrisë dhe si u vranë në 8 sekonda katër qytetarë të pafajshëm, Artan…
