Ambasada Amerikane ka ndarë ditën e djeshme pamje dhe detaje nga takimi që e Ngarkuara me Punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn ka zhvilluar me Delina Ibrahimajn, në zyrën e ministres. Ambasada bën me dije se diplomatja VanHorn e ka njohur ministren shqiptare të ekonomisë me vizionin e presidentit Donald Trump dhe ka ndarë planet e ambasadës për të ofruar ekspertizë amerikane mbi partneritetet publike-private. Pra, mbi tenderat dhe koncesionet. Gjithashtu, diplomatja e lartë amerikane ka inkurajuar ministren Delina Ibrahimaj për miratimin e një mekanizmi të fuqishëm për shqyrtimin e investimeve në Shqipëri, sepse këto iniciativa promovojnë inovacionin, transparencën dhe përgjegjshmërinë në mënyrë që bizneset të lulëzojnë.
“E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn u takua me Ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, për të çuar përpara vizionin e Presidentit Trump për partneritete të drejta ekonomike që lejojnë zhvillimin e inovacionit. Gjatë takimit të saj, znj. VanHorn ndau planet e ambasadës për të ofruar ekspertizë amerikane mbi partneritetet publike-private dhe inkurajoi miratimin e një mekanizmi të fuqishëm për shqyrtimin e investimeve në Shqipëri. Këto iniciativa promovojnë inovacionin, transparencën dhe përgjegjshmërinë në mënyrë që bizneset të lulëzojnë”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga Ambasada Amerikane në Tiranë, krahas pamjeve nga takimi i dy zonjave.
Alarmi i amerikanëve
Departamenti Amerikan i Shtetit kur publikoi disa javë raportin për klimën e investimeve në Shqipëri 2025 theksoi se përdorimi i vazhdueshëm i kontratave të partneritetit publik-privat (PPP) ka reduktuar mundësitë e konkurrencës, duke përfshirë edhe investitorët e huaj, në sektorin e infrastrukturës dhe sektorë të tjerë. “Emigracioni i punëtorëve të rinj dhe të kualifikuar ka krijuar mungesa fuqie punëtore që ndikojnë mbi perspektivat e investimeve. Komuniteti i biznesit raporton se fluksi i madh i të ardhurave të paligjshme nga trafiku i drogës, kontrabanda, shmangia fiskale dhe korrupsioni shtrembëron konkurrencën në treg. Investitorët raportojnë se mund të jenë objekt i shantazhit nga administrata publike, mediat dhe grupet kriminale.
Raporte për korrupsion në prokurimet qeveritare janë të zakonshme, me investitorët që shpesh raportojnë raste ku korrupsioni shtyn ose pengon investimet në Shqipëri. Përdorimi i vazhdueshëm i kontratave të partneritetit publik-privat (PPP) ka reduktuar mundësitë e konkurrencës, duke përfshirë edhe investitorët e huaj, në sektorin e infrastrukturës dhe sektorë të tjerë. Analizat e dobëta dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP mbeten shqetësime të vazhdueshme Disa investitorë amerikanë janë përballur me mosmarrëveshje komerciale të ashpra me entitete publike dhe private, përfshirë disa që kanë shkuar deri në arbitrazh ndërkombëtar”, thuhet ndër të tjera në raport.
Alarmi i SPAK
Nga ana tjetër ndërhyrja e amerikanëve erdhi vetëm pak kohë nga raportimi i kreut të SPAK Altin Dumani në Komisionin e Ligjeve teksa evidentoi për vëmendje të shtuar ndaj mënyrës së përdorimit të parave publike dhe procedurave të prokurimit. Sipas Dumanit, veprat me rrezikshmërinë më të lartë janë pastrimi i produkteve të veprës penale dhe shkelja e barazisë në tendera. Këto shkelje janë vënë re me rritje gjatë viteve 2023–2024, duke sinjalizuar se skemat e përfitimit të paligjshëm po sofistikohen. SPAK vëren se strukturat përfituese shfrytëzojnë dobësi në kontrollet dhe filtrat e prokurimeve, duke minuar konkurrencën dhe integritetin e tregut publik. Raportimi thekson se keqpërdorimi i fondeve publike lidhet edhe me përfshirjen e subjekteve tregtare fiktive ose të lidhura klienteliste, të cilat përdoren për të justifikuar dhe kanalizuar pagesa në mënyrë të parregullt. Këto praktika, të kombinuara me shkelje në procedurat e prokurimit, cenojnë barazinë mes operatorëve ekonomikë dhe sjellin dëm financiar për buxhetin e shtetit.
E ngarkuara me punë e ambasadës së SHBA zbarkon në Ministrisë e Ekonomisë, Uashingtoni vendos nën lupë koncesionet e…
